Politika integruese e qeverisë së Vlorës dhe rivaliteti me klanet politike
Roli i Ismail Qemalit si drejtues shteti në vitet 19121914
Nga Dr. Lavdosh Ahmetaj*
Historia e integrimit ka rrjedhën e saj, por ajo çka materializon ky punim është më e kufizuar, për shkak se jemi të interesuar për zhvillimet historike të kohës mbas shpalljes së pavarësisë politike; parë në këtë pikëpamje, ngjizja politike përkon me këtë ngjarje, e cila i dha përmasa kombëtare situatës shtetformuese shqiptare. Kjo, njëherësh përbën nyjen politike dhe historike të kombit shqiptar, për shkak se u arrit të evidentohet një klasë politike shqiptare, e cila ishte në gjendje të kryente aktin politik të shpalljes së pavarësisë.
Duke gjykuar në këtë rrafsh, duket se politikisht kryetari i Qeverisë së Vlorës e përqendroi vëmendjen politike në hartimin e një programi integrues: Parasgjithash programi u fokusua në sigurimin e përkrahjes së opinionit publik ndërkombëtar, duke ruajtur ekuilibrin politik midis shteteve perëndimore dhe atyre lindore (Arben Puto: Shqipëria politike 1912-1939, Tiranë 2009, f. 35.). Kjo pasi Ismail Qemali e shikonte ekzistencën e shtetit shqiptar në raportet politike europiane si një element të domosdoshëm të një ekuilibri të ri në Ballkan, dhe për këtë bënte thirrje për një përkrahje edhe nga qeveria britanike (Arben Puto: Shqipëria politike 1912-1939, Tiranë 2009, po aty.)
Për më tepër, kjo është del në pah në kujdesjen politike që tregonte ai për tiu përgjigjur të gjithë telegrameve të urimit apo përshëndetjeve që vinin nga jashtë trevës shqiptare, qoftë personalitete, qarqe, institucione apo grupe qytetarësh, duke kërkuar ndihmën e këtij opinioni për përmbushjen e aspiratës shqiptare të njohjes së shtetit të ri (Ismail Qemali, Përmbledhje dokumentash, Tiranë 1982, f. 182). Parë në këtë spektër, duket se në filozofinë politike Ismail Qemali ishte i bindur edhe praktikisht se, sidomos në trevën politike ballkanike funksiononte në mënyrën e vet doktrina e ekuilibrit të shteteve europiane, e cila gjente shprehjen e saj praktike në kushtet e lindjes së shtetit shqiptar.
Pra, vetë ngritja e qeverisë kombëtare shprehte njëherësh themelet e organizimit të shtetit të ri, të cilët hidheshin nga forcat vendase mbi një bazë kombëtare; e thënë ndryshe, thelbi ideologjik i shtetit të ri shqiptar shprehet përmes tre idesh qendrore të këtij punimi:
Së pari, sovraniteti i shprehur përmes ligjit me atribute politike.
Kjo do të thotë se politikisht Ismail Qemali u fokusua për kryerjen e një reforme me nuanca të qarta politike, përmes idesë së reformës së tokës, në mënyrë që familjet shqiptare të kishin mundësinë e integrimit politik, të shprehur përmes pronës.
Së dyti, sovraniteti i shprehur përmes ligjit civil.
Ligji civil, sipas Ismail Qemalit, shprehte vullnetin e sovranit, por nuk mund të përjashtohej shprehja e forcës së shtetit. Kjo, përmes ligjit që nxori Qeveria e Vlorës për organizimin e administratës lokale, përbënte një ndryshim cilësor, sepse bëhej i mundur kalimi i administratës së gjetur dhe të trashëguar nga shteti turk, i cili kishte koncept dhe frymë krejtësisht të ndryshme nga reforma që ishte duke aplikuar Ismail Qemali, e cila bazohej në një ligj dhe shtet modern me një administratë të përqendruar. Kështu, në 22 dhjetor të vitit 1913 Pandeli Evangjeli i dërgonte Ismail Qemalit nga Rumania dy arka, në të cilat ishin vendosur ligje dhe rregullore me organizimin e një administrate moderne.
Së treti, shpallja e shtetit shqiptar ishte akt politik i klasës politike shqiptare; e për më tepër tharmi politik ishte ruajtur në shpirtin politik kombëtar. Argumenti është i gjendur përmes miratimit të propozimit të Ismail Qemalit për delegatët politikë të cilët vendosën që Shqipëria të bëhet që sot më vete, e lirë, e pavarur, nën një Qeveri të Përkohshme.
