Hipotekat do të raportojnë për të gjitha kontratat e shitblerjeve
Laureta Rryçi
Udhëzim i ri për këmbimin e dokumentacionit dhe informacionit ndërmjet zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe seksioneve të administrimit dhe mbrojtjes së tokës në këshillat e qarqeve. Sipas këtij udhëzimi, që mban firmën e dy ministrave, atij të Bujqësisë dhe të Drejtësisë, përcaktohet që tani e tutje hipotekat do t’i raportojnë për të gjitha kontratat e shitblerjeve që do të regjistrohen. Sipas këtij udhëzimi, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP) do t’u rikthejnë seksioneve të administrimit dhe mbrojtjes së tokës të qarqeve (SAMT) të gjitha planimetritë kadastrale origjinale, planshetet e hartave kadastrale dhe librat e ngastrave të disponuara prej tyre, të cilat u janë dorëzuar nga ish-zyrat e kadastrës (aktualisht SAMT-të e qarkut) koordinatorëve të sistemit të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme ose direkt ZVRPP. Kjo procedurë deri tani ishte bërë në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit Nr. 511, datë 1.12.1995 “Për dorëzimin e akteve të pronësisë dhe përdorimit të tokës bujqësore koordinatorëve të rretheve të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme”.
Dokumentet
Në udhëzim është përcaktuar se për nevoja pune, ZVRPP-të mbajnë fotokopjet e tyre për të gjitha kontratat e shitblerjeve që do të raportojnë. Dorëzimi do të bëhet me procesverbal dhe të përfundojë brenda muajit qershor 2010. ZVRPP t’i ofrojë SAMT-së së qarkut të gjitha kopjet e hartave treguese të regjistrimit (HTR) dhe librave të ngastrave (LN) në formë elektronike dhe/ose manuale. Fotokopjimi i HTR-ve dhe LN-ve do të bëhet në ambientet e ZVRPP-së brenda muajit qershor 2010. SAMT-ja e qarkut të caktojë një punonjës të tij, të pajisur me autorizim të kryetarit të këshillit të qarkut për fotokopjimin e dokumentacionit të përcaktuar në pikën 2 të këtij urdhri, sipas kërkesës që bëjnë zyrat e menaxhimit dhe të mbrojtjes së tokës (ZMMT) në komuna dhe/ose bashki. Të gjitha shpenzimet për marrjen e këtij dokumentacioni mbulohen nga buxheti i këshillit të
qarkut.
Evidencat
ZVRPP-ja e rrethit, sipas formatit të pasqyrës që i bashkëlidhet këtij urdhri dhe si pjesë përbërëse e tij, brenda datës 30 qershor dhe 31 dhjetor të çdo viti, përgatit evidencën 6-mujore të shitblerjeve të tokës bujqësore (arë, pemëtore, vreshta, ullishte) dhe ia dërgon SAMT-së së këshillit
të qarkut. SAMT e këshillit të qarkut, brenda datës 15 korrik dhe 15 janar të çdo viti, i dërgon MBUMK-së evidencën përmbledhëse 6-mujore të shitblerjeve të tokës bujqësore. Për zbatimin e këtij urdhri janë përfshirë institucionet si Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ZVRPP në rrethe, SAMT në këshillat e qarqeve.
21 Janar 2010