E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu Politik Dimension i Ri i Konfliktit Serbi-Kosovë

Gazeta Shqip

Haki Abazi - Bashkimi Europian nuk e merr seriozisht as lidershipin dhe as gjysmështetin e Kosovës. Qeveria e Kosovës është peng i mungesës së kredibilitetit dhe rezultateve të saj të dobëta me kreun e saj që detyrohet të bëjë çfarë ti fishkëllejnë. Në Serbi, Qeveria e re ka borxhe të vazhdojë me politikën e saj edhe Kosovën edhe BE-në, ndërsa financiarisht mund të bëhet Greqi e re. Fillimi i dialogut politik vetëm sa rrezikon ridimensionimin e konfliktit dhe ushqen shpërthimet e reja.

Bisedimet teknike të zhvilluara për 18 muaj në një zyrë të vogël në Bruksel ndërmjet delegacionit serb, të udhëhequr nga Borislav Stefanoviq, dhe atij kosovar, të udhëhequr nga Edita Tahiri, nën vrojtimin e Robert Cooper, ka shënuar regresin më të madh që Ballkani ka përjetuar që nga rënia e Millosheviqit nga pushteti, në vitin 2001. Dhe, ky regres po vazhdon të thellohet duke shënuar fazë të re të ridimensionimit të konfliktit ne vend të përfundimit të tij të përhershëm.

Dialogu teknik ka ringjallur idenë në BE se Serbia ka pasur të drejtë në synimet e saj në Kosovë edhe përtej asaj çfarë Ahtisaari e kishte konsideruar si e drejtë e serbëve të Kosovës. Liderët shqiptarë, me arsyetimin se duhet të tregojnë vullnet të mirë dhe fleksibilitet, janë lëshuar në aventurë për të hyrë në dialog pa asnjë përgatitje e strategji. Pala serbe, në anën tjetër, i është qasur idesë për sfidimin e një kapitulli të mbyllur edhe ndërkombëtarisht me vendimin e gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Fillimi i dialogut si proces ka shënuar fitore të insistimit të vijës politike të Vuk Jeremiqit, ish- ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, pasi e rihap temën e shtetësisë së Kosovës dhe e vendosë në pauzë të gjatë procesin e njohjes nga të gjitha shtetet, të cilat po presin rezultat të ri nga dialogu serbo-kosovar. Të gjitha premtimet dhe parashikimet për njohjen e pavarësisë nga zyrtarët kosovarë kanë dështuar. Në këtë proces të pauzuar ka përfituar vetëm zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli, i cili e ka privatizuar procesin e njohjes deri në momentin e demaskimit me të pavërtetat për njohjet që gjoja i kishte fituar me notat verbale përkatëse, të cilat nuk iu erdhën autoriteteve zyrtarisht asnjëherë, si në rastin e Nigerisë dhe të Ugandës.

Zyrtarët kosovarë, gjithashtu, kishin premtuar se nuk do të ketë dialog politik dhe e patën prezantuar intervenimin e njësisë speciale të policisë, kur humbi jetën polici Enver Zymberi, si rivendosje të rendit në veri. Përkundrazi, tani del qartë se intervenimi i 25 korrikut 2011 në veri, do të mbetet akt i papjekurisë dhe eksperimentimit më atë që quhet forcë e padukshme. Qeveria e Kosovës vendosi të dërgonte forca në veri duke tentuar që të balancojë informacionin për akuzën ndaj Fatmir Limajt. Ky vendim kushtoi një jetë, zhvlerësim të ROSU-s, antagonizëm të ri me qytetarët e veriut dhe legjitimoi edhe më shumë ata që përdorin frikën e serbëve për të mbajtur fort pozicionet e tyre përfituese në veri. Anën ndërkombëtare të tregimit e sfidoi KFOR-i duke e paraqitur paaftësinë për të vepruar dhe në fund të gjithë e kritikuan jozyrtarisht këtë aksion si të pamenduar dhe aventurist.

Dialogimi teknik me qeverinë e Boris Tadiqit, edhe pse i panevojshëm, po duket tash shumë më i pranueshëm se sa dialogimi politik me qeverinë e Daqiqit. Me siguri që komenti i kryeministrit të Kosovës, natyrisht me arsyetim cinik dhe për konsum të brendshëm, do të jetë se të gjithë janë të njëjtë, edhe pse në fakt, për shqiptarët e Kosovës, kjo nuk është e vërtetë. Tadiqi është përfaqësues i një sistemi të vlerave demokratike serbe, anti-Millosheviqiane dhe proeuropiane dhe pasardhës i Zoran Gjingjiqit. Daqiqi, në anën tjetër, është pasardhësi i Millosheviqit, zëdhënës i dikurshëm i tij, i cili ne vazhdimësi ka zbatuar të njëjtën logjikë veprimi duke përfshirë edhe shkarravitjen e uniformës së policisë së Kosovës dhe tërheqjes zvarrë të atyre që përfaqësojnë institucionet e brishta të Kosovës së pavarur. Për më tepër, Daqiqi është në koalicion me pasardhësin e partisë radikale serbe të Vojislav Sheshelit.

