E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adela: Me Bjordin? Vetëm miqësi

Aida, Mesida, Qetsori dhe Arjoni janë katër të nominuarit e javës në vijim. Ata të gjithë e ndiejnë frikën e sfidës së radhës. Sori dhe Arjoni kanë diskutuar së bashku mbi një strategji të mundshme për të vazhduar ende qëndrimin brenda shtëpisë së "Big Brother". Qetsori i ka thënë Arjonit që të mos lidhej më shumë me Mesidën, sepse ajo ishte në nominim. Ai ka shtuar se e rëndësishme është që këtë javë të mos dilnin ata të dy, as Aida, por të dilte Mesida.

"Jemi shok, asgjë nuk ka ndryshuar"

Bjordi dhe Adela qëndrojnë vetëm në dhomë, pasi Bjordi i kërkon që ajo t‘i bëjë shoqëri. Ai i kërkon të shtrihet me të, por ajo nuk pranon. Adela i thotë Bjordit se marrëdhënia e tyre nuk ka ndryshuar, ata janë siç ishin edhe më parë dhe se asgjë nuk ka ndryshuar meqë ajo nuk u largua. Bjordi i thotë se e bezdisin këto fjalë dhe nuk ka nevojë t‘i dëgjojë, por Adela i thotë se vetëm po i shpjegon situatën në të cilën ndodhen, që të mos krijojnë keqkuptime. Ajo i kërkon Bjordit që gjithmonë, kur të ndodhet në situata të tilla që ka nevojë për të, të kujtojë ato që i ka thënë. Ajo shton se as ai, e as ajo, nuk kanë faj për këtë situatë. Adela i thotë se ai e di mirë se si janë gjërat mes tyre dhe se ai e ka në dorë se çfarë do bëjë, si do ta bëjë apo edhe se për çfarë ka nevojë. Ajo i thotë që ai të bëjë atë që është më e mira për të. Bjordi i thotë se nuk e ka vetëm ai në dorë se çfarë mund të bëjë, por ka vendosur të bëjë atë që është më e mira për të tjerët. Adela i jep mendimin se mund të bëjë edhe atë që është më e mira për të, por pa e përfshirë dhe atë. Bjordi ia kthen se në këtë rast nuk do jetë më, më e mira për të. Adela i thotë se mund të mos jetë më e mira për të, por mund të jetë gjithsesi, një e mirë e mundshme. Bjordi mendon se është ai që duhet të vendosë, por Adela i thotë se po ndërhyn sepse e ndjen se duhet t‘ia thotë këto gjëra. Ajo e këshillon se disa të mira, mund t‘i gjejë që tani. Bjordi i thotë se ajo nuk e ka idenë se çfarë do ai dhe ndaj flet në këtë mënyrë, se në të kundërt nuk do fliste kështu. Ai i tregon se ajo e ka bërë të kuptojë shumë gjëra për të dhe i thotë se ka vendosur të mos sillet më kështu me të, sepse në fund mund të vuajë dhe këtë gjë ai nuk e do. Ai i thotë se nuk e di nëse ajo do vuajë por, ai po. Bjordi thotë se e di çfarë do, por di që edhe s‘mund ta ketë atë që do dhe ndaj do sillet ndryshe që tani e tutje. Ai i thotë sërish se gjërat më të rëndësishme nuk mund t‘i ketë tani. Adela i thotë se mund t‘i ketë më vonë. Ajo e këshillon që ai ta kuptojë se cilat janë gjërat e rëndësishme dhe të presë për to. Ajo i thotë që të bëjë ato që dëshiron të bëjë por t‘i mendojë mirë gjërat. Ai i thotë se ajo nuk e lejon dhe i thotë se e ka vështirë t‘i shkojë gjithmonë nga mbrapa. Adela i thotë se nuk ia ka kërkuar asnjëherë këtë gjë, kurse Bjordi ia kthen se e bën ngaqë e ndjen.

"Kësaj jave, dal unë!"

