E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata, gati të plotësojë pyetësorin e KE

Statusi kandidat, Ministrja Bregu konfirmon vullnetin e qeverisë për të realizuar objektivat

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, deklaroi dje gjatë një komunikimi me mediat se qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat teknike porsa i përket trajnimit të administratës e cila do të merret me përgjigjet e pyetësorit. Ministrja Bregu bëri me dije se qeveria shqiptare duhet të japë përgjigje konkrete për gjendjen e drejtësisë, sigurisë dhe ekonomisë në vend pasi të tërheqë pyetësorin e Komisionit Evropian brenda këtij viti në kuadër të aplikimit për statusin e vendit kandidat për në BE.
Ajo vuri në dukje se një pjesë e madhe e pyetjeve, nisur edhe nga eksperiencat e tjera të jenë në kapitullin e drejtësisë dhe të sigurisë sikurse një numër i madh pyetjesh që do të kthehen në një punë reale, voluminoze dhe konkrete do të ketë pjesa ekonomike, pra e standardit ekonomik.
Nga momenti i tërheqjes së pyetësorit nga Komisioni Evropian, qeveria shqiptare pritet të kërkojë vetëm katër muaj kohë për plotësimin e saj.
Duke iu referuar deklaratës së Komisionerit për Zgjerimin Olli Rehn, bërë dy ditë më parë, ku i ka bërë thirrje opozitës të heqë dorë nga bojkoti, ministrja e Integrimit nënvizoi se “toni i ndërkombëtarëve në thirrjen e vazhdueshme që i bëjnë opozitës për të hyrë në Kuvend është në nivel “crescendo” (vjen duke u rritur), kjo u duk edhe dje në deklaratën e Rehn gjatë konferencës për shtyp me Ministrin e Jashtëm Meta”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›