Adelina Tahiri: Nuk kam qenë e lidhur me Lorikun
Ka bërë ndoshta deklaratën më të çuditshme se ndonjëherë… Pikërisht duke mohuar marrëdhënien e saj të dashurisë… Kjo pasi strategjia e re që ka bërë Adelina Tahiri, këngëtarja bukuroshe nga Maqedonia, fokusohet vetëm te karriera. Dhe me historinë e Lorik Canës nëpër këmbë sigurisht që nuk kishte gjë në vijë. Kështu është rikthyer në muzikë me një këngë të re, “Ti mos u kthe”, me të cilën konkurroi javës së kaluar për herë të parë në Festivalin “Kënga Magjike”. Ndërkaq një klip tjetër do të lançohet së shpejti, ashtu si edhe albumi i dytë i biondinës me sy të kaltër që po komentohet jo pak së fundi. Në këtë bisedë tonë me Adelinën në Tiranë, ajo tregon ndërkaq pikat e forta dhe të dobëta të saj…
Adelina, cila është ndjesia juaj kur vini në Tiranë?
Ndjenja është shumë e mirë. E vetmja gjë që më bën të ndihem edhe më mirë është fakti se këtu të gjithë flasin shqip. Në përgjithësi Maqedonia ka shqiptarë, por ama nuk janë të gjithë shqiptarë. Kështu që kjo ndjesi më gëzon së pari, sa herë që jam këtu, pasi nuk më duhet të ndërroj gjuhë, por komunikoj dhe flas me të gjithë gjuhën shqipe. E kjo është ajo çka na lidh më së tepërmi, apo jo?!
Në Tiranë u shfaqët në “Kënga Magjike” me një baladë. Ka ndonjë dedikim të veçantë?
Është një këngë pak më ndryshe nga repertori im i deritanishëm, në fakt. Është një baladë, që e ka realizuar kompozitori im Giti. Është një këngë që kam kohë që e kam punuar dhe besoj se do t’i pëlqejë publikut. Mua vetë më pëlqen shumë dhe e ndiej këtë këngë dhe madje do t’i bëj edhe një klip.
Duke qenë se kishit kohë që e kishit përgatitur, destinacioni i saj fillestar ka qenë lançimi me klip apo enkas për këtë festival?
Jo. Që kur e kam realizuar këngën kam menduar që të marr pjesë në këtë festival, por ama doja t’i jepja jetë kësaj kënge edhe përmes klipit. Ngaqë më pëlqen shumë kënga, dua që ajo përveç prezantimit në këtë festival të ketë edhe një klip dhe e kam menduar edhe fabulën që do të ketë klipi. Besoj se do të jetë shumë ndryshe nga gjithçka që kam realizuar deri më tani.
Këtë verë keni qenë më shumë se kurrë prezente në Shqipëri. Me ç’përshtypje vini?
Po, është mëse e vërtetë, në fakt, dhe të them të vërtetën jam befasuar se nuk e kisha menduar që në Shqipëri më donin kaq shumë. Kam pasur net koncertore të bukura në bregdet dhe kam kaluar shumë mirë.
Adelina, lidhja juaj me Lorik Canën është përfolur më shumë kur ju jeni ndarë prej tij dhe jo gjatë kohës që ishit bashkë…
Unë e respektoj privacinë e çdo kujt dhe unë për veten time jetën time private jam munduar gjithmonë ta mbroj e të mos flas për të. Mendoj që kjo temë u diskutua më shumë sesa duhet në media dhe kështu që mendoj se është një ngjarje që duhet hedhur pas krahëve dhe ajo që dua është të përqendrohem te karriera ime artistike.
Jeni zhgënjyer nga mënyra sesi është komentuar ky lajm?
Kishte komente pozitive, kishte edhe negative, në të vërtetë, ashtu siç kishte edhe shumë të tjera që nuk ishin aspak të vërteta dhe unë nuk dua të diskutoj asnjë gjë prej tyre. Unë dua të flas dhe kam çfarë të flas për karrierën time, për punën time, për muzikën… Aq më tepër që unë nuk kam qenë me Lorikun ndonjëherë e lidhur…!
Aktualisht është dikush në zemrën tuaj?
Do të më pëlqente të kisha një lidhje. Di të dua, por ende nuk kam dikë konkret në jetën time.
Përpos “Këngës Magjike”, planet tuaja muzikore si janë?
Tashmë do të jem gjithmonë e më shumë prezente në muzikë, do të vazhdoj të punoj. Pas “Këngës Magjike” po merrem me realizimin e albumit tim të dytë, kam në përfundim disa këngë, kam një këngë në bashkëpunim me kompozitorin Giti, klipin e së cilës do ta realizoj këto ditë në Dubrovnik dhe së shpejti do të publikohet edhe ai videoklip, që është një këngë shumë e mirë.
Duket mjaft impenjative kjo kohë për ju?