Mesida, duke biseduar me Qetsorin dhe Arjonin, ka thënë se kjo e shtunë do të ishte "shumë e fuqishme". Sipas saj, do të ishte ajo që do të dilte, sepse ishte më e reja dhe ndërkohë, si Qetsori, si Aida, si Arjoni, i kishin tashmë fansat e tyre. Arjoni i tha se kjo nuk do të thoshte asgjë dhe se ajo duhet të kishte besim. Ndërsa sipas Qetsorit, nuk i dihej se kush do të dilte, pasi Mesida ishte vajzë e mirë dhe i kishte bërë vend vetes. Duke komentuar nominimin e saj me Adelajden, mendimit të kësaj të fundit se banorët mund ta kenë nominuar ngaqë me të tjerët ishin më të lidhur, ajo i është përgjigjur se, po të kishte qenë kështu, do ta nominonin javën e parë, jo kësaj here e madje kështu do të kishte qenë më e drejtë. Gjithsesi, ajo u shpreh se ishte e kënaqur që, të paktën, Zhuljeta kishte dalë para saj nga shtëpia.

"Aida s‘donte të ta jepte imunitetin!"

Duke folur për titullin e Adit si kujdestar i shtëpisë dhe faktin që ai i shpëtoi nominimit, Arjoni ka thënë se Aida nuk donte t‘ia jepte atij këtë të drejtë, por kur Adi "kishte bërë ato shakatë e veta", ajo e kishte kuptuar që s‘kishte pse të mos t‘ia jepte. Mesida dhe Lirita janë vënë në mbrojtje të Aidës, duke thënë e para, se nuk e besonte që Aida nuk donte dhe e dyta se Aida ishte keqkuptuar. Sipas Qetsorit, që mendonte të njëjtën gjë si Arjoni, ata duhej që sa herë t‘u jepej një rast i tillë, t‘ia dhuronin tjetrit imunitetin. E të njëjtit mendim ka qenë edhe Adelajda.

"Aida, ki kujdes!"

Arjoni dhe Aida nuk kanë pritur gjatë për t‘iu rikthyer debatit në lidhje me imunitetin e Adit. Aida i ka thënë se keqinterpretimet që ai u bënte gjërave, deri më sot, ajo i kishte menduar të ndikuara nga "dikush" tjetër, por tani po e kuptonte se kishte gabuar. Ajo ka shtuar se këto ishin provokime nga ana e tij dhe se ajo nuk donte ta vazhdonte më një debat që mund ta detyronte të thoshte gjëra që nuk donte t‘i thoshte apo nuk i mendonte. Arjoni e ka interpretuar këtë si tërheqje nga ana e saj, ndërsa Aida i ka thënë se ai ishte i vogël dhe nuk e mbante dot lojën e saj. Më pas, në debat ka hyrë edhe Qetsori, i cili është munduar të qetësojë situatën, duke thënë se ishte faji i tij, sepse kishte qenë ai që e kishte hapur këtë diskutim. Por si Aida, si Arjoni nuk kanë ndalur. Ky i fundit i ka thënë Aidës se ajo po bënte shumë gabime që po e quante të cekët, po e quante të vogël, duke e ofenduar, gjë që ai nuk e kishte bërë ndonjëherë. Aida ia ka kthyer duke i thënë se realisht ai ishte më i vogël. Kjo e ka acaruar edhe më shumë Arjonin, që i ka thënë të kishte kujdes dhe të mos fliste pa i njohur njerëzit dhe se ajo nuk mund ta quante atë as të vogël dhe as të cekët, për mendimin që ai realisht shfaqte. "Nëse ke kurajë, mos u mbro pas fjalës 24 vjeç!", - i ka thënë ai. "Pse? Çfarë do të më bësh?!", - i ka thënë Aida. Qetsori ka ndërhyrë sërish, për të qetësuar situatën, duke thënë se, meqenëse ishte ai që e hapi këtë bisedë, do të ishte po ai që nesër, do të përballej e do të sqarohej me Aidën. "Unë nuk kam asgjë për të sqaruar!", - ka përfunduar Aida.

Nuk duhej ta nominoje Aidën!

Sipas Mimozës, Adelajda kishte bërë shumë gabim që e kishte nominuar Aidën. Ajo ia ka thënë edhe Adelajdes këtë. Sipas saj, ditët e fundit, ato ishin afruar shumë. Bjordi e ka mbështetur Adelën duke i thënë se, përkundrazi, ajo kishte bërë shumë mirë. Kaq ka mjaftuar që ato të dyja, si Mimoza, si Adelajda, t‘i hidhen e t‘i thonë se ishte vërtet gabim. "Femrat janë debile!", - ka thënë Bjordi dhe ka dalë nga dhoma. Më pas, Mimoza e ka vazhduar bisedën me Adelën, duke i thënë asaj se Aida kishte mbetur shumë e zhgënjyer prej saj (Adelajdes) dhe se ajo ishte përpjekur t‘ia shpjegonte asaj arsyet që mund të kishte pasur Adela që kishte vepruar kështu, për ta justifikuar atë. Më pas, aty ka ardhur edhe Lirita që i ka thënë të njëjtën gjë. Adelajda është mbrojtur me faktin se nuk ka pasur kë të nominonte, sepse me të gjithë shkonte mirë. Ajo tha se e kishte nominuar Aidën, pasi kjo kishte qenë e vetmja me të cilën kishte pasur mosmarrëveshje, ndërsa me të gjithë të tjerët, nuk ishte zënë asnjëherë.

