E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga gjeneral tankesh, në kapter helikopterësh

Mero Baze 2Nga Mero Baze

Arben Imami ka një problem të madh me personalitetin e tij në raport me PD-në. Në një situatë konflikti me PD-në, kur e drejta ka qenë në anën e tij, prej vitit 1993, kur ai u bë pjesë e Aleancës Demokratike, e deri në rrahjen brutale të tij në vitin 1996, dy ditë pas zgjedhjeve, ai vendosi të hakmerrej ndaj Sali Berishës në formën më ekstreme. Pasi u largua në Greqi për të rregulluar dhëmbët, ai u rikthye prej andej nga Korfuzi në marsin e vitit 1997, dhe përtej vullnetit dhe vijës politike të opozitës së asaj kohe, e cila formoi në Tiranë qeverinë e Pajtimit Kombëtar me Bashkim Finon, ai vendosi ta sfidojë pushtetin e ri nga jugu në krye të disa organizimeve ushtarake jashtë kontrollit, dhe siç rezultuan, dhe të papërgjegjshme.

Ky njeri u bë simbol i kërcënimit të Tiranës me tanke, që do niseshin nga Gjirokastra, dhe përfaqësues i një vije të ashpër ekstreme, e cila, siç e kuptoi dhe vetë pas dy javësh, nuk përfaqësonte asgjë.

Më pas erdhi në Tiranë, pranoi pushtetin politik të Fatos Nanos, u bë ministër i tij, pastaj atë të Ilir Metës, u bë ministër i tij, dhe kështu kokulur deri në vitin 2005. Disa muaj para zgjedhjeve, ai iu ribashkua Partisë Demokratike me shpresë të ri-integrohej në të, por nuk e kaloi dot pragun e Këshillit Kombëtar. Shfryu disa ditë kundër Berishës derisa ai e mori në punë në kabinetin e tij.

Pasi dha gjithë provat e nevojshme të poshtërimit dhe gatishmërisë për tu përdorur, ai u rifut në listën e PD si deputet në vitin 2009 dhe u bë Ministër i Mbrojtjes.

Ky është momenti kyç, kur ky ministër, i cili pati në duar sekretet e Familjes dhe historitë e neveritshme jetëvrasëse të të birit të kryeministrit për të fituar para  në Gërdec, u vu tërësisht në shërbim të tyre. Damir Fazlliç, njeriu kukull i bizneseve të Familjes, u shfaq në krah të tij dhe së bashku bënë gjithë tregtinë e armëve me Lindjen e mesme, Libinë, Libanin dhe vende të tjera problematike.

Gatishmëria e tij për tu përdorur u shfaq në mbrëmjen e 21 Janarit, kur pasi Sali Berisha kishte vrarë katër qytetarë të pafajshëm në mes të Tiranës, avokati i parë i vrasjeve në ekran u shfaq Arben Imami, i pirë aq sa duhet për të qenë trim, dhe aq sa nevojitet për tu dukur i papërgjegjshëm. Ai akuzoi opozitën për puç dhe vrasjet e ndodhura dhe akoma dhe sot nuk ka kërkuar ndjesë, ndërkohë që shefi i tij mburret me ato vrasje.

Në zyrat e tij u instaluan me shpejtësi aparate përgjimi që përgjuan diplomatë, politikanë dhe gazetarë, dhe vetë Ministria e Mbrojtjes u kthye në një ndërmarrje të madhe të prodhimit të mjeteve financiare për propagandën e pushtetit. Arben Imami ka thyer rekorde ndërkombëtare, duke paguar deri në 300 mijë euro nga një repart ushtarak, ku hahet fasule dhe pihet çaj, për TV Klan, dhe e shikon nga mëngjesi në darkë me Fahri Balliun për të qarë së bashku hallet e skrapit të ushtrisë, që shesin së bashku.

Po përse i gjithë ky deformim?

Në zanafillën e këtij shtrembërimi të madh karakteri, qëndron fakti që ai është penduar për pjesën e parë të jetës së tij, pjesën kur ai u ndesh me Berishën për të fituar një betejë të drejtë. Edhe pse përfundoi në një gjeneral halabakësh në vitin 1997, përpjekja e tij për të mos pranuar paqe me kundërshtarin ishte e lavdërueshme.

Tani që ka thyer gjithë rekordet duke qenë ministër i gjithë kryeministrave të këtij vendi, socialistë dhe demokratë, tani që provoi çfarë shije ka pushteti dhe paraja kur i lëpin bythën Sali Berishës (jo në kuptimin erotik), tani që është i zhytur deri në fyt mes skandaleve ligjore, shkarkimit të gjeneralëve, keqpërdorimit të fondeve të NATO-s, dhe veprimtarive financiare të ministrisë së tij, ai ka nevojë të bëj gjeste sa më të pështira për tiu dukur Berishës një njeri i dobishëm.

Është kjo arseja që ky njeri ka degraduar nga gjeneral tankesh, në një kapter helikopterësh, që mbush helikopterët e NATO-s me femra, trafikantë dhe hashash dhe dalldisen mbi shtëpinë e Bamir Topit dhe Linda Ramës në Tiranë për të fotografuar dhe terrorizuar njerëzit. Arben Imami është në një përpjekje të papërsëritshme për të bindur Berishën, Familjen, por dhe demokratët militantë, se ai është gati ta shlyejë gabimin që ka bërë duke qenë dikur një kundërshtarë idealist i Berishës. Dhe në këtë përpjekje të pështirë, i rënduar nga shëndeti dhe mëkatet, i zbardhëllyer në fytyrë nga shijet e alkoolit dhe ekstaza e shërbimit ndaj shefit, i shkrehur dhe i pafuqishëm të kundërshtojë çdo gjest përdorimi të trupit dhe emrit të tij fizik, ai po përjeton luksin e të qenit një kapter i lumtur në shërbim të Familjes.

Ndaj mos u çudisni që gjithë persekutimi politik i opozitës këto katër vjet, lidhet me këtë emër. Ai urren vetveten, urren Arben Imamin që tentoi të ishte opozitar, dhe është duke u torturuar të mos ekzistojë askund një histori opozite në këtë vend. E ka po aq seriozisht këtë histori lufte dhe shërbëtorllëku, që i kujton vetveten e dështuar, sa dhe historinë e luftës kundër martesave gej. Është problem kur vjen një ditë dhe urren vetveten për çfarë ke bërë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›