Mendoj se është koha e duhur që unë t’i përkushtohem edhe më shumë muzikës. Deri vitin që kaloi kam qenë më së shumti e angazhuar me shkollë dhe tani që përfundova mendoj se do të jem edhe më e angazhuar me muzikë. Tani jam me studime, por jo aq e impenjuar sa më parë. Kështu që muzika do të jetë më së shumti në plan të parë për mua këto kohë. Kjo nuk do të thotë se shkollën nuk e kam prioritet, por mendoj që tani është koha ime. Jam 19 vjeç, jam ende e re, por prapë së prapë çasti duhet kapur.
Albumi me çfarë fryme karakterizohet?
Janë disa këngë që m’i ka bërë kompozitori im Giti, kam bashkëpunuar edhe me të tjerë që do t’i tregoj kur të vijë koha.
Adelina, a ia vlen të shpenzosh për një album, kur prezantimin më të mirë para audiencës e bëjnë klipet?
Sigurisht që nuk është më ai trend si më përpara, por unë përsëri mendoj se varet nga albumi. Është mirë që të kesh një album në treg, sepse është e nevojshme që të kesh. Gjithë bota bën albume dhe ia sheh hajrin (qesh).
Mes një klipi dhe një festivali, kë prezantim do të preferonit?
Festivali që unë çmoj më së shumti është “kënga Magjike”, ka dhe të tjerë, por unë mendoj se më i miri është ky. Dhe në këtë rast klipi është diçka tjetër. Videoklipi, për mendimin tim, ka kohën e vet kur duhet të dalë, por festivali ka vlerën e vet, kështu që janë të nevojshme për jetën artistike të një këngëtari të dyja.
Ju vetë Adelina si vajzë e re dhe artiste e re, kë keni model në muzikë?
Nëse do të më kishit pyetur për karrieriste, për këngëtare që i vlerësoj karrierën do të veçoja Christina Aguilera, pasi ka një karrierë pa skandale, ka një jetë personale të qetë dhe më pëlqen si funksionon ajo. Edhe pse tani nga muzika ka pushuar disi, për t’iu përkushtuar më shumë jetës private, por përsëri mua më pëlqen ajo. Ndërkohë edhe Beyonce, karriera e saj dhe rruga që ka bërë, këngët më pëlqejnë. Nga këngëtarët shqiptarë nuk do të doja të përmendja emra për shumë arsye. Unë gjithmonë kam pasur si idhuj këngëtarët e mëdhenj botërorë dhe ata kam përcjellë më së shumti. Por nga ana tjetër më vjen mirë që ne shqiptarët kemi shumë artistë të mirë, me të cilët krenohemi. Dhe kjo më bën të ndihem shumë mirë, pasi ne shqiptarët, përveçse jemi të bukur, por dimë edhe të këndojmë e prezantojmë diçka bukur.
Adelinë, në fushën e muzikës ka mjaft këngëtare me emrin tuaj. Ju bezdis kjo gjë?
Jo, aspak. Madje më vjen mirë që edhe pse jemi disa me të njëjtin emër, më vjen shumë mirë që dallohemi nga karakteri, nga pamja fizike dhe nga puna ndryshe që bën secila nga ne. Jemi 3-4 Adelina, por më vjen mirë që ne dallohemi.
Cila është karakteristika jote?
Mendoj se është më së shumti sinqeriteti që më dallon nga shumë.
A keni miq në fushën e muzikës?
Jam shumë korrekte në punë, respektoj punën dhe përkushtimin e kujtdo miku dhe kolegu tim, por raportet më të afërta i kam me Shpat Kasapin, po ashtu dhe të fejuarën e tij Afërditën. Me Shpatin jam rritur, se e kam vendas nga Shkupi, dhe kam marrëdhënie me të jo si koleg por si miq të mirë.
Adelinë, ku jeni më e famshme, në Shqipëri a në Maqedoni?
Në fillimit e mia ishte pak më ndryshe. E normal në vendin ku jeton të njohin më shumë. Por tani mendoj se sukseset e mia po arrijnë mbi shqiptarinë dhe po e kapërcejnë vendin tim, e janë të dukshme jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë.
A ka ndonjë pyetje që ju vë në siklet?
Pyetja që më vë më shumë në siklet është kur më pyesin ‘a e njoh vetveten?’ dhe më vjen keq që duhet t’ua shpjegoj sesi jam unë dhe sa e njoh veten unë.
Po si mund ta shpjegojë njeriu vetveten?
Po ja, në këtë mënyrë, duke bërë këtë intervistë së bashku (qesh). Por sigurisht edhe përmes muzikës. Ndonjëherë nuk është se jam unë që e shkruaj tekstin dhe muzikën e këngës sime, por përsëri në një farë mënyre veshja, stili, prezantimi dhe të gjitha detajet e tjera mendoj se përçojnë karakterin tim dhe tregojnë se kush jam unë.