E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata: Kërkohet një mik

Nga Edlira Gjoni

edlira gjoniNjeh ndonjë tek ministria e Arsimit? Aman, se kam frikë për vendin e punës; Kam dëgjuar se kunati i motrës së koleges tënde të zyrës ka një të njohur aty tek ministria e punës. Të lutem, a interesohesh një herë se çplan kanë? Do ma heqin vëllain nga puna?  Po tek e jashtmja, kë njeh? Edhe aty e kanë filluar reprezaljen… Në secilin mjedis publik që u gjenda dje, kjo ishte kryefjala e bisedës. A njeh ndonjë aty? 7 shkarkuan dje. 6 tek ministria tjetër. 12 më thanë për atë përballë. Po unë anën do tia gjej se sbën ministrit të ri. Ja aty do i ngulem. Nuk ka për të më lëvizur dot.

Mllef nga të gjitha anët. Shpresë nga anët e ngelura (Apo ska humbës?). Frika para, pragmatizmi akoma më përpara. Mua smë heqin dot, se jam me LSI-në….Po as mua smë heqin dot, se kalova me PS-në që përpara zgjedhjeve.

Dhe problemi shtrohet në disa nivele. Ata që ishin e që do ngelen me siguri në punë, LSI-stët, janë grupi i parë. Administratë nderesh e të shkolluarish pasi e filluan punën. Shumë afër tyre në klasifikim qëndrojnë PD-istët e niveleve të dyta e të treta, të futur në punë për shkak të shërbimeve partiake, kryer të mesmen e të lartën pasi janë futur në punë, në proces Masteri a diplomimi nga këto tipiket fantazmë që ndërtuan vetë. Pa pikë eksperience, as lidhje, as gjasa për të qenë të aftë as edhe një sekondë të vetme në administratë, këta përbëjnë grupin më agresiv në kërkim të miqve lëng pas lëngu, që të mos i lëvizin nga puna. Janë të gatshëm të bëhen edhe LSI-stë, edhe PS-istë, edhe VFLP-istë brenda sekondës, po e deshi puna. Për administratën, vijojnë të ngelen vrima e zezë e profesionalizmit. Gjasat i kanë shumë të larta që të mbijetojnë.

Në nivelin e tretë, ndeshim drejtuesit dhe drejtorët vs pritësve për tu bërë të tillë. Shumica e tyre duhet të emërohen me konkurs. Po sipas traditës  shqiptare, konkursi i radhës u bë në 23 Qershor. Një milionë shuplaka andej, 700 mijë këndej, ne prapë se prapë nga ata pothuajse të 140 drejtohemi, e po ata vendosin kush drejtor do vijë, e kush do iki. Konkurs në ndonjë rast edhe mund të bëhet, e intervistuesit  ndodh të jenë ish-studentë (edhe pse 50 vjecarë) të të intervistuarit, e në fund, ka edhe buzëqeshje përcjelljeje: Na vjen keq, po nuk i plotëson kriteret, të cilat së pari, nuk i plotësojnë vetë ata, panelistët. Por miqtë e tyre të rrethit të tretë të karrieristëve të administratës po, i plotësojnë kriteret që cke me të. Edhe nëse jo, i përfitojnë rrugës.

Një nivel më sipër është rangu i zëvendës-ministrave dhe drejtuesve të institucioneve të rëndësishme në varësi. Pazar i pastër politik: Kam 11 mijë vota, dua një ministri, katër zëvendës-ministra, 7 drejtori rajonale, 5 institucione në varësi, 12 shkolla të mesme, 15 nëntë-vjeçare, 10 kopshte dhe 11 çerdhe.

Në nivelin sipëror qëndrojnë ministrat. Partitë e tyre kanë fituar konkursin në 23 Qershor dhe kapitenët e skuadrave kanë bërë ekipin, edhe pse disa kanë luajtur vazhdimisht e të tjerë as në rezerva nuk kanë qenë. Por këta emërohen dhe janë sot subjekti i bisedave për mik.

E siç shkon niveli i ndërhyrjeve paralel me nivelin e pozicionimit në administratë, ashtu depërton edhe tek krerët e rinj në vend ndërhyrja për pjata edhe me mish, edhe me peshk.

