E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia, ISSH: U falën 2 miliardë lekë

Në total përfituan 41 872 subjekte nga falja e gjobave.

Amnistia fiskale që përfundon këtë muaj ka sjellë përfitime për 41 872 subjekte, të cilave u është falur një shumë prej 2 miliardë lekësh, që lidhen me detyrime të papaguara dhe gjoba apo kamatëvonesa. Drejtoresha e Drejtorisë së Kontributeve pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Teuta Muço, shpjegon edhe ecurinë e procesit. Aktualisht kanë përfituar 417 subjekte të vetëpunësuara, me një shumë prej rreth 13 milionë lekë dhe 673 subjekte fizike dhe juridike, me një shumë prej 427,5 milionë lekësh kamatëvonesa. Efektet e përfitimit që ofron ligji janë shumë të mëdha edhe për periudhën që subjektet janë transferuar në organet tatimore, ku kanë përfituar 40 782 subjekte me një shumë prej 1.5 miliardë lekësh. Pra në total rezulton të kenë përfituar nga ligji i faljes 41 872 subjekte, me një shumë prej rreth 2 miliardë lekë, shprehet Muço. Lidhur me të vetëpunësuarit, ajo sqaron se atyre u falen të gjitha detyrimet e prapambetura për periudhën deri në vitin 2008, por se kjo periudhë quhet një periudhë boshe dhe jo si vjetërsi. Kurse për vitit 2009 dhe 2010, këta të vetëpunësuar përfitojnë faljen e detyrimeve, por me kushtin e vetëdeklarimit dhe pagesës së detyrimeve tatimore për gjithë vitin 2011. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nga ana tjetër, bën me dije se të gjithë ata që duan të paguajnë detyrimet për vitet që përfshin amnistia, duke zhveshur këtu gjobat dhe kamatëvonesat, mund ta bëjnë këtë dhe kjo do të quhet si vjetërsi pune. Kjo vlen edhe për të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët duke paguar detyrimet pa gjoba dhe kamatëvonesa, përfitojnë vjetërsinë që u garanton atyre pensionin. Për periudhën nga 1.10.1993 31.12.2011, që përbën një vjetërsi kontributive 18 vjet e 3 muaj, një fermer në zonat fushore duhet të paguajë 117 576 lekë, ndërsa në zonat malore 76 421 lekë, pra me kuota tepër minimale. Vlen të theksoj këtu dhe faktin që nga 1.10.1993 deri në 2002-shin, masat e pagesave të kontributeve për fermerët e zonave fushore kanë qenë 1620 lekë në vit dhe për fermerët e zonave malore 972 lekë në vit, sqaron drejtoresha e Kontributeve në ISSH, Teuta Muço.
Ligji për amnistinë fiskale do të vijojë të jetë në fuqi deri në fund të marsit. E parashikuar deri në fund të vitit 2011 për shkak të kërkesave për shtyrje, afati i saj u zgjat edhe me tre muaj të tjerë.

Amnistia
.     Kanë përfituar 41 872 subjekte
U falën 2 miliardë lekë

.    Përfituan 417 subjekte të vetëpunësuara
Iu falën 13 milionë lekë

.    Përfituan 673 subjekte fizike dhe juridike
Iu falën 427,5 milionë lekë kamatëvonesa

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›