Will Smith, sot premiera në Kinema “Millenium II”
Gjysmë miliardë dollarë arkëtime në të gjitha kinematë e botës, një histori që rrëfen sesi njeriu mund frikën dhe ankthin e një katastrofe imagjinare. Një film postapokaliptik, i treti që frymëzohet nga romani me të njëjtin titull “I am Legend”.
Viti 2012, Robert Neville (Will Smith) duket se është qenia e vetme njerëzore që i ka shpëtuar një epidemie të frikshme të shkaktuar nga një virus gjenetikisht i modifikuar për të luftuar kancerin. Epidemia ka vrarë 90% të popullsisë botërore ndërsa 9% e qenieve njerëzore janë infektuar, por ka mbijetuar duke pësuar një degjenerim të ngjashëm me atë të provokuar nga zemërimi që i ka çuar drejt vampirizimit. Fshihen ditën dhe dalin natën. Më pak se 1% e popullatës rezultoi imune ndaj virusit, por është vrarë nga të mbijetuarit e infektuar. Përballë një katastrofe të tillë një virolog i shquar duhet të kërkojë shpëtimin. Kjo ngjarje fantastiko–shkencore nuk duhet të jetë shteruar përderisa vjen nga faqet e librit në botën e kinemasë për të tretën herë.
“I am legend” (Unë jam legjenda) është prodhimi më i ri, i drejtuar nga regjisori Francis Lawrence, i frymëzuar lirislit nga romani me të njëjtin titull i Richard Matheson, i konsideruar si një kryevepër e letërsisë së horrorit. Dy filmat e mëparshëm që u frymëzuan nga një libër i tillë janë “Njeriu i fundit në tokë”(1964), me regji të Ubaldo Ragona dhe “The Omega Man” (1975), me regji të Boris Sagal. Ky prodhim i vitit 2007 që vjen në kinema Millenium sot, duket se ka thithur të gjitha arkëtimet e mundshme në kinematë e botës, duke treguar se versioni i ri me protagonist Will Smith është mbresëlënës dhe i pëlqyer nga të gjithë. Ky film i dytë i Francis Lawrence shënon me siguri fuqinë e tij regjisoriale që të paktën në pjesën e parë përmban sekuenca me vlerë antologjike. Regjisori ka treguar një koherencë estetike befasuese në zgjedhjen e protagonistit Will Smith, duke e vënë atë në një kontekst vizualisht dëshpërues, por thuajse minimalist. Falë edhe një pune të madhe në sheshxhirim, në skenografi dhe në fotografinë e Andrew Lesnie, filmi shënohet si vepra më e arrirë apokaliptike e viteve të fundit. Kjo falë edhe aftësisë së aktorit Will Smith që arriti të mbante për bukuri peshën e të gjithë filmit. Ndonëse fillimisht, roli i virologut ishte menduar për aktorin Arnold Shwarzenegger, protagonisti i legjendës, Robert Neville, iu besua Will Smithit, i cili nënshkroi kontratën për këtë rol në prill të vitit 2006. Ai është shprehur se kishte pranuar pë të laujtur në “I Am Legend” sepse e ndjente që mund të ishte si protagonisti i "Gladiator” ose “Forrest Gump”, filma që janë të mrekullueshëm, me një audiencë të hatashme por edhe vlera artisitke të pamohueshme. Kjo më jepte përshtypjen se edhe unë e kisha një mundësi të tillë me këtë film” shprehet Smith. Aktorit iu duk personazhi një ndryshim mjaft i madh i karrierës që nga koha kur interpretonte Muhammad Aliun në filmin “Ali” (2001). Përveç kësaj ai ndihej mjaft mirë me Robert Neville. “Kur ndihesh rehat, është e vështirë të gjesh konflikte me veten” thotë Smith. Në premierat e filmit, Will Smith është shprehur për konceptin kryesor të “Legjendës” që sillet rreth 2 frikave kryesore të njerëzimit: Të qenit vetëm dhe në izolim të plotë dhe frika tjetër, që i përket pranisë së kërcënimeve të panjohura që fshihen në errësirën e natës”.
