Xhemajli akomodohet si zëvendës ambasador në Zvicër

Tre muaj pasi u grushtua nga zv/ministri i tij Nuredin Lushtaku, drejtori i Departamentit për Politika në Ministrinë e Diasporës, Mustafë Xhemajli, është larguar nga Kosova.
Jo për shkak të frikës nga ndonjë incident tjetër i mundshëm, por për shkak se Qeveria e Kosovës ia ka besuar një detyrë të re.
Xhemajli është emëruar zv/ambasador në ambasadën e Kosovës në Zvicër dhe javën e kaluar ka udhëtuar drejt Bernës.
Një zyrtar i lartë brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka treguar për “Tribunën” me kusht anonimiteti, se me “transferin” e Xhemajlit janë marrë disa persona të lartë brenda kabinetit qeveritar.
“Ju kujtohet se rasti i tij ka qenë i ndjeshëm sepse ai ishte rrahur nga zv/ministri Nuredin Lushtaku dhe zënka ndërmjet tyre është dashur të zgjidhet me burra, ngase rasti nuk ishte denoncuar në polici. Me rastin e tyre për t’i pajtuar janë marrë edhe zyrtarë të lartë të PDK-së dhe në fund kanë vendosur që më mirë është që Xhemajli të largohet nga Ministria e Diasporës dhe të emërohet ministër/këshilltar që i bie zv/ambasador në Ambasadën e Kosovës në Zvicër”, ka thënë burimi i gazetës.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk kanë dashur të flasin për emërimin e Xhemajlit.
Drejtori i Zyrës për Informim në këtë ministri, Artan Behrami, i kontaktuar për këtë çështje nëpërmjet telefonit, ka kërkuar që të përgjigjet me e-mail, por ai nuk është përgjigjur të dielën.
Edhe udhëheqësi i Ministrisë ku ka punuar deri tani Xhemajli, ministri Ibrahim Makolli, ka thënë se zyrtarisht ende nuk është njoftuar për shkuarjen e Xhemajlit.
Makolli javën e kaluar ka qenë jashtë vendit, për të hapur Qendrën Kulturore në ambasadën e Kosovës në Turqi.