Dyfishohen rastet e mundësimit dhe marrjes me prostitucion

Rastet e trafikimit me njerëz, mundësimit dhe marrjes me prostitucion në Kosovë janë rritur gati dyfish. Të dhënat policore bëjnë të ditur se kohëve të fundit numri më i madh i viktimave të trafikuara janë shqiptare nga Kosova. Ndërsa ato që merren me prostitucion një gjë të tillë, sipas burimeve policore, e bëjnë për të përfituar nga 10 deri në 150 euro për një shërbim seksual.
Sipas Sabrie Kamberit, zëdhënëse në Policinë e Kosovës (PK), gjatë vitit që shkoi ishin 38 raste të marrjes me prostitucion që nënkupton një rritje më shumë se dyfishi krahasuar me vitin 2011, kur kishin qenë 17 raste, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndërkaq për mundësim prostitucioni në vitin 2012 kishte ngritje të rasteve për mbi 150 për qind krahasuar me vitin paraprak që nënkupton se nga 11 raste numri ka shkuar në 28 raste. Sipas të dhënave të Departamentit për hetime në PK, ngritje kishin pësuar edhe rastet e trafikimit me qenie njerëzore me qëllim shfrytëzimin seksual për mbi 20 për qind.
“Dukuria e trafikimit me njerëz është një dukuri e cila është mjaft e ndërlikuar për t’u hetuar, prej viteve 2001 e deri më tani kjo dukuri është prezent në Kosovë, por me shifër më të ulët të identifikimit të viktimave të trafikuara se sa që ishte dhjetë vjet më herët. Shfrytëzimi i këtyre viktimave të trafikuara është kryesisht për qëllime seksuale”, ka thënë Kamberi.
Ajo ka treguar se nga viti 2007 e këndej shumica e viktimave janë shqiptare të Kosovës dhe diçka më pak nga Serbia, Shqipëria e Moldavia.
“Grupmosha e viktimave të identifikuara për vitin 2012 ishin 9 viktima 14-17 vjeçe ( të mitura), 18 viktima te moshës 18-22 vjeçe, 8 viktima 23-35 vjeçe, 12 viktima 26-30 vjeçe, si dhe ka raste që janë edhe më të moshuara se 30 vjet, por në numër më të vogël”, ka shtuar Kamberi.
Kamberi ka potencuar se zakonisht viktimat bien “pre” e trafikimit duke u shtyrë nga kushtet e dobëta ekonomike, kujdesi për fëmijë ose anëtarë tjerë të familjes, dhuna në familje, premtimet për një jetë më të mirë etj.
“Kosova ka një mekanizëm shtetëror që funksionon me të gjitha institucionet dhe shoqërinë civile në luftë kundër trafikimit me njerëz, në kuadër të Zyrës së koordinatorit shtetëror kundër trafikimit me njerëz në Ministrinë e Brendshme, si dhe ekzistojnë strehimore të posaçme vetëm për strehimin e viktimave të trafikuara të cilat udhëhiqen shumica nga OJQ-të, por ka edhe të tilla që bashkërendojnë në fushën e mbrojtjes së viktimave të trafikimit së bashku me partnerët tjerë qeveritarë”, ka bërë të ditur Kamberi.
Kurse Arben Paçarizi, drejtor i Drejtorisë për trafikimin e qenieve njerëzore, ka shprehur shqetësimin se rastet e trafikimit raportohen shumë pak nga qytetarët.
Ai ka bërë të ditur se departamenti që ai drejton merret me rastet e trafikimit, marrjes me prostitucion, mundësimit të prostitucionit, skllavërinë, martesat e detyruara dhe nga të gjitha këto vepra, nga janari deri më 24 shkurt të këtij viti, janë evidentuar 12 raste.
”Nga këto 12 raste, pesë kanë të bëjnë me trafikim me qëllim prostitucioni, katër mundësim prostitucioni dhe të tjerat me marrje me prostitucion. Nga këto raste janë identifikuar 5 viktima. Të arrestuar gjatë muajit janar ishin 16 persona, ndërkaq në shkurt 13 persona”, ka thënë ai.
Naime Sherifi, drejtoreshë e strehimores ”Qendra për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve”, në të cilën strehohen ndër të tjera edhe viktima të trafikimit me nivel “të ulët rreziku”, ka bërë të ditur se gjatë vitit që shkoi në këtë strehimore kanë qenë të strehuara pesë viktima. /Indeksonline/