Trajneri Baballëku kërkon seriozitet për fitoren e radhës
Nëse fitojnë në transfertën e Vlorës, lushnjarët do të kenë më të lehtë të vendosin diktatin e tyre në kampionat
Skuadra e Lushnjës luan sot me Vlorën ndeshjen e javës së dytë të kampionatit dhe të parën në transfertë. Lushnja e sheh veten në krye pas javës së parë, falë golaverazhit më të mirë se skuadrat që kanë fituar javën e parë. Sfida e sotme është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e verdhejeshilëve të drejtuar nga trajneri Ramadan Baballëku. Ata synojnë fitoren ndaj vlonjatëve, me të cilët janë ndeshur edhe gjatë fazës përgatitore në një miqësore të zhvilluar në Roza Haxhiu.
Atmosfera në kampin lushnjar është pozitive dhe të gjithë shpresojnë për një performancë sa më të mirë. Nëse Lushnja merr një tjetër tripikësh në fushën e Vlorës, që ka synime modeste në kampionat, do ta ketë më të lehtë të vendosë supremacinë e saj më tej. Për këtë ndeshje do të jenë të gatshëm të gjithë futbollistët dhe stafi teknik e ka ndjekur hap pas hapi ecurinë e secilit, në mënyrë që të hedhë në fushë ata që e meritojnë të jenë titullarë.
Baballëku Trajneri i skuadrës verdhejeshile, Ramadan Baballëku, u ka kërkuar punë dhe shumë mund të gjithëve, duke shmangur çdo shenjë euforie. “Kemi një ndeshje shumë të vështirë në transfertë. Shumë mendojnë se është e lehtë, por unë nuk jam i këtij mendimi. Çdo ndeshje kam kërkuar të merret me shumë seriozitet nga të gjithë, jo vetëm nga futbollistët, por edhe hallkat e tjera që ndikojnë në një skuadër.
Do të shkojmë për të dhënë më të mirën në Vlorë dhe do të kërkojmë të marrim pikët maksimale. Për këtë secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta mbi supe. Mendoj se, nëse e realizojmë këtë, jemi vërtet në rrugë të mbarë për këtë sezon,” tha mes të tjerash trajneri i Lushnjës, Ramadan Baballëku.
Skuadra verdhejeshile do të niset sot në mesdite drejt Vlorës, ku do te ndeshet në stadiumin Flamurtari me Vlorën, por të njëjtin itinerar do të ndjekin dhe shumë tifozë lushnjarë për të parë nga afër skuadrën e tyre të zemrës.
