E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elis Guri: Punoja badigard për t’u stërvitur. Mos më krahasoni me Pirro Dhimën

SHKRUAN: Jeton Selimi 24-09-2011 16:06

Elis Guri, kampioni i botës në mundje për flamurin e Bullgarisë po shijon momentet e suksesit të tij, atë sukses të cilin Shqipëria nuk do të kishte mundur kurrë që t’ia siguronte. Në botërorin e zhvilluar së fundmi në Stamboll të Turqisë, Elisi, që konkurronte në stilin e mundjes greko-romake në peshën 96 kilogranë, “hoqi qafë” dy nga pretendentët kryesorë: rusin Totrov në gjysmëfinale dhe suedezin Lidberg në finale. Por për kampionin e ri të botës, ky është vetëm fillimi i një suksesi dhe ai ëndërron që të jetë në gjendje për të përsëritur veten edhe në Olimpiadë, ndonëse është i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë aspak e lehtë. Por, kur kujton se në Shqipëri punonte natën si badigard që të mbulonte stërvitjes që bënte gjatë ditës, nuk ndjen pendesë për asgjë, ndonëse nuk e pranon, edhe me të drejtë, se nuk mund të hiqen paralelizma mes tij dhe Pirro Dhimës. Që prej 15 tetorit të vitit të shkuar, Elis Guri përfaqëson Bullgarinë duke fituar dy medalje: një bronz në Europianin e Dortmundit, dhe arin në Botërorin e Stambollit. Megjithatë, ai e lë një shteg të lirë për t’u rikthyer. Vetëm se kësa radhe, duhet t’ia dëgjojnë zërin dhe jo ta lënë në harresë.

Largimi juaj për në Bullgari është komentuar si nevojë për të garuar në peshën tuaj trupore. Përveç kësaj, ka ndonjë arsye tjetër që ju shtyu të merrnit këtë vendim?

Janë faktorë të shumtë ata që më detyruan që të largohesha nga Shqipëria, nuk ishte vetëm një. Nëse do të ishte vetëm një problem i vetëm, kjo gjë mund të rregullohej, pasi mund ta mbyllja njërin sy dhe të sakrifikoja që të rrija në Shqipëri. Parësorja ishin kushtet stërvitore që më detyruan të largohem, pasi unë nuk kisha partnerë në stërvitje dhe nëse do të shikosh sesa vlen, duhet të ndeshesh me kundërshtarë të fortë, jo me rivalë që i mposht për dy minuta. Në Bullgari më krijuan kushtet që i kisha ëndërruar.

Gjithçka ndodhi shumë shpejt. U larguat nga Shqipëria drejt Bullgarisë dhe në disa muaj fituat medaljen e arit.

Do ta përcaktoja ndryshe. Unë kam dy vjet që jam detyruar të largohem nga Shqipëria. Nëse më lart përmenda kushtet e stërvitjes, këtu po rendis edhe ata faktorë të tjerë që më shtynë të marr këtë vendim. Pas ngjarjeve në zgjedhjet për presidentin e KOKSH në vitin 2009, mua më përjashtuan për një vit e gjysmë nga çfarë do lloj aktiviteti, a thua se isha kriminel. Nuk bëra asnjë faj përveçse dola dhe thashë të vërtetën për atë që mendoja. Ata më morën më sy të keq dhe më thanë “nuk je djalë” i mirë dhe i bënë kështu nder Bullgarisë. Mbase për mirë, mbase për keq, por unë nuk kisha asnjë rrugëzgjidhje tjetër.

E prisnit medaljen e artë në botërorin e mundjes?

Deri në momentin që medalja të varet në qafë, ti nuk e beson se po të ndodh kjo gjë. Pasi fitova në finale, për shumë çaste nuk arrija ta besoja atë që po më ndodhte. A isha apo nuk isha unë kampioni i botës. Kam marrë maksimumin e vetes sime në të gjitha stërvitjet dhe në të gjitha aktivitetet. Asnjëherë në sport nuk i dihet se çfarë do të ndodhë.

Pas kësaj medaljeje ari, rreth jush është rritur shumë interesi sidomos nëse kemi parasysh se në më pak se një vit vijnë Lojërat Olimpike Londër 2012. Është ende herët për të caktuar objektiva, por çfarë mendoni se mund të arrini?

Në Londër është një histori e re. Do nisë gjithçka nga e para pasi një ndeshje nuk zhvillohet kurrë një herë të dytë ashtu siç ndodhi herën e parë. Në botëror fitova, atje mbase do të humbas. Ka të bëjë shumë edhe stresi.

Nëse u referohemi kundërshtarëve, në Olimpiadë do të jenë thuajse të njëjtët elementë që ishin në këtë botëror të Turqisë. Nga të gjithë kundërshtarët që patët përballë, cili ishte dueli më i fortë?

