E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administratë e poshtëruar

brizida_gjikondiNga Brizida Gjikondi

Alo, po, urdhëro, sot pasdreke në orën 17 të jeni tek zyra e PD-së numër xy, ngjitur me pallatin tuaj… Do mbahen mungesa.

Ky është një dialog që dëgjova personalisht kur isha pranë një të njohurës time, e cila u bë meit në fytyrë nga marazi dhe pafuqia. Një intelektuale shqiptare e administratës shtetërore, në të 40-at, që në heshtje prej 12 vjetësh përpiqet që pa politikë, pa lëpirje dhe zvarritje, të ushqejë me dinjitet dy krijesat e saj, por tashmë në këtë vend ku shteti nuk është shtet, por një strukturë mafioze e nivelit ZH, zvarritja është domosdoshmëri mbijetese.

Tashmë e gjithë administrata publike shqiptare është në rreshtore para pushtetit kriminal, pushtet, i cili me metodën që e futi sidomos si risi halabake Zonja e Parë e LSI-së me filozofinë rrogëtarëve tu nxirret prej hundësh rroga që marrin, metodë, e cila i çon nëpunësit shqiptarë si shelegë në thertore, nëpër mitingje, mbledhje dhe raportime të detajuara partiako-politike. Metodë që poshtëron burrin, gruan, shqiptarin e mirë dhe të heshtur, që gremiset çdo ditë për një çapë bukë mbijetese, e poshtëron përballë fëmijës, vetes, sidomos të ardhmes personale. Kjo kastë kriminale as nuk do tia dijë se si ndjehet një nëpunës shqiptar i dhunuar, i poshtëruar në integritetin dhe dinjitetin personal. Kjo kastë nuk bën dallim, asnjë dallim nga metodat e diktaturës, përkundrazi, i tejkalon ato.

Nisur nga ky impakt, fillova të pyes lart e poshtë dhe u llahtarisa nga ajo që mësova, nëpunës të çdo kategorie ishin thirrur në rreshtore, dhe me dosjet e tyre personale të depozituara në administratë tek zyrat e personalit, ju ish bërë biografia, vendqëndrimi dhe vendvotimi, si kurrë asnjëherë, këtë herë pushteti nuk ish sulur kaq egërsisht mbi nëpunësit e shumëllojshëm të shtetit. Si kurrë asnjëherë këta nëpunës ndjehen të braktisur dhe pa zot e pa ligj në përdhunimin që po ju ndodh në dritë te diellit.

Askush nuk po ngre zërin për këtë kasaphanë që po zhvillohet në çdo institucion, shkollë, spital, kopsht, ujësjellës, hipotekë, çerdhe, si në qendër dhe në bazë, si në Tiranë dhe në Belsh, në  Pukë, në Përrenjas a Shkodër. Kudo njerëz të poshtëruar, në rreshtoren e pushtetit.

Dhe hesht Departamenti i Administratës Civile, bën sikur edhe Avokati i Popullit, anemike dhe opozita, ndërkohë çdo ditë, çdo orë, çdo çast përmiret dhe poshtërohet ajo që duhej të ish palca e pandryshueshme dhe e pacenueshme e një shteti 100 vjeçar:  administrata publike.

Shpresoj që kjo administratë, e dhunuar në heshtje, të paktën në 23 qershor të hakmerret, por dhe të mbrojë vetveten po në heshtje në kutinë e votimit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›