Gjata: Sistemi i ri shmang trafikun e votave
TIRANË- Sistemi i ri zgjedhor që pritet të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do të mundësojë më shumë eliminimin e trafikut të votave. Konstatimi vjen nga kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata. Pa përjashtuar edhe sistemet e tjera që janë përdorur deri më tani, kryekomisioneri për zgjedhjet është shprehur se qoftë dalja me koalicion, apo pa koalicion, maxhoritar apo proporcional, secila prej tyre ka dhënë përfaqësim politik, por deri në njëfarë mase, pasi ka pasur edhe të metat e veta. Ndërkohë që shprehet me nota pozitive për sistemin aktual, modalitetet e të cilit duhet t’i përcaktojë Kodi Zgjedhor. Qëndrimi i kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për sistemin proporcional-rajonal është thjesht parimor, pasi siç është shprehur edhe më parë, e rëndësishme për KQZ-në janë zgjidhjet teknike të problemeve, siç janë ato të administratës zgjedhore, listat e zgjedhësve, procedurat e votimit e të numërimit, shpallja e rezultateve apo edhe mënyra e administrimit të procesit ankimor, që është mjaft problematik në vetvete. Gjata është shprehur se sistemi aktual i miratuar me konsensusin e dy partive kryesore në vend, është më i thjeshtë për implementim. Sistemi i ri zgjedhor ishte pjesë e një pakete ndryshimesh kushtetuese që kaloi në Kuvend në datën 21 Prill. Ndryshimet u votuan në Kuvend me një shumicë prej 115 deputetësh.