Admira bashkon vëllezërit Sulimani

Emin Sulimani është larguar nga LASK Linz për t’u transferuar në ekipin Trenkwalder Admira, i cili sezonin e ardhshëm do të bëjë gara në elitën e futbollit austriak. Mesfushori shqiptar në klubin e ri do ta gjejë vëllanë e vogël Benjaminin, i cili është bërë sulmuesi kryesor i këtij ekipi.
24 vjeçari ka nënshkruar kontratë me klubin e ri deri në qershor të vitit 2013, me opsion të vazhdimit edhe për një tjetër. Sulimani e kishte nisur karrierën në Ried, ndërsa më pas u transferua në Austria Wien dhe së fundmi në LASK Linz, vitin që shkoi.
Vëllezërit Sulimani kishin luajtur së bashku në Ried dhe në Austria Wien. Mirëpo, asnjëherë nuk kishin pasur rastin të luanin së bashku në ekipin e parë, pasi Benjaminit nuk iu dha rasti.
Vëllai i madh, Emini, shpresonte që të luante në të ardhmen së bashku me Benjaminin dhe këtë mundësi ia dha Trenkwalder Admira. Klubi austriak i ka uruar mirëseardhje Sulimanit, i cili ka luajtur 14 herë për ekipin U21 të Austrisë, dhe sukses në periudhën sa do të luajë në këtë ekip.