BE-ja nuk e merr seriozisht gjysmështetin e Kosovës

Të udhëhequr nga logjika se duhet shënuar progres me çdo kusht për të hapur rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Europian, zyra e baroneshës Ashton dhe komisioneri Fule kanë këmbëngulur që dialogu teknik të nisë sa më shpejt. Këtë e kanë bërë edhe me koston e pranimit të rezultateve të zgjedhjeve në Kosovë, të cilat ishin konstatuar me parregullsi të pafundme si pasojë e vjedhjes industriale të votave. Kjo qasje e BE-së ndaj Kosovës ka defekte, pasi zhvillimeve brenda Kosovës nuk u jepet rëndësia në krahasim me vendosjen e një lidershipi të favorshëm për të arritur kompromise të çfarëdo lloji. Kjo tregon se BE-ja nuk e merr seriozisht aspak, as lidershipin e as gjysëmshtetin e Kosovës. Këtë e kishte thënë në takimet e tij jopublike edhe Robert Cooper në Prishtinë. BE-ja ka dështuar të kuptojë që improvizimi dhe rrugët e shkurta për zgjidhje të problemeve e thellojnë krizën dhe nuk janë zëvendësim për demokracitë pjesëmarrëse.

Në fund të procesit të dialogut teknik, asnjëra nga palët nuk ka treguar gatishmëri për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe si rezultat kemi komunikim më të vështirë dhe më të shtrenjtë mes Kosovës e Serbisë. Kostoja e sigurimeve dhe taksave të tjera për kalim ndërkufitar po e bën të pamundur udhëtimin e njerëzve të varfër që smund ti paguajnë këto shpenzime. Nga ky proces gjysmak e dëmtues, Serbia mori kandidaturën ndërsa Kosova – të trashtë e surles . Në këtë rast Serbia gjithashtu depozitoi edhe një joker të njëjtë sikurse plani gjashtëpikësh i Ban Ki-Moonit duke i vendosur Kosovës një fusnotë si kriter për pjesëmarrje në nismat rajonale, të cilat askush nuk e di cilat janë dhe pse është Kosova në zor të jetë aty, nëse ky proces dialogimi parandalon njohjen e shtetit – që është domosdoshmëri për anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe organizmat e tjerë relevantë ndërkombëtarë. Zyrtarë të BE-së e kanë pranuar se kanë qenë naivë dhe të pafuqishëm, por njëkohësisht, nuk mërziten pse marrëveshjet nuk zbatohen sepse, në fund, ato nuk janë për ta.

Natyrisht, që BE-ja nuk e ka hallin e njerëzve që nuk mund të udhëtojnë, apo hallin nëse tensionet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve po rriten, përderisa këto janë në suaza të menaxhimit dhe nuk kërcënojnë stabilitetin rajonal. Ata me një deklaratë e shpërlajnë veten duke i quajtur liderët ballkanas si të papërgjegjshëm dhe të paaftë për të arritur kompromise.

Shtetndërtimi peng i kryeministrit që bën çfarë i fishkëllejnë

Qeveria e Kosovës është e zënë peng me legjitimitet dhe kredibilitet të pamjaftueshëm, me një kaos të brendshëm të partisë në pushtet, duke qenë qeveri e pakicës e në koalicion me një parti krejt jorelevante, e përcjellë me skandale, me privatizime kontroverse, me një kryeministër që pritet rrallë në Europë përveç në rastet kur i jepet lista e detyrave. Gjithashtu rasti gjykimitBllaca, edhe pse po injorohet, është pjesë e ekuacionit të kualifikimit kriminal të kësaj strukture qeverisëse. Indikatorët e gjykimit të kryetarëve të komunave, ndalimi hyrjes së zyrtarëve të lartë në vendet europiane dhe akuzat ndaj anëtarëve të kabinetit dhe kryesisë së parlamentit janë tepër për të pretenduar që mbreti nuk është qel. Në këtë situatë, kryeministri nuk ka derë tjetër përpos se të bëj çfarëdo që i fishkëllejnë të tjerët.

Dhënia e datës për nisjen e negociatave të Serbisë për hyrje në BE është shumë e rëndësishme për Serbinë dhe rajonin, por kjo nuk duhet të bëhet në kurriz të funksionalitetit të Kosovës. Aq më pak, nëse kjo nxitë një dimension të ri të konfliktit serbo-

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›