Ademi: “Arritje e jashtëzakonshme për Shqipërinë”
“Për mendimin tim kjo është një arritje shumë e madhe, jo vetëm për Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, por dhe për mbarë sportin shqiptar”, - tha në linjë telefonike nga Liniano e Italisë për “Ora Sport”, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, në lidhje me fitimin e titullit kampin Europe në stilin e shkëputjes në peshën 58 kg. “Të marrësh në një Kampionat Europian medaljen e artë është një arritje e jashtëzakonshme. Është hera e parë që ne e arrijmë këtë në Kampionatin Europian të rriturve. Jam mjaft i kënaqur, që ky rezultat ishte një arritje e punës këmbëngulëse, jo vetëm të saj (Romelës), por dhe stafit drejtues dhe trajnerëve. Puna e saj u vlerësua me një rezultat të madh, duke thyer në vazhdimësi një sërë rekordesh kombëtare dhe tani me fitimin e medaljes së artë në stilin e shkëputjes”, - shtoi Ademi. “Për disa gramë më tepër ne mund të kishim marrë medaljen e dytë të artë, çka do të shënonte edhe arritjen më të madhe në peshëngritjen tonë, duke marrë se në vitet e fundit nuk kemi sjellë medalje të artë në Europian”. Peshëngritësi meshkuj do të garojnë të enjten. Por, cilat janë objektivat e tyre?. Ademi përgjigjet: “Rezultati i arritur nga Romela Begaj është optimist edhe për meshkujt, duke marrë parasysh se në garë marrin pjesë peshëngritës shqiptarë të njohur në arenën botërore e europiane, si Erkand Qerimaj e Gerti Trasha. Unë kam besim se do të arrijmë rezultate të mira, jo vetëm për ekipin shqiptar. Kjo është një arritje e madhe jo vetëm për Kampionatin Europian, por dhe për kualifikimin për në Olimpiadën e Pekinit, ku ne synojmë tre sportistë, ndërkohë qe kemi çuar të parin”, - përfundoi Ademi. Të dielën, me 27 vota nga 44 delegatë që votuan nga federatat e peshëngritjes europiane, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, është zgjedhur anëtar i Bordit Ekzekutiv të Federatës Europiane të Peshëngritjes. Përveç futbollit, është hera e parë që Shqipëria ka një përfaqësues në instancat drejtuese në rangun europian. Kongresi Zgjedhor u zhvillua në Venecia të Italisë, ku u votua si për presidentin e Federatës Europiane të Peshëngritjes, ashtu edhe për Sekretarin e Përgjithshëm e gjashtë anëtarët e Bordit Ekzekutiv. Në garë për 6 vendet e Bordit Ekzekutiv ishin 38 kandidatë, midis të cilëve i propozuar nga 18 federata europiane ishte edhe zoti Esat Ademi, njëherësh edhe president i Konfederatës Mesdhetare të Peshëngritjes, ku aderojnë 23 shtete përfshirë edhe Shqipërinë. Ademi morri 27 vota, duke qenë i katërti më i mirë i votuar. Presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes u zgjodh presidenti i Federatës Italiane të Peshëngritjes, Antonio Urso. Sekretar i përgjithshëm, Marino Erkolani Kasadei (San Marino), një mik i njohur i shtangës shqiptare.
16 Prill 2008