PE: Shqipëria, në rrugë të mbarë - do plotësojë parakushtet për heqjen e vizave brenda pranverës së ardhshme
Shqipëria është edhe një hap më pranë liberalizimit të plotë të vizave. Parlamenti europian ka miratuar me shumicë votash raportin e eurodeputetes Tanja Fajon që parashikon futjen e Shqipërisë dhe të Bosnje-Hercegovinës në të njejtën listë me tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë për heqjen e vizave me BE-në. Në bazë të rezolutës kërkohet që vizat me Shqipërinë dhe Bosnjën të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur, menjëherë pas përmbushjes së kushteve të udhërrëfyesit. Çka do të thotë se Komisioni Europian do t’i propozojë Këshillit të Europës heqjen e vizave me Shqipërinë sapo të vlerësojë se është përmbushur edhe pjesa e mbetur e kërkesave të udhërrëfyesit. Eurodeputetja sllovene, sqaroi se vizat me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi do të hiqen para Krishtlindjeve. Në një komnunikatë për shtyp Fajon tha se vendimi për futjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në këtë rekomandim është historik. Nuk është e drejtë që këto dy vende të mbeten jashtë këtij regjimi, argumentoi ajo dhe për këtë kam mbështetjen e shumicës së eurodeputetëve. Përfshirja e këtyre vendeve në listën e bardhë të Shengenit do të thotë se sapo ato të përmbushin kushtet, do të arrijnë pa vonesë tre vendet e tjera. “Ramë dakord me Këshillin dhe KE për një deklaratë të veçantë ku ofrojmë përkushtimin tonë që të sigurohemi se nuk do të ketë asnjë vonesë në Hyrjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në këtë regjim të liberalizimit të vizave. Dëshiroj që qytetarët e Bosnjës të udhëtojnë pa viza duke nisur nga korriku i vitit të ardhëshëm. Ky është objektivi ynë, por varet edhe nga politikanët e këtyre vendeve për të përmbushur kushtet. Gjatë këtij viti KE, do të dërgojë një mision ekspertësh në këto vende, ku do të vlerësohet puna e kryer. Shqipëria është në rrugë të mbarë në përmbushjen e standarteve teknike. Dhe besoj që deri në pranverën e vitit të ardhshëm do të përmbushë kushtet e duhura teknike”.
Komisionit Europian thekson se vendi ynë ka bërë përparim të mëtejshëm në pak muaj që nga koha e raportprogresit të fundit. Brukseli nxit Shqipërinë dhe Bosnjen që të arrijnë tre vendet e tjera të Ballkanit në përmbushjen e reformave brenda muajve të parë të vitit 2010, kohë kur Komisioni Europian do të raportojë mbi përparimin e tyre. Kjo do të thotë se në rast se Tirana zyrtare plotëson kushtet e udhërrëfyesit brenda këtij afati kohor atëherë përfiton menjëherë liberalizimin e vizave.
...