Adoleshentët refuzojnë të marrin vaksinën kundër hepatitit B
Eljona Lata
Instituti i Shëndetit Publik ka nisur vaksinimin te grupmoshat e reja. Specialistët, që në ditët e para janë përballur me një indiferentizëm nga adoleshentët për të injektuar vaksinën. Sipas statistikave, rreth 8% e popullatës mendohet se është e prekur nga verdhëza. Por, ajo që shfaqet si problem, është indiferenca e të rinjve për të aplikuar vaksinën pranë qendrave shëndetësore. Sipas shefit të Epidemiologjisë në ISHP, Dritan Ulqinaku, Tirana është qyteti më problematik përsa i përket numrit të vogël të të vaksinuarve. Grupmoshat që janë më të rrezikuara dhe duhet të vaksinohen janë moshat 18 dhe 16 vjeç. Sipas të dhënave, rreth 60% e këtyre të rinjve janë vaksinuar, por kjo nuk është një shifër e kënaqshme.
Transmetimi
Verdhëza është sëmundje virusale infektive që dëmton mëlçinë e zezë. Mënyrat e transmetimit të këtij virusi janë disa. Një nga mënyrat është kontakti seksual, tipike për të rinjtë që janë në rritje. Por transmetimi bëhet edhe nëse nëna është mbartëse e virusit. Ajo e transmeton te fëmija i porsalindur. Duhet pasur kujdes në kontakt me personat që janë mbartës, sidomos në ambiente të populluara si në familje, konvikt, ushtri, shkolla etj.
Infektimi është i mundshëm kur përdoren nga shumë njerëz: krehri, furça e dhëmbëve, makinë-brisk rroje, gërshërë dhe pajisje të tjera që dëmtojnë qoftë edhe minimalisht tërësinë e lëkurës. Ai mund të merret edhe nëpërmjet rrugës së gjakut, tatuazh, shpim veshësh, përdorim narkotikesh, manipulim me instrumente josterile.
Vaksinimi
Sipas specialistëve të Shëndetit Publik, hepatiti B është po aq i rrezikshëm sa edhe sëmundja e SIDA-s. Vdekshmëria nga hepatitet është e lartë. Specialistët bëjnë apel për testimin në kohë dhe trajtimin e sëmundjes. Dhe për t’iu shmangur këtij virusi, mënyra më e mirë është vaksinimi. Ajo aplikohet në tri seanca dhe nuk ka efekte anësore. Doza e parë zgjidhet një ditë me dëshirë dhe pas një muaji merret doza e dytë. Doza e tretë injektohet gjashtë muaj pas marrjes së dozës së parë. Imunitet i qëndrueshëm arrihet pas aplikimit të tri dozave. ISHP ka nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit për promocionin e vaksinës kundër verdhëzës nëpër shkolla duke rritur kështu ndërgjegjësimin e t’u rinjve për t’u vaksinuar.
Pasojat
Hepatiti B ka efekte negative duke shkaktuar disa pasoja për trupin si:
-Infeksion akut
-Mbartje kronike
-Hepatit aktiv kronik
-Cirroza
-Kancer i mëlçisë së zezë
21 Janar 2010