Ky argument bie ndesh me pikëpamjen e cila e shpjegon shtetformimin shqiptar përmes vendimeve ndërkombëtare; kjo është e natyrshme që nuk mund të mohohet, por mbi të gjitha vendimmarrja politike ishte një akt i brendshëm dhe i njohur politikisht prej vendimit politiko-juridik të Fuqive të Mëdha Europiane më 29 korrik 1913.
Për ta kuptuar edhe më mirë analizën e historisë shtetformuese shqiptare, po i referohemi historisë politike të shtetit antik romak, i cili në ngjizjen e tij politike kishte dy probleme të vështira për të zgjidhur:
së pari, ishte kontradikta politike, e cila e kishte përqendruar qytetarinë politike romake vetëm tek patricët, me idenë se atyre u përkiste qytetaria me të drejtën e të qenit autokton, ndërsa plebejtë ishin të ardhur në qytetarinë e Romës.
së dyti, ishte prezente kontradikta agrare, e cila duhet të zgjidhej përmes reformës agrare që do të bënte të mundur integrimin e të rinjve romak në ushtri, pra thelbi ishte politik, pasi përkonte me zgjerimin e një kombi qytetar. Kjo u realizua përmes kompromisit politik, që reflektohej në krijimin e institucioneve politike, ose thënë ndryshe integrim politik të plebenjve, të cilët krijuan institucionin e tribunatit plebejan.
Parë në këtë fokus, shteti i shprehur në metafizikën e Ismail Qemalit, ishte i lidhur dialektikisht me veprimtarinë diplomatike të tij, që për hir të së vërtetës, në këtë kohë është tepër e dendur. Por, nga ana tjetër kontradikta në politikën shqiptare ishte me nuanca antagoniste, gjë që gjen shprehje në pikëpamjet e Myfit Libohovës, se reforma e Ismail Qemalit kishte rrezik për shkak se Qemal Beu nuk kishte pasuri tokësore, që do të thoshte se ai (Ismaili) nuk kishte moralin e duhur politik për të kryer reformën agrare . Kritika shkonte edhe më tej, duke e quajtur aventurier, i cili nuk kishte lidhje materiale me atdheun, për shkak se nuk zotëronte çifliqe si ata.
Por diversiteti antagonist u shpreh hapur nga Esat Toptani, kur Konferenca e Ambasadorëve kishte vendosur që të njihte Qeverinë e Vlorës si një qeveri me atribute politike lokale, duke drejtuar kritika të pavërteta, duke e akuzuar Ismail Qemalin si një qeverisës despotik dhe arbitrar. Kjo situatë politike u rëndua edhe më tepër në fillim të shtatorit 1913, kur Esat Pasha i drejtonte një ultimatum Ismail Qemalit prej pesë kërkesash:
1. shpërngulja e selisë së qeverisë nga Vlora në Durrës;
2. riformimi i qeverisë në marrëveshje me Esat Toptanin;
3. mbledhja sa më parë e senatit;
4. interesimi pranë Fuqive të Mëdha për caktimin e princit, duke u bazuar në vendimin e Konferencës së Londrës më 29 korrik 1913;
5. rishikimi nga qeveria e re e akteve të miratuara nga Qeveria e Vlorës mbi angazhimet, koncesionet, thesarët.
Mbi bazën e dokumenteve të kohës, duket se oferta politike e Esat Toptanit nuk është pranuar, gjë e cila kishte shkaktuar reaksionin politik të Romës dhe të Vjenës, të cilat e kishin përkrahur Esatin, e njëherash kishin reaguar politikisht dhe klanet e përfaqësuara prej Syrja bej Vlorës, i cili e akuzonte Ismail Qemalin se mendonte vetëm për karrierën e tij politike.
Ndësa Petrajevi shkruane se rivaliteti midis Esat Toptanit dhe Ismail Qemalit në vështrimin e parë duket personal, ndërsa në thelbin e këtyre marrëdhënieve ekzistojnë elementë të një lufte të theksuar klasore, për shkak se Esat Pasha përfaqësonte interesat e pronarëve të mëdhenj të tokave, të cilët në sistemin e tyre të shfrytëzimit të tokës kishin vendosur principe feudale. Për rrjedhojë, Esati gjente përkrahjen e klasës feudale shqiptare, e cila i shikonte me frikë reformat politike dhe agrare të Ismail Qemalit, reforma të cilat do të binin në kundërshti me interesat e tyre.
Një problem edhe më i vështirë ishte politika e koncesioneve, dhe ishte Ismail Qemali ai që kërkonte një kujdes të veçantë, në lidhje me këtë politikë, e cila kishte reflektuar rivalitetin midis dy shteteve: Italisë dhe Austro-Hungarisë.
Parë në këtë pikëpamje, Qeveria e Vlorës kishte