E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi shkeli rezolutën e Kuvendit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkelur “me të dyja këmbët” mbi Rezolutën e Kuvendit dhe Kushtetutën, duke bërë “pazare” me homologun e tij serb, Ivica Daçiq për çështjen e veriut.

Ndonëse, raundi i pestë i bisedimeve ka qenë përballja më e vështirë për Hashim Thaçin dhe Ivica Daçiqin, pasi që për dy ditë rresht shefat e dy qeverive janë “djersitur“ për të gjetur modalitete për çështjen e veriut, megjithatë në Kosovë konsiderohet se në këtë rast kryeministri kosovar ka tejkaluar kompetencat e Kuvendit, shkruan gazeta Zëri.

Sipas spektrit politik opozitar, Thaçi me këtë veprim ka treguar se nuk e pyet legjislativin, edhe në rastet më të ndjeshme dhe më të vështira për vendin. Pavarësisht se takimi i fundit në mes dy kryeministrave (Kosovës dhe Serbisë) për zhbërjen e strukturave paralele serbe në veri zyrtarisht ka rezultuar pa ndonjë marrëveshje, megjithatë tashmë vijnë sinjale nga Brukseli se çështja e veriut mund të përmbyllet në prill.

Mësohet se Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiqi kanë rënë në ujdi që Beogradi t’i largojë strukturat nga veriu i Kosovës, derisa në anën tjetër ka dalë një propozim nga kryeministri serb për krijimin e asociacionit të komunave në baza territoriale, që konsiderohet për Prishtinën zyrtare ide e papranueshme.

Megjithatë, kryeministri Hashim Thaçi pritet që gjatë kësaj jave të raportojë para Kuvendit të Kosovës për rrjedhën e takimit të tij të fundit me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, ku është diskutuar për shpërbërjen e strukturave paralele të Serbisë në pjesën veriore.

Edhe pse nuk priten detaje të mëdha nga raundi i pestë i bisedimeve, partitë politike opozitare kërcënojnë se veprimet jokushtetuese të Hashim Thaçit mund të çojnë deri të kërkesa për largimin e tij nga qeveria. Ata thonë se procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve po përshkruhet me mostransparencë, megjithatë paralajmërojnë kryeministrin Thaçi se çdo veprim i tij i kundërligjshëm do të jetë i papranueshëm. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›