E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi, pro dialogut për hetimin e zgjedhjeve në përputhje me Kushtetutën

Partia Demokratike i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së selisë rozë për një tryezë dialogu që do të ketë si temë hetimin e zgjedhjeve. Pas kërkesës së kreut të PS-së, Edi Rama, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, pohoi dje në emër të PD-së se maxhoranca është e gatshme të kryejë një hetim të plotë dhe të ndershëm të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit nëpërmjet një komisioni të posaçëm parlamentar. Patozi u shpreh se PD-ja kërkon hetim të zgjedhjeve në përputhje me Kushtetutën, ndërsa nënvizoi se PD-ja është e gatshme t’i japë Ramës shumicën e pjesëtarëve në komisionin hetimor. “Jemi dakord për hetimin e plotë dhe të ndershëm të zgjedhjeve nëpërmjet një komisioni hetimor në të cilin opozita të ketë shumicën e pjesëtarëve. Ky hetim duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën”, - u shpreh Patozi. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së theksoi se dialogu me opozitën kërkohet në rrafshin institucional dhe ky dialog, sipas tij, duhet bërë në Parlament, dhe jo në rrugë. “Dialogu që kërkojmë me opozitën është në rrafshin institucional. Kërkojmë që opozita të kthehet në Parlament që dialogu të mos bëhet në rrugë, pasi edhe KE-ja, në raportin e saj, i kërkon një gjë të tillë opozitës”, - u shpreh Patozi. Ai ka vlerësuar raportin më të fundit të KE-së, duke theksuar edhe njëherë faktin që ky raport fton opozitën të ulet në Parlament.

21 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›