Të gjitha ishin të forta, por gjysmëfinalja kundër rusit Totrov ishte ndeshja më e vështirë për mua. Ai më befasoi sepse për 13 sekonda më mori 5 pikë dhe ndeshja nisi 5-0 për atë. Në fillim mendova se çfarë po më ndodhte, por e mblodha veten shpejt. Në fund të fundit nuk kisha se çfarë të humbisja dhe në setin e dytë dhe të tretë e ngushtova rezultatin derisa arrita të dilja përpara me 6 pikë.

Pas medaljes suaj të artë, sportistë të tjerë kanë deklaruar se nëse nuk trajtohen nga shteti ashtu siç e meritojnë, do të mendojnë garimin për një flamur tjetër. Sipas jush, shteti shqiptar duhet t’ia lejojë vetes të humbasë këta kampionë?

Unë si Elis nuk dua që sportistët shqiptarë të marrin shembullin tim. Përkundrazi u kam dhënë një mesazh tjetër sportistëve shqiptarë. Ne jemi kampionë, jemi talentë, kemi zemër për sportin. Nuk dëshiroj që asnjë sportist shqiptar të ikë jashtë shtetit, por normalisht çdo kush sheh interesant e tij. Me bukë e djathë nuk mund të fitosh kundër sportistëve të kalibrit botëror. E kam deklaruar se shteti shqiptar, pjesa e tij që merret me sportin, është nën nivelin zero. Si në aspektin e komunikimit ashtu edhe në atë të korrupsionit. Asgjë nuk funksionon sipas teorisë së duhur.

Pas medaljes suaj të artë për Bullgarinë, ka pasur paralelizma me Pirro Dhimën. Si do ta komentonit këtë?

Sportëdashësit, ata që kanë të drejtë të gjykojnë, duhet të kuptojnë diçka. Unë jam sportist dhe unë kam ikur nga Shqipëria për të bërë sport, jo për të bërë politikë. Unë nuk kam lidhje me asgjë tjetër përveç sportit. Kam dy pasaporta, atë shqiptare dhe bullgare. Në qoftëse ndonjë ditë do të më vijë ndonjë ofertë nga Shqipëria me kushtet që do të caktoj edhe unë, atëherë do të kthehesha të garoja për Shqipërinë. Jam në një farë mënyre si “elektron i lirë”. Do të zgjedh të garoj aty ku më jepet mundësia për të arritur ëndrrën time.

Më lart thatë se kushtet janë shumë të këqija. Këtu i referoheni edhe shpërblimit monetar?

Shpërblimi monetar është gjë tjetër. Përpara se të shkojmë aty, duhet ta nisim nga poshtë. Kushtet e stërvitjes janë mizerabël. Nuk ka as tapete për stërvitje, që është më elementarja. Nuk ke kundërshtarë cilësor. Asnjë nuk ka dëshirë që të merret me sport gjithë jetën dhe kur të vijë fundi të shohë se ka harxhuar gjithë jetën e tij për asgjë sepse shpërblimet që ka marrë janë të papërfillshme. Kur flas për çështje ekonomike, e kam fjalën për bukën e gojës. Në historinë time si sportist në Shqipëri, ka qenë një periudhë kohore kur nuk kisha asnjë lloj shpërblimi. Më është dashur një periudhë që të punoja natën për t’u stërvitur ditën.

Çfarë pune bënit?

Badigard! Punoja natën badigard nëpër disko. Për një sportist kjo është e patolerueshme. Nëse nuk ka regjim, nuk do të ketë as arritje. Por mesa shoh unë, pjesës shtetërore të sportit u intereson që të mos ketë rezultate të larta për të mos paguar shumë para. Ata nuk kanë se kujt t’i japin llogari sepse nuk kanë kërkesë, ndaj merren me veten e tyre dhe i rregullojnë gjërat sipas qejfit.

Shqipëria e mundjes a ka potencial që të arrijë rezultate pozitive?

Në karakterin e shqiptarit janë katër sporte ku mund të arrijmë rezultate të larta. Është mundja, boksi, peshëngritja dhe qitja. Këta janë sporte elitare dhe këtë nuk e them unë, por e thonë studimet e sportit që kam studiuar në Akademinë e Sporteve.

Jeni i kënaqur?

Jam i kënaqur për çdo gjë që kam bërë. Të gjitha lëvizjet i kam bërë të menduara. Kam dëgjuar zëra të thonë se mos jam pennduar, por unë nuk jam penduar pasi kam kërkuar vetëm që të stërvitem jashtë shtetit dhe ato pak herë që e kam bërë, e kam bërë me paratë që më kanë dhënë shokët. Nuk kam asnjë arsye për t’u penduar sepse kam ndjekur ëndrrën time.

ID

Emri: Elis

Atësia: Iljaz

Mbiemri: Guri

Datëlindja: 06.09.1983

Vendlindja: Shkodër

Medalje për Shqipërinë: Bronz, 2008

Medalje për Bullgarinë: Bronz 2011, Ar 2011

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›