E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vatra” promovoi në Nju Jork dy libra për Çamërinë të profesor Selman Shemes

18-09-2013 / Beqir Sina

Prof. Dr. Selman Sheme prezanton në New York, Albumin e ilustruar historiko-gjeografik”Monumente natyrore të Çamërisë” dhe monografinë “ Gjeohapësira e Konispolit-(Çamëria Veriore); studim regjional”
 
Nën organizimin e Shoqatës Vatra, të dielën pasdite në Bronx u bë paraqitja e dy librave për Çamërinë të Prof. Dr. Selman Sheme si; albumin e ilustruar historiko-gjeografik “Monumente natyrore të Çamërisë” dhe monografinë “Gjeohapësira e Konispolit-(Çamëria Veriore); studim regjional”. Në këtë promovim në të cilin mori pjesë edhe vetë autori, shkrimtari Selman Sheme, morën pjesë edhe kryetari Dr. Gjon Buçaj, nën/kryetari zoti Agim Rexhaj, dhe Asllan Bushati, këshilli dhe kryesia e Vatrës, simpatizantë të saj, shkrimtarë dhe poetë, veprimtarë të dalluar të komunitetit. Në hapje të kësaj veprimtarie kreu i vatranëve, Dr. Gjon Buçaj, e quajti një nder të veçantë të Vatrës, të organizojë një aktivitet të tillë - përkatësisht kushtuar kësaj pjesë të ndritur të historisë së kombit, shqiptar, siç është çështja e Çamërisë, e trajtuar me plot kompetencë në librin e profesor Selman Shemes, një emër i njohur me punë e madhe, që ka bërë ai në studimin e mirëfilltë të kësaj çështje", tha zoti Buçaj. Në këtë paraqitje të librave të profesor Shemes, tek shtëpia e Vatrës, editori i saj zoti Dalip Greca, tregoi se librat e e tij të botuar vitin e kaluar janë prezantuar më parë tek gazeta shqiptaro amerikane Illyria, nëpërmjet intervistës së marrë prej tij. Duke vënë në pah punën kërkimore të profesor Shemes, për Çamërinë, zoti Greca e përcaktoi atë të palodhur dhe i përkushtuar për këtë çështje, e cila tani ka marrë një dimension tjetër në trajtimin historik të saj - mbas asaj periudhe 50 vjeçare të harruar fare. Meqenëse, pjesa më e madhe e juaj nuk ka pasur mundësinë për ta lexuar librin ngaqë koha ka qenë shumë shkurtër, tha editori i Diellit, ne kumtesën e tij - unë, jam mundur të bëjë në mënyrë të detajuar një përmbledhje të librit të tij, për të sjellë në linja të përgjithshme se çfarë është ky libër... Editori i Diellit, z. Dalip Greca, tha se "Profesor Sheme ka arritur të na sjellë një tablo të gjallë, përmes këtij libri album - i cili është i shkruar në dy gjuhë - pra shqip dhe anglisht. Ky libër përshkohet në fund me disa imazhe fantastike të cilat pasqyrojnë pothuajse çdo vend të Çamërisë. Ky libër është i pasur edhe me një material historik, ku dallohen hartat e vjetra, dhe pamjet mahnitëse të bregdetit të Çamërisë, tha ai duke shtuar se kjo padyshim që është një punë e madhe me vlerë dhe dobi për të gjithë shqiptarët". "Albumi ilustruar historiko-gjeografik “Monumente natyrore të Çamërisë” dhe monografia “ Gjeo-hapësira e Konispolit-(Çamëria Veriore); studim regjional”, janë dy libra ku përmes tyre Çamëria jonë, përshkruhet si tërësia jonë kombëtare, Andaj, dhe studiuesi e ka parë si pjesë e pandarë e trojeve shqiptare, ku ka përshkruar në fillim trojet shqiptare në tërësi, dhe më pas ka arritur të na jap pamjen rajonale të çdo pjese të Çamërisë, një pamje të përgjithshme dhe në aspektin historiko - gjeografikë". Kurse, Prof. Dr. Selman Sheme në fund të fjalës së tij vlerësoi lartë Vatrën dhe vatranët, siç tha ai për kontributin dhe rolin e tyre historik në dobi të kombit qysh në luftën për pavarësi, në luftën e ruajtjes së tërësisë tokësore, dhe aktualisht në ditët tona në ato përpjekjet e përbashkëta të shqiptarëve kudo që janë për të realizuar bashkimin kombëtar si një proces mjaft i rëndësishëm në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë, gjithnjë duke ruajtur identitetin kombëtar.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›