Administrata dhe nxënësit në fushatë, Totozani: Kontrolle blic, denonconi
Tiranë- Duke ju referuar denoncimeve në media për përfshirjen e administratës publike dhe nxënësve të shkollës në fushata elektorale, Avokati i Popullit, Igli Totozani ka paralajmeruar për ngritjen e grupeve të kontrollit blic, gjatë fushatës.
Nëpërmjet një deklarate të shpërndarë për mediat, Avokati i Popullit thekson se është duke monitoruar fushatën elektorale, teksa bën me dije se pranë zyrës së tij qytetarët mund të denoncojnë raste të tilla.
Qytetarët mund t’i drejtohen institucionit tonë, në rast kur kanë vënë re gjatë kësaj fushate shkelje të të drejtave të njeriut. Nëse një punonjës i aministratës publike gjendet nën presion për mbajtjen e vendit të tij të punës dhe thërritet në mitingje të ndryshme elektorale jashtë këtij vullneti, kjo përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe Avokati i Popullit është brenda kompetencës dhe juridiksionit të tij. Nëse një punonjës i administratës publike për arsye të bindjeve të caktuar, i mbahet një kartë identiteti për shkak se mendohet se voton ndryshe; nëse një fëmijë, në vend që të rrijë në klasë dhe të zhvillojë orët mësimore, hiqet nga mësimi dhe dërgohet në mitingje elektorale, ky është një rast që është brenda kompetencës dhe juridiksionit të Avokatit të Popullit,- thuhet në deklaratën e Igli Totozanit.
Duke theksuar se apeli i drejtohet: “Jo vetëm Ministrisë së Arsimit, por edhe administratës publike, qoftë lokale qoftë publike, në rast se kur konstatohet që administratorë publikë, në vend të jenë në zyrë, janë në miting, kjo do të jetë një rast për t’u denoncuar nga Avokati i Popullit dhe do të ketë rekomandimet përkatëse. Jemi duke i parë mundësitë e monitorimeve të papritura nga ana e stafit tonë, në Bashki, në komuna, në shkolla”.