Aderimi në Aleancë, femrat hyjnë në ushtri
Në vitin 2010, për herë të parë femrat do të jenë pjesë e ushtrisë shqiptare. Me anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut, vendit tonë i del si detyrë parësore të ketë një ushtri të gjerë e profesioniste. Qeveria ka përgatitur draftin ligjor dhe ka ndryshuar ligjin e shërbimit ushtarak për ta përafruar atë me sistemin që ndiqet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2010 do të hiqet shërbimi i detyrueshëm për bërjen e ushtrisë dhe ata persona që duan të bëhen pjesë e ushtrisë shqiptare do të përfitojnë nga shteti pagesë mujore, ushqime dhe veshje falas dhe sigurimin e një apartamenti banimi së bashku me familjen. E gjitha kjo do të ofrohet në këmbim të përfshirjes së tyre në strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Detyrimi i Shqipërisë për të qenë pjesë e NATO-s është edhe heqja e shërbimit ushtarak të detyrueshëm brenda vitit 2010, por një nga kushtet më interesante që Shqipëria duhet të plotësojë është hyrja e femrave në ushtri. Ka afro dy vjet që Qendra e Rekrutimit po punon për krijimin e ushtrisë profesioniste. Objektivi për 2010-ën është rekrutimi i 3600 ushtarëve. Deri më tani janë pjesë e saj 3100 të tillë. Në kuadër të anëtarësimit në NATO, ushtrisë shqiptare për vitin 2009 do t‘i duhet të përmbyllë procesin e shndërrimit në një trupë profesioniste, sikurse edhe vendet anëtare të aleancës. Prandaj, deri më 31 dhjetor të këtij viti merr fund procesi i rekrutimit të detyrueshëm për kryerjen e shërbimit ushtarak. Me fillimin e 2010-ës Shqipëria do të ketë vetëm një ushtri profesioniste, me pagesë dhe hierarki në bazë të funksioneve dhe gradave. Krijimi i këtij shërbimi elitar do të çojë në përmbushjen e detyrimeve bazë të përfshirjes në Aleancën e Atlantikut të veriut. Ëndrra dhe përpjekja shumëvjeçare e Shqipërisë për të qenë një dhe të vetëm në misione ndërkombëtare e paqeruajtëse në botë. Kështu, shndërrimi i ushtrisë në forca të armatosura do të krijojë një imazh të ri për sistemin e mbrojtjes së territorit tonë dhe gjithë vendeve pjesë në NATO.