Administrata, 11.5 milionë USD abuzime

Drejtori i Auditit të Brendshëm, Hysen Muçeku
Analiza e Drejtorisë së Auditit për vitin 2011. Shkeljet më të mëdha në paga, shpërblime dhe prokurime.
Drejtori Muçeku: U kryen 2753 misione auditimi në institucione.
Administrata vijon të ketë ngërç abuzimin me fondet publike që lidhen me sistemin e pagave, shpërblimeve apo prokurimeve për investime. Vetëm nga kontrollet e ushtruara gjatë vitit 2011 rezulton që dëmi i shkaktuar dhe i konstatuar nga Auditi i Brendshëm të jetë 11.5 milionë dollarë. Detajet u bënë të ditura dje nga kreu i njësisë qendrore të Auditit të Brendshëm, Hysen Muçeku, i cili e vuri theksin në çështjet që shihen si më problematike. Kështu, gjatë vitit 2011, sipas tij, janë zhvilluar 2753 misione auditivi nga 2528 të programuara. Auditimi i brendshëm ka evidentuar gjetje në sisteme e fusha të ndryshme. Në 3177 raste të shkeljeve me një vlerë 1.15 miliardë lekë, ku masën më të madhe e zënë mungesa dhe dëmtime, të cilat janë evidentuar në fushat e pagave dhe pagesave të tjera për punonjësit, prokurimet publike, programimit dhe zbatimit të buxhetit, kontabilitetit dhe raportimit financiar, u shpreh Muçeku. Lidhur me këto shkelje, nga ana e Auditit janë bërë edhe rekomandimet, të cilat për vitin 2011 kanë qenë rreth 5525 dhe që rezultojnë të kenë një realizim në masën 63 për qind, apo 3494 të zbatuara, ndërsa pjesa tjetër në proces. Në total, raporti vjetor i Auditit të Brendshëm përfshin të dhënat e grumbulluara nga 124 njësi të qeverisjes vendore dhe qendrore. Institucionet, përveçse monitorohen lidhur me shpenzimet dhe praktikat e kryera nga Auditi i Brendshëm, që është pjesë e institucionit, kontrollohen gjithashtu nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili gjithashtu në raportet vjetore, jo në pak raste ka denoncuar shkeljet që hasen në fushën e pagave dhe shpërblimeve. Kreu i Drejtorisë së Auditit, Hysen Muçeku, u shpreh dje se janë një sërë fushash që konsiderohen me risk të lartë, ku duhet të jetë e përqendruar dhe vëmendja, siç janë sistemi i pagave, shpërblimet, prokurimet. Por, nga ana tjetër, sipas tij, ka edhe dobësi në mënyrën se si operojnë auditet brenda institucioneve. Subjektet apo fushat me dobësi të theksuara në sistemin e kontrollit të brendshëm konstatohen në menaxhimin e burimeve njerëzore, subjektet me nivel të ulët të njohurive dhe përdorimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit, pasi ka ende subjekte që i përpunojnë informacionet e tyre në mënyrë manuale, ku risku i gabimeve në llogaritje apo të dhëna shfaqet mjaft i lartë, u shpreh Muçeku. Një tjetër problematikë që ka konstatuar Auditi i Brendshëm lidhet me papërgjegjshmërinë që kanë titullarët e institucioneve për të vlerësuar rolin e Auditit. Kjo strukturë ende nuk është përvijuar dhe nuk konceptohet për rëndësinë që ka, por shpesh shihet si pjesë e inspektimit financiar. Shkalla e ulët e përgjegjshmërisë së titullarëve në mbështetjen e funksionit të auditimit, kuptimit, rolit, përfitimeve dhe dobive, vijon të ketë ndikime në mënyrën e organizimit dhe realizimit të kësaj veprimtarie, tha Muçeku.
Pagat dhe shpërblimet sipas KLSH
Raporti vjetor i kontrollit të Lartë të shtetit për vitin 2011 evidenton një abuzim me rreth 36 milionë lekë në sistemin e pagave, ndërkohë që në fushën e shpërblimeve, abuzimi ka qenë edhe më i lartë, në masën 149 milionë lekë. Rekord në abuzim, sipas raportit të KLSH-së, shfaqet në pjesën e prokurimeve publike, ku sipas shifrave rezulton që abuzimi të jetë në nivelin 210 milionë lekë.
Përmirësimi i metodologjisë së kontrollit
Kusht për një kontroll sa më efikas nga ana e audituesve të brendshëm është përmirësimi i metodologjisë së përdorur. Nga ana e kreut të Drejtorisë së Auditit theksohet se është pikërisht ky drejtim ku do të punohet në mënyrë që Auditi të jetë sa më efektiv në punë. Nga ana tjetër, ligjeve dhe rregullave që sanksionojnë punën e këtij institucioni do tu bëhen edhe përmirësimet e nevojshme, gjithmonë duke e përafruar atë me BE-në.
NERTILA MAHO