E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana drejt Realit, Shuster kërkon luftëtarin



Para disa ditësh agjenti i Lorik Canës, Kristof Mongai deklaroi për sitin francez footmercato.net deklaroi: “Atij i kanë mbetur edhe tre vjet kontratë me Marsejën, por në futboll nuk dihet kurrë....Nuk është e shkruar se Lorik Cana duhet të respektojë kontratën që ai ka me Marsejën”. Gazeta prestigjoze franceze “L’Equipe” zbuloi interesimin e fortë të kolosit europian, Realit të Madridit për kapitenin e Marsejës, i cili sipas saj, është vëzhguar disa herë nga emisarët e klubit merengues.
SIMBOL I TIFOZËVE- Lorik Cana ka një kontratë me Marsejën, që skadon në vitin 2012. “Për momentin Olimpiku i Marsejës nuk është i gatshëm ta lëshojë kapitenin e tij”, shkruan faqja prestigjioze goal.com. Cana, 24 vjeç, është shndërruar në një simbol të vërtetë të tifozerisë marsejeze, me të cilët shqiptari ka ndërtuar një marrëdhënie shembullore dhe i përzgjedhuri i tyre. Fama e Lorikut është rritur në mënyrë progresive, sidomos pas ndeshjes së fituar kundër Olimpikut të Lionit (3-1), ku të dërguar të klubit spanjoll e takuan Lorikun pas përfundimit të sfidës.
ASNJË NGUTJE -“Objektivi i të gjithë lojtarëve është të luajnë në Ligën e Kampioneve dhe unë dëshiroj ta bëj këtë më Olimpikun e Marsejës”, - citohet Cana. “Nëse klubi bën atë që duhet deri në fund të sezonit, duke ndjekur politikën e stabilitetit dhe formimit të ekipit, nuk ka arsye që të largohesha. Unë nuk e kam të ngutshme të nisem”.
SIRENA PRESTIGJI- Në fakt, shumë pak lojtarë kanë fatin të jenë në listën e dëshirave të Realit të Madridit. Ky interesim, para së gjithash, është edhe një mirënjohje për atë që Cana ka dëshmuar sezon pas sezoni, por edhe lidhjen e fuqishme me klubin e zëmrës. “Por, a do t’i dëgjojë Lorik Cana këto sirena prestigji? Le të presim fundin e sezonit për ta ditur”, -përfundon goal.com.
BERND SHUSTER - Në fakt, kampionët në fuqi të Spanjës, kanë projektuar një merkato aktive. Në ikje e sipër janë Gago dhe Mahamadou Diarra, të cilët luajnë në të njëjtin pozicion si dhe Lorik Cana. Trajneri gjerman Bernd Shuster beson shumë te cilësitë prej luftëtari të shqiptarit të formuar te Paris Sën Zhermeni.

ROMA
Lorik Cana rregullisht ka qenë në fokusin e disa prej ekipeve më të mëdha në kontinent, përfshirë Bajernin e Munihut, Arsenalin, Evertonin e Çelsin. Jashtë vëmendjes së fortë nuk mungoi edhe Roma. Klubi i familjes Sensi, ku aktivizohet një nga lojtarët më të mirë në botë, Françesko Toti. Italianët e dëshirojnë mesfushorin e ashpër shkatërrues.

KOMENTET
Por tifozët të ndryshëm në komentet e faqes sportive kanë opinion të ndryshme. “Uau..., është një lajm interesant, por ai do të qëndrojë të Olimpiku i Marsejës, pasi ai do klubin e tij dhe është maksimalisht i vlerësuar në Velodrom. Cana është një figurë emblematike për Marsejën dhe ai do të qëndrojë. Të paktën kështu shpresoj unë”, shkruan tifozi i identifikuar si “Marseillais France”. I kundërt është mendimi i “turco liege”: Ai (Cana) nuk ka nivelin e kërkuar për një lojtar të Realit”.

DY DIEGOT
Në fakt, brenda ditës së djeshme, qarkulluan lajme të shumta në lidhje me interesimin e Realit të Madridit për lojtarë të tjerë. Spekulimet e mediave shkruajnë për një interesim të Realit për 20-vjeçarin Diego Kapel e Seviljes, i konsideruar si një Rajan Gigs i ri. Mesfushori i talentuar i Verder Bremenit, Diego, ishte i pranishëm në ndeshjet e tenisit të vlefshme për Kupën Devis midis Spanjës dhe Gjermanisë, dhe pikërisht në ndeshjen që luajti Rafael Nadal, më të cilin 23-vjeçari Diego u takua pas takimit. Nadal njihet si një tifoz i zjarrtë i Realit dhe gazeta “Marca” hodhi idenë se tenisti mund të ndërmjetësojë për veshjen me të bardha të ndërkombëtarit brazilian.

Di Stefano mposht Zidanin

Alfredo di Stefano është lojtari më i mirë në historinë e Realit përpara Zinedin Zidan. Përfundimi ka dalë nga një sondazh. Golashënuesi mitik spanjollo-argjentinas, i cili e përfundoi sezonin pesë herë si shënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll (1954, 1956, 1957, 1958, 1959), mblodhi 28 466 vota (në një total prej 1 006 965 votuesish),me 122 vota me shumë se Zinedin Zidan, që mblodhi nga ana e tij 28 344 vota. Lajmi jepet nga siti lequipe.fr. Raul, kapiteni aktual i Realit të Madridit, kompletoi podiumin. Mbrojtësi brazilian Roberto Karlos, i larguar te Fenerbahçe në qershor të vitit 2007, pasi shpenzoi 11 vite në Madrid, meritoi vendin e katërt. Një tjetër lojtar i efektivit të sotëm të Realit, portieri spanjoll, Iker Kasijas, përfundoi në vendin e gjashtë.

16 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›