E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi: Luftëtari e ka të qartë objektivin e tij

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Trajneri i gjirokastritëve, pavarësisht mungesave, kërkon nga të tijtë që të bëjnë në fushën e Himarës

Pa dyshim që asnjëri para fillimit të këtij sezoni nuk e ka përfytyruar një ekip të tillë si po paraqitet  Luftëtari në përbërje, me disa emra «sugjestjonues» , jo vetëm për kategorinë e parë. Ndërkohë, në ndeshjen e parë, që rezulton si «fitore e Pirros», vujati për të rrëmbyer fitoren ndaj Vlorës dhe humbi kapitenin Stoja, të cilin komisioni i disiplinës e ka ndëshkuar me një masë drastike.

Por edhe në ndeshjen me Himarën në transfertë nuk mund të paraqitet me formacionin e tij ideal (në ndeshjen e parë mungonte Nora) për shkak të dënimit në fjalë dhe disa dëmtimeve. Nuk u arrit rikuperimi i lojtarëve si Nora dhe Devolli, që janë dëmtuar përkatësisht në miqësoren me Bylisin dhe zyrtaren me Vlorën.

Sidoqoftë, këtë kampionat  Luftëtari disponon më shumë se 20 futbollistë, që konsiderohen titullarë dhe pjesa më e madhe e tyre janë të tillë, duke bërë që të mbulohen mungesat dhe të mos ndihen «tmerrësisht» mungesa e ndonjërit, qoftë dhe nga trioja themelore DevolliNoraStoja. (dy të parët edhe mund të luajnë). Ata që do të luajnë ndaj Himarës duhet të mobilizohen me të gjitha forcat për të kompensuar mungesat, por edhe për ta treguar veten dhe kësisoj të marrin rezultatin e dëshirueshëm.

Trajneri Hysi Trajneri i Luftëtarit, Mustafa  Hysi, i pyetur për ndeshjen me Himarën dhe të tjera, shprehet: «Luftëtari i këtij sezoni e ka të saktësuar objektivin e tij, ndaj dhe në Himarë do të luftojmë për fitore me të gjitha mundësitë. Më shqetëson  terreni i lojës, për të cilin nuk kam asnjë lloj njohurie.

Pavarësisht nga dëmtimet e disa lojtarëve, si dhe dënimin e Nertil Stojës, ne do të ndërtojmë një formacion për të marrë rezultatin e dëshirueshëm. Nuk besoj që masa e rëndë ndaj kapitenit Nertil Stoja është e merituar, aq më tepër që ai me përjashtime të rralla ka qenë shembull pozitiv në kampionatet tona.»

Dje, në orën 16:00, pasi paradite kanë kryer në stadiumin «Gjirokastra» seancën e fundit stërvitore për ndeshjen në Himarë, «trimat e Argjirosë» janë nisuar për atje me besimin për  fitore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›