"Çmimin do t‘ia jepnim Bikës!"

"E dini se kush dua që ta fitojë ‘Big Brother‘?", - u ka thënë Qetsori, Dritanit dhe Arjonit, Bika!". Edhe Arjoni është bashkuar me të, edhe Dritani po ashtu. Sipas të treve, ajo që e meritonte më shumë fitoren ishte Republika. Qetsori ka thënë se po të dilte nevoja, ai dilte vet, vetëm që ta merrte Bika. Sipas Dritanit, Republika ishte vajzë shumë e mirë, e gjindshme e pa lajka të tepërta. Veç kësaj, sipas tyre ajo gëzonte edhe mbështetjen e fshatit të saj, që banorët i cilësuan si njerëz që bëjnë shumë për njëri-tjetrin. Dritani tha se sikur të ishte në nominim me Bikën, do ta kishte humbjen të garantuar. "Do të kisha frikë, seriozisht, - ka thënë Dritani, - të dilja në nominim me Bikën". Arjoni ka shtuar se sikur ta pyesnin nesër se kujt do t‘ia jepte çmimin, ai njëqind për qind do t‘ia kishte dhënë asaj.

"Nuk e nominuam dot Adin!"

Duke diskutuar me njëri-tjetrin për banorët e tjerë, "parazitë", siç janë shprehur ata dhe duke qenë të të njëjtit mendim se Aida nuk donte ta shpëtonte Adin. Qetsori dhe Arjoni, kanë thënë se u dështoi përpjekja për ta çuar atë në nominim. "Unë nuk do t‘ia kisha dhënë!", - ka thënë Qetsori, dhe Arjoni ka pohuar se edhe ai do të kishte bërë të njëjtën gjë. Ai ka shtuar se Aida, pavarësisht se hiqet si e fortë, nuk është. Megjithatë, sipas tij, edhe sikur ta fitonte Adi "Big Brother", atij do t‘i bëhej qejfi, sepse në fund të fundit, kishte ditur të bënte lojën e vet, pa i thënë "shpirti e zemra" askujt. Inat do t‘i vinte, ama, po ta merrte Lirita apo ndonjë tjetër si ajo.

Strategjia e Qetsorit

"Adin nuk e luftojmë dot! - i ka thënë Qetsori Arjonit, Adi është i fortë!". Sipas Arjonit, e vetmja mundësi për ta bërë këtë, ishte të arrinin ta vinin Adin, përballë një super të forti të grupit të tij. Qetsori ka thënë se për t‘ia arritur kësaj, duhet të arrinin të shkriheshin me grupin e tyre. Ai e ka lënë Arjonin të zgjidhte se kush duhej ta bënte këtë, ai apo Qetsori. Arjoni ka thënë se mund ta bënin të dy. "Atëherë, - ka thënë Qetsori, unë po kap Adin, ti kap Mimozën!". Ai i cilësoi Arjonit se nuk duhet të lidhej më shumë me Mesidën, sepse ajo ishte në nominim, madje, sipas tij, nëse do të bëheshin grup ai, Arjoni, Mesida dhe Qetsori, do të ishte një lidhje mes të humburve.

Ai ka shtuar se e rëndësishme ishte që këtë javë të mos dilnin as ata të dy, as Aida, por të dilte Mesida. Sipas Qetsorit, lëvizja më e mirë që ata mund të bënin ishte që nesër të ziheshin me njëri-tjetrin, të krijonin një situatë "dueli", në mënyrë që grupet e krijuara, duke i dhënë të drejtë njërit apo tjetrit, t‘i thithnin pas vetes. "Më mirë të krijojmë dy skuadra të forta edhe pse mund të dalim si kundërshtarë, sesa të jemi një skuadër e fortë dhe një e dobët. Sepse ne, jemi tek e dobëta!", - ka përfunduar Qetsori.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›