E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adieu Sarkozy?

80 për qind e francezëve dolën në zgjedhjet për president, duke shënuar një rekord e duke treguar se janë të interesuar për politikën dhe gjendjen e vendit të tyre. Por nuk i dhanë askujt shumicën. Kandidati i së majtës, Francois Hollande, doli më mirë se rivali i tij kryesor, presidenti në detyrë, Nicolas Sarkozy. Hollande mori 28.63 për qind të votave, kurse Sarkozy 27.08. Por një befasi e madhe ishte rezultati i popullistes së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, që fitoi 17.9 për qind të votave, duke u renditur e treta, madje duke pasur në dorë një mundësi: për t’i dhënë Sarkozysë epërsinë në rrethin e dytë.

Pas rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, anketat dëshmojnë se kandidati i socialistëve për president, Francois Hollande, do të mposhtë në rrethin e dytë, që zhvillohet më 6 maj, presidentin aktual konservatorë të Francës, Nicolas Sarkozynë.

Sipas anketave të bëra menjëherë pas përfundimit të rrethit të parë, Hollande në rrethin e dytë do të tubojë 54 për qind të votave, ndërsa Sarkozy 46 për qind.

Anketat, të cilat për televizionin francez dhe gazetën “Le Monde” i ka bërë Instituti për Hulumtimin e Opinionit Publik, IPSOS, dëshmoi se pjesa më e madhe e votuesve, të cilët në rrethin e parë kanë mbështetur kandidatët tashmë të eliminuar, në rrethin e dytë do të mbështesin Hollandenë.

Anketa e dytë, e cila është publikuar nga radio Europe1 dhe revista “Paris Mach”, e bërë nga instituti tjetër, IFOP, gjithashtu flet për një rezultat të ngjashëm. Sipas kësaj ankete, Hollande në rrethin e dytë do të tuboi 54.5 për qind, ndërsa Sarkozy 45.5 për qind të votave.

Siç theksuan agjencitë franceze të lajmeve, në rrethin e dytë zgjedhor me gjasë vendimtar do të jetë përcaktimi i mbështetësve të kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cila sipas rezultateve paraprake në rrethin e parë ka tubuar gati 20 për qind të votave, e që është rezultati më i mirë që ka shënuar ndonjëherë në zgjedhje partia e saj, Fronti Kombëtar.

Ajo ende nuk është shprehur se kë do ta mbështetë në rrethin e dytë, por sipas anketës së IFOP, 48 për qind e mbështetësve të saj do të votojnë për Sarkozynë, ndërsa 31 për qind për Hollandenë.

Përndryshe, është kjo hera e parë që një president pësoi humbje në rrethin e parë të zgjedhjeve, në të cilat ka kandiduar për një mandat të dytë. Padyshim se befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve është Le Pen, e cila ka shënuar një sukses historik për partinë e saj të ekstremit të djathtë.

Ky sukses nënvizon edhe faktin se partitë e ekstremit të djathtë po forcohen në Evropë, forcim ky i cili konsiderohet si rezultat i krizës ekonomike dhe i humbjes së besimit në institucionet evropiane. Rezultati i zgjedhjeve në Francë gjithashtu dëshmon edhe për dëshpërimin e votuesve, të cilët në zgjedhjet e kaluara presidenciale votuan për Sarkozynë.

Rrethi i parë i zgjedhjeve gjithashtu flet për atë se francezët dëshirojnë ndryshim të politikës, ndërsa fushata parazgjedhore është karakterizuar nga “urrejtja” kundër të pasurve, respektivisht ndaj elitës financiare dhe ekonomike të Francës, të cilën francezët e konsiderojnë fajtoren kryesore për situatën, në të cilën gjendet sot BE-ja.

Sarkozy është shndërruar në simbol të kësaj elite të urryer, ndërsa Hollande nga francezët konsiderohet si një njeri nga radhët e popullit, i cili është më i hapur dhe më i thjeshtë.

Para zgjedhjeve, Hollande pat deklaruar se armiku i tij kryesor është bota e financave dhe se pikat kryesore të programit të tij presidencial janë rritja e tatimit për të pasurit dhe ndryshimi i rolit të Bankës Qendrore të Evropës, si mënyrë për të nxitur shtimin ekonomik të vendit.

Kjo politikë është në kundërshtim të plotë, të cilën e ka udhëhequr çifti Sarkozy-Merkel.

Megjithatë, Sarkozy theksoi se e pret me vetëbesim rrethin e dytë zgjedhor, përkundër humbjes së pësuar në rrethin e parë.

“Mund të hyj në rrethin e dytë me vetëbesim dhe ftoi të gjithë qytetarët e Francës, për të cilin patriotizmi është më i rëndësishëm se partitë që të bashkohen dhe të rreshtohen pas meje”, tha Sarkozy, para ithtarëve të tij të tubuar në Paris.

Jatë fjalimit, Sarkozy qartazi synoi të joshë votuesit e djathtë të Le Penit. Ai tha se kupton brengat e qytetarëve, duke e cilësuar rrethin e parë si “votë të krizës”.

“Ka te bëjë me respektimin e kufijve tonë, luftën e vendosur kundër zhvendosjes së fabrikave, kontrollit të imigracionit, sigurinë”, tha Sarkozy.

Ai ftoi Hollandenë që të zhvillohen tri debate publike, para rrethit të dytë zgjedhor më 6 maj, me ç’rast njëri do të zhvillohej për ekonominë, tjetri për çështjet shoqërore dhe i treti për çështjet ndërkombëtare. Hollande e refuzoi këtë kërkesë, duke theksuar se mjafton një debat i vetëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›