Adem Jashari nuk do të bisedonte me Serbinë

Ish-themeluesi i UÇK-së dhe njëri nga prijësit e saj gjatë luftës, Rexhep Selimi, në intervistën e tij për emisionin “Press-ing”, të transmetuar të shtunën mbrëma në KTV, pjesën e dytë të të cilës e transmeton sot “Koha Ditore”, ndër të tjera thekson se komandanti legjendar, Adem Jashari, po të ishte gjallë nuk do të bisedonte me Serbinë për çështje që i takojnë Kosovës.
Po e bëj një pyetje provokuese. Mendoni se po të ishte Adem Jashari gjallë do të ishte në “Vetëvendosje” apo në PDK? – e pyeti Agroin Bajrami Selimin, dhe ai u përgjigj:
Selimi: Nuk do të doja të merresha... Seriozisht, nuk dua t’ia jap vetes të drejtën të flas në mënyrë hipotetike në këtë formë. Por, gjithsesi gjallë Adem Jashari nuk do të ishte as krah i këtij flamuri që ka imponuar PDK-ja, nuk do të ishte për bisedime me Serbinë, nuk do të ishte as duke kontestuar lirinë e vet, nuk do të ishte as duke biseduar me askënd për të drejtat e këtij vendi. Pra, po të ishte gjallë Adem Jashari nuk do ta kishte një flamur, nuk do të bisedonte me Serbinë, dhe këtë ai e ka dëshmuar se nuk do të bisedonte me Serbinë. E ka dëshmuar me luftën e vet, pra deri në sakrificë. Pra, për këtë besoj se pajtohemi. Se a do të ishte apo nuk do të ishte në “Vetëvendosje”, nuk më takon mua ta them, por gjithsesi se nuk do të ishte duke biseduar me Daçiqin në këtë moment. Nuk do të ishte duke biseduar me Serbinë as për veriun, as për jugun. /Indeksonline/