Kurse nëpër kafene, oborre shkollash, mjedise spitalesh, autobuzë , rrethina bashkish e korridore institucionesh, cironkat e vogla gumëzhijnë: Hë, i gjete ndonjë mik ministrit? Nxito, se më duket këtë javë e kemi radhën ne.

Prej vitesh raporti i progresit i BE për Shqipërinë thekson në mënyrë të përsëritur Administrata është e dobët, ndërrohet shpesh dhe nuk  është e gatshme për të përmbushur detyrat që priten prej saj. Duhet qëndrueshmëri që nuk cënohet nga ndryshimet politike. Dhe vërtet, prej më shumë se 10 vitesh njoh specialistë shumë të aftë, të përkushtuar profesionalisht e të gatshëm të vijojnë punën e tyre pavarësisht drejtuesit të institucionit. Dhe janë shndërruar pothuajse në trurin e ministrive apo institucioneve ku punojnë. Por këta janë pak. Janë shumë pak krahasuar me ushtrinë e madhe të nëpunësve apo të kontraktuarve që instaloi në çdo nivel e në çdo skutë të vendit qeveria që sapo u largua. Pra vend për rifreskim ka patjetër, që nga ata që kanë fituar konkursin, deri tek ata që konkursin do e bëjnë pasi të jenë emëruar në punë.

Trishtimi që mund të ndodhë në këtë valë ndryshimesh do përcaktohet nga triumfi i të paaftëve për ta mbrojtur vendin e punës, dhe e humbja e tij për të pambrojturit, e atyre që nuk janë përzier politikisht, që ndodh të jenë në përgjithësi intelektualë apo akademikë të respektueshëm, njerëz që nuk dinë as të luten, as të servilosen, as të flenë të djathtë e të gdhihen të majtë për një rrogë zyrtari.

Ata që e kanë gjetur rrugën drejt administratës duke bërë hile me veten e me sistemin, do jenë sërish të aftë të mbijetojnë aty. Të ngjashmit e tyre që mezi presin të fillojnë punë, do bëjnë të njëjtën gjë, duke zëvendësuar kokrrat e pakta të njerëzve të zotë që mendojmë se dinë të na përgjigjen me dinjitet profesional nëpër institucione publike. E në fund, ato do mbushën me më të fortët e të dyja kaheve, që kanë miq edhe andej, edhe këndej, e ushtrisë së mbi një milionë të papunëve në Shqipëri, rrezikojnë ti shtohen radhët me forca të papërgatitura për tu flakur në rrugë, ata vetë, e dinjiteti i tyre ngjitur nga pas.

Pyetjet janë dy: a) Si do të bëhen zëvendësimet, kush do qëndrojë e kush do iki? (Me konkurs, pa konkurs, me emërim, ditën, natën, me paralajmërim tre-minutësh, dy javësh, një viti?) b) Kush i bën vlerësimet si për ata që duhet të rrinë, ashtu edhe për ata që do ikin?

Nëse logjika e ndjekur do jetë Fituesi merr gjithçka, atëherë fitues do dalin të gjithë, e PS-istët do kenë vështirësi në gjetjen e vendit të punës, se PD-istët janë tashmë duke kërkuar mikun e mikut që njeh qoftë rojen e godinës ku u bë numërimi i votave për zonën me fitoren më të thellë në Tiranë, qoftë kryeministrin  e ri. Pyetjet janë të vlefshme vetëm për këto dy palë, duke qenë se LSI-stët janë autonomë në zhvillimet e katër viteve të fundit në Shqipëri.

Një milionë shuplakuesit e 23 Qershorit presin punë. 700 mijët që shuplakosën faqen tjetër, kërkojnë mik. Shqipëria me gjithë ta, pret të rilindë. Me krahë të lehta dhe filtër sa më të trashë në presionin për të marrë nga puna të përkushtuarit e së majtës në këmbim të atyrë që as nuk kanë shfaqur interes ndaj së djathtës e as nuk kanë ndër mend të prezantohen si kunati i shokut Xhemal apo klonime të Anton Ledhit. Kërkoni vetëm një mik: profesionalizmin! Për të tjerat, perdja ra.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›