E Shtunë, 31 Tetor 2026

G20: Asnjë zgjidhje "magjike" për krizën

Liderët e grupimit G20 nuk do të jenë në gjendje të gjejnë një zgjidhje për krizën globale në takimin e 2 prillit, pavarësisht shpresave të Kryeministrit britanik, Gordon Braun, lidhur me këtë samit, i cili do të mbahet përsëri në Londër. Anxhela Gurria, kryetarja e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, e sheh kështu: "Nuk ka vend për shprehjen ‘Susam hapu‘. Nuk po flasim për nxjerrjen e lepujve nga kapelja".

Ministrat e grupimit G20 u përpoqën gjatë takimit të fundjavës, i mbajtur në një hotel luksoz në të dalë të Londrës, të gjenin gjuhën e përbashkët për rritjen e sasisë së fondeve në dispozicion të atyre ekonomive në zhvillim që sot gjenden më shumë në vështirësi. Sipas ekonomistëve, ajo që është më e rëndësishme në këtë çast ka të bëjë me bashkimin dhe bashkërendimin e përpjekjeve nga ana e të gjithëve për të ringjallur ekonominë globale. Po kaq rëndësi kanë edhe planet e Uashingtonit për zhdukjen e fondeve toksike, shkaktarët e krizës së sotme. "Varemi tërësisht nga shpresa që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më në fund do të gjejnë shkopin magjik për të rivendosur transparencën dhe besimin në sektorin financiar dhe se kjo do ndodhë shpesh", thotë Marko Anunciata, ekonomist i lartë i "UniCredit".

Në thelb, tregjet financiare ku nisi kriza, kanë kërkuar rrugë të thjeshta e të lehta për të riparuar dëmet. Qeveritë kanë vënë në dispozicion miliarda dollarë për rikapitalizimin e bankave dhe fonde garancie për borxhet. Bankat qendrore kanë ulur drastikisht normat e interesave dhe kanë pompuar sasi të konsiderueshme fondesh afatshkurtra në tregjet e parasë për t‘i mbajtur të gjalla, ndërkohë që bankat tregtare e kanë reduktuar ndjeshëm aktivitetin.

Qeveritë kanë ndërmarrë programe masive shpenzimesh me fonde publike, për të zbutur dhimbjet e asaj që Fondi Monetar Ndërkombëtar e quan Recesioni i Madh, mpakja më e madhe e GDP-së që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Të gjitha këto masa, në njëfarë mënyre, ia kanë dalë ta mbajnë barkën mbi ujë, ndërkohë që liderët e ekonomive më të mëdha botërore përballen me problemin më të rëndë nga të tërë: riparimin e një sistemi, i cili dështoi shumë, shumë rëndë.

Është e thjeshtë të thuhet se problemet globale kanë nevojë për zgjidhje globale në një çast kur bankat, tregjet financiare dhe bizneset shpesh operojnë në nivele botërore. Por qeveritë operojnë brenda kufijsh kombëtarë - nga ku lindin edhe përpjekjet për të bashkëpunuar përmes grupimit G20, ku përfaqësohen ekonomitë e vendeve të pasura dhe ato në zhvillim që përmbledhin rreth 85 për qind të GDP-së botërore. "Një zhvillim pozitiv që mund të përmendet me këtë samit është që liderët politikë të shteteve, për motive ekonomike, apo çfarëdo qofshin, po flasin me njëri-tjetrin", u shpreh Tomas Ajer, specialist për çështjet globale në "Deutsche Bank".

Edhe pse mund të duket një zhvillim i parëndësishëm në një çast kur miliona njerëz po humbasin vendet e punës, dialogu po sjell ndryshime rrënjësore. Zvicra dhe shumë vende të tjera kanë reaguar për shkak të presionit ndërkombëtar gjithnjë e në rritje, duke thënë se do të zbusin rregullat e ruajtjes së sekretit bankar në disa raste ku dyshohet për mashtrime me taksat. "Ky është një hap gjigant", tha shefja e OECD-së, Gurria.

E rëndësishmja e procesit të G20-ës, i cili mund të konsiderohet lehtësisht një samit ku vetëm flitet e nuk veprohet, është se jemi përpara një procesi dhe jo një ngjarjeje. Takimet shtojnë presionet për ndryshime dhe qeveritë detyrojnë njëra-tjetrën t‘i shtrohen punës, duke qenë të detyruara të ndjekin politika që nuk do t‘u rëndojnë në shpinë të tjerëve. Në rast të kundërt, te pragu ndodhet një tjetër Depresion i Madh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›