E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat, Alia: Berisha është një dallkauk

Ish-presidenti Ramiz Alia deklaroi dje se shumë shpejt do t‘u kthejë përgjigje akuzave të hedhura publikisht nga Kryeministri në drejtim të tij. Ndërsa i është shmangur një prononcimi të gjatë, Ramiz Alia tha për gazetën "Shqip" se të gjitha do të marrin kundërpërgjigjen, edhe me fakte e dokumente madje, akuzat e këtij dallkauku siç e cilëson ai Berishën. Paraditen e së enjtes, Aliaj, së bashku me disa të afërt të tij, ka udhëtuar nga Tirana për në drejtim të Jugut të vendit. Ai u ndal për një kafe tek "Art Galeri Frashëri" në qytetin e Fierit, që drejtohet nga skulptori Haxhi Kalluci. Alia, shumë i prerë, teksa i cilëson si të rëndomta akuzat e Berishës, premton se brenda javës do të sqarohet gjithçka për publikun. "Nuk janë të vërteta ato që janë publikuar nga goja e Berishës, por fakte të tjera e thellojnë më shumë pozicionin politik e shoqëror të një njeriu të tillë siç është Berisha", deklaroi ish-presidenti i Shqipërisë. Duke iu referuar zhvillimeve politike në vend, Alia tha se ato premtojnë një integrim të vendit tonë. Kohët e fundit, Kryeministri Sali Berisha, në disa raste, ka akuzuar rëndë Ramiz Alinë për disa çështje që lidhen me të kaluarën dhe momentin e ndërrimit të sistemeve të qeverisjes. Në një intervistë për gazetën kosovare "Express", Berisha tha se "regjimi i Ramiz Alisë në atë kohë i kishte shkrirë të gjitha marrëdhëniet me Sllobodan Millosheviçin. Ka qenë një situatë e rëndë për Kosovën. Njësitë gjysmë terroriste në Shqipëri dëshironin ta vrisnin Ibrahim Rugovën në vitin 1991". Sipas kreut aktual të qeverisë, ekzistojnë dokumente për këtë. "Kanë dashur ta vrasin atë dhe mua në Vilë, në vitin 1991, me arsyetimin se po flisnim kundër Enver Hoxhës", argumentoi Berisha. Duke iu referuar të rinjve shqiptarë që mbërritën në Shqipëri, në vitin 1991, për t‘u ushtruar për luftë, Berisha nënvizoi se "ishte grupi i parë që erdhi për stërvitje në atë kohë dhe të gjithë ata përfunduan në burgje, kur u kthyen në Kosovë. Të gjithë u arrestuan për një natë. Dikush nga këtu ua dërgoi listat autoriteteve serbe. E përgatitën që të binin të gjithë në duart e policisë sekrete serbe. Mund të bëhet një kontroll i arkivit. Ranë të gjithë dhe u mërzita shumë". Për këtë, Berisha fajësoi publikisht ish-presidentin e parë pluralist, Ramiz Alia. "U stërvitën këtu dhe shkuan që të gjithë aty, ranë njëri pas tjetrit. I kanë torturuar në mënyrën më çnjerëzore. I di unë që të gjitha, sepse i ndiqja. Për këtë aspekt, ju them unë. Ky regjim në Tiranë, për 45 vjet, gjahun e parë kanë pasur kosovarët, të cilët ishin armiq, ishin titistë. Dhe burgjet, po të marrësh përqindjen e të burgosurve politikë në Shqipëri dhe përqindjen e kosovarëve në Shqipëri, ata ishin të parët. Udhëheqja politike e Tiranës ka pasur një shqiptaro-fobi ndaj shqiptarëve të Kosovës. Në demonstratat e ‘81-shit nuk patën ç‘t‘u bëjnë, sepse fillimisht ishin tërësisht kundër tyre", deklaroi Berisha. Një tjetër akuzë e kreut aktual të qeverisë, ishte fakti se "Ramiz Alia është njeriu që arrestoi Nexhmije Hoxhën". E arrestoi Ramizi, vijoi ai, sepse shembja e Çausheskut u futi frikën deri në palcë dhe mendonte se, duke arrestuar Nexhmijen vetë, do të lehtësohej.

Alia

Jetëshkrimi i ish-presidentit

Ramiz Alia lindi më 1925 në Shkodër. I diplomuar në shkollën e Partisë në Moskë (1954), Alia është një nga figurat më të rëndësishme të Partisë së Punës së Shqipërisë, e cila udhëhoqi Shqipërinë mes viteve 1994-1990. Gjatë kësaj periudhe, Alia ka kryer detyra të larta në drejtim të PPSH-së, rrjedhimisht edhe të shtetit shqiptar. Detyrat më të rëndësishme kanë qenë: sekretar i Parë i KQBRPSH (1949-1955), ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958), anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ PPSH-së për ideologjinë (1961-1985), deputet, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990), sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe kryetar i Këshillit Presidencial (1991).



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›