Sprova e kampionëve
Ndeshja mes Prishtinës dhe Hysit, e cila zhvillohet të mërkurën në kryeqytet, shënon edhe përfundimin zyrtar të kampionatit të sivjetmë.
Njëherësh ky do të jetë edhe derbi i xhiros së 33-të të Superligës, në të cilin do të përballen dy skuadrat që sivjet dominuan plotësisht në elitën e futbollit kosovar – rivale të forta në luftë për titull të kampionit.
Megjithatë, kjo përballje nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë, pasi një javë para fundit të kampionatit Hysi matematikisht e siguroi titullin e kampionit, të cilin trofe e lëshoi nga duart Prishtina, që do të mbetet nënkampion, edhe pse e kryesoi renditjen gjatë pjesës më të madhe të këtij edicioni.
Mirëpo, ky sukses i Hysit vazhdimisht po kontestohet nga bardhekaltrit. Ata për dështimin e tyre fajin ua hedhin gjyqtarëve, të cilët i akuzojnë se i dëmtuan gjatë kampionatit, e njëkohësisht e ndihmuan Hysin për t’u stolisur me titull të kampionit.
Andaj, edhe pse ka përfunduar gjithçka sa i përket titullit të kampionit, kryeqytetasit do të mundohen ta mposhtin ekipin bardh e zi, siç thonë ata, për të dëshmuar se sivjet e kanë merituar këtë trofe, që tashmë gjendet në Merdare.
“Lufta për titull ka përfunduar. Megjithatë, ne do të mundohemi të bëjmë një lojë të mirë dhe cilësore dhe të tregojmë një disiplinë të lojës. Sigurisht se ne do të mundohemi të tregojmë cilësitë tona dhe të tregojmë se jemi më të mirë, por edhe t’ua bëjmë me dije se e kemi merituar titullin e kampionit. Por, varet më së shumti nga futbollistët, nëse ata kanë motiv për fitore dhe për ta vërtetuar se ne jemi më të mirët”, ka deklaruar për Express trajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi.
Në anën tjetër, bardhezinjtë thonë se drejt kryeqytetit do të udhëtojnë vetëm sa për ta kryer obligimin, përkatësisht për ta përmbyllë zyrtarisht këtë kampionat. Ata tashmë janë shpallur kampionë dhe kanë katër pikë më shumë sesa prishtinasit para kësaj sfide.
“Ky takim do të jetë ndër më të thjeshtit për ne, sepse gjithçka ka përfunduar në xhiron e parafundit, kur u shpallëm kampion. Ne do të udhëtojmë në Prishtinë vetëm sa për ta zhvilluar lojën dhe nuk kemi se çfarë të tregojmë. Kemi treguar dhe sqaruar gjithçka me gjithë ato fitore të njëpasnjëshme se kush e ka merituar titullin”, tha kapiteni i Hysit, Mentor Zhdrella.
Dy takimet e para Prishtina ishte më e mirë se Hysi. Se a do të triumfojë sërish, mbetet të shihet të mërkurën nga orën 17:00.