Tonet e errëta të filmit e kanë detyruar Smith që të kujdeset më shumë për gjendjen shpirtërore duke bërë vazhdimisht humor që të mos e lejonte personazhin e tij të ndërhynte në jetën private. Duke folur për rolin e tij, aktori ka deklaruar se nuk ndihet keq teksa interpreton personazhe të tilla, kaq të ndryshëm nga karakteri i tij i hapur dhe gjithnjë i gëzuar, madje ka rrëfyer në shtyp “sekretin” e vogël që i shërben për të përballuar role të errëta: “Besoj se hapësira ime natyrale emotive është plot me energji. Më pëlqen të bëj shaka, të luaj, të rri bashkë me njerëz të tjerë. Por kjo në fakt nuk është vetëm altruizëm, Ka edhe një dozë të mirë egoizmi në sjelljen time. Kam nevojë për ndjesi pozitive për të ecur përpara. Më është dashur të luftoj shumë për të mbajtur lart energjitë e mia jashtë xhirimit. Kur realizova filmin, ‘6 gradi di separazione’, disa vjet më parë, humba në anët më negative të ngjarjes që interpretoja dhe kjo ndikoi në jetën time private sepse ishte edhe ai film që i vuri vulën divorcit tim të parë”. Gjatë interpretimit të tij Smith është shprehur se është ndikuar nga performanca e Tom Hanks në filmin “Cast Away” (2000). Gjatë premierës së filmit në Nju Jork, Will Smith i kërkoi të falur të gjithë banorëve për shqetësimiet që u kanë shkaktuar gjatë xhirimeve: “Do të doja të kërkoja ndjesë publike të gjithë njujorkezëve. Gjatë xhirimeve të ‘I am legend’ na u desh që të mbyllnim disa rrugë dhe për këtë më vjen shumë keq. Disa njerëz janë mërzitur me mua për këtë arsye”. Në fakt, ishte e nevojshme kjo ndjesë sepse Nju Jorku ishte qyteti që iu desh të shndërrohej në një vend apokaliptik për të dhënë idenë e realizuesve të filmit. Në verisionin e parë të prodhimit të filmit ishte menduar që vendxhirimi të ishte në Los Anxhelos, por skenaristi Akiva Goldsman, (skenarist i filmit “Kodi i da Vinçit”) mendonte se Nju Jorku ishte më i përshtatshëm. Goldsman shpjegon ne shtyp për këtë vendim: “Los Anxhelos duket bosh në orën 3 të drekës, ndërsa Nju Jorku nuk duket kurrë bosh. Ishte më interesante për ne që të tregonim shkretinë e botës duke zbrazur dhe transformuar rrugë t e tij” Ndonëse Warner Bros preferonte studiot për të xhiruar iu desh t’i besonte regjisorit Francis Lawrence që kërkonte të xhironte në qytet për ti dhënë më shumë origjinalitet filmit. Filmi është kampion arkëtimesh duke ia dalë që të fitojë në nivelin ndërkombëtar plot 571.700.000 dollarë, duke u pozicionuar në vendin e shtatë të klasifikimit të filmave më të parë të vitit 2007 e duke lënë pas në këtë mënyrë edhe filmin “300” të Zack Snyder. Në SHBA filmi siguroi rreth 254.324.000 dollarë. “I Am Legend” në fundjavën e parë mblodhi 77,211,321 dollarë në 3,606 salla kinemaje. Ky ishte rekordi i muajit dhjetor, ndërkohë që deri më 8 prill 2008, filmi mblodhi 256,386,216 dollarë në Amerikën e Veriut dhe 583,886,216 dollarë në mbarë botën. Edhe kritika e ka pritur mjaft mirë filmin. Kritikët janë të gjithë të një mendjeje se perfomanca e Will Smith është “e hijshme dhe plot forcë”. Përveç këtyre vlerësimeve filmi arriti që të merrte edhe katër nominime në Visual Effects Society Awards dhe u nominua për perfomancën e trupës artistike në Screen Actors Guild Awards.
Skeda e filmit
Titulli: “I am legend”
Regjia: Francis Lawrence
Skenari: Akiva Goldsman, Mark Protosevich
Aktorë: Will Smith
Gjinia: Fantashkencë, triller, horror
Fotografia: Andrew Lesuie
Muzika: James Newton Howard
Kohëzgjatja: 101 min
Buxheti: 150 milionë dollarë
Të ardhurat: 583,743,491 dollarë
16 Prill 2008