Adoleshenti nