Tronditet familja shqiptare, në 2009-n u divorcuan 5600 çifte
Shqipëria gjatë viti 2009 shënon një shifër rekord të çifteve të divorcuara, duke shkuar në 5600 çifte që ndahen. Për ekspertët numri në rritje i divorceve ka shkaqe të ndryshme, si sociale e ekonomike, por dhe të disnivelit në angazhimet mes bashkëshortëve. Sipas sociologëve, çiftet që ndahen sot e kanë disi më të lehtë përballimin psikologjik të divorcit. Në sekretaritë e gjykatave të shkallës së parë në Shqipëri regjistrohen çdo ditë mesatarisht 15 padi për zgjidhje martese. Shifrat treguan se viti 2009 konfirmoi rritje krahasuar me një vit më parë, me rreth 7 për qind më shumë. Jo të gjitha kërkesat për divorc përfundojnë me ndarjen e bashkëshortëve. Një pjesë e vogël e tyre zgjidhen me pajtim e marrëveshje qysh në seancat paraprake gjyqësore. Ndërkohë që pjesa më e madhe e padive përfundon me hetim gjyqësor, në seanca që zgjasin nga 2-3 muaj në rreth dy vjet.
Shkaqet
Numri në rritje i divorceve vjen për disa shkaqe njëherësh, por primar është dhuna në familje. Sipas anëtares së kryesisë së Dhomës Kombëtare të Avokatisë në Shqipëri, Denisa Daka, faktorët socialë, ekonomikë e psikologjikë ndikojnë në përçarjen e familjes shqiptare. “Ndër to unë do të përmendja si më evidente dhunën e ushtruar ndaj bashkëshorteve në shumë raste. Në rastet që kam asistuar unë, 1 në 3 gra kanë pasur si shkak dhunën. Dhe kjo ka prishur ekuilibrat e të gjithë familjes. Një arsye tjetër është disniveli shoqëror. Në një kohë që gratë janë shtëpiake dhe burrat janë në karrierë. Apo e kundërta, kur gratë bëjnë karrierë dhe burrat nuk e gjejnë veten askund. Problemet e rënda ekonomike janë gjithashtu shkak për të prishur martesën mes bashkëshortëve. Emigracioni është një tjetër shkak për divorc. Shumë burra apo shumë gra kanë vendosur të emigrojnë. Por ai vakuum, kur njëri prej bashkëshortëve jeton vetëm me fëmijët, atëherë kjo është bërë sërish shkak”, - shpjegon juristja, e cila është marrë shpesh me të tilla padi civile. Avokatja Denisa Daka përmend dhe shkaqe të tjera që lidhen me abuzimin me pijet ose drogat nga pjesëtarët e familjes, gjithashtu dhe lidhjet jashtëmartesore, konfliktet për çështje pronësore, shkaqet shëndetësore etj.
Përballimi psikologjik
Sipas sociologut, Prof. dr. Zyhdi Dervishi, çiftet që ndahen e kanë disi më të lehtë përballimin psikologjik të divorcit. Por shoqëria e ka më të vështirë ta kapërdijë këtë akt. Një grua e divorcuar e ndien veten më të aftë ta përballojë opinionin rreth saj, në një kohë që opinioni është me agresiv ndaj saj. “Drama më e madhe, sipas mendimit tim, nuk është për të divorcuarit, por për fëmijën ose fëmijët e tyre. Sidomos kur këto janë vajza dhe në moshën e para-adoleshencës. Mendoj se çiftet, pasi bëhen me fëmijë, duhet të jenë më të kujdesshëm kur marrin vendimin për divorc. Natyrisht që një bashkëjetesë ose një martesë e konsumuar është e vështirë. Por shkakton problematika shumë të mëdha dhe divorci, sidomos kur në mes janë fëmijët. Sidomos kur këta fëmijë janë në moshë të njomë, në moshë të re, që s’e kanë kaluar kohën e adoleshencës. Kur kanë kaluar këtë moshë mbase divorci kalohet më lehtë nga ana psikologjike nga fëmijët”, - shprehet sociologu. Sipas tij, fëmijët që kanë prindër të divorcuar ndjehen në një pozitë të vështirë. Këta janë fëmijë që nuk përkrahen në përgjithësi nga anëtarët e fisit dhe nga shoqëria në një rrafsh më të gjerë. Shoqëria shqiptare ende vazhdon të funksionojë sipas një mendësie tradicionale. Është më e prirë të ndihmojë fëmijët me prindër të vdekur, pra ata që janë jetimë, sesa ata që janë me prindër të divorcuar.
Kodi familjes
Ndërsa për juristët dhe aktivistët e problemeve gjinore, përmirësimet që i janë bërë Kodit të Familjes kanë ndihmuar për zgjidhjen më të drejtë ligjore të martesave, për ndarjen e pronësisë dhe të detyrimeve për secilin bashkëshort. Kjo ndikon në zbutjen e efekteve negative për fëmijët apo pjesëtarët e tjerë të familjes pas aktit të divorcit.
21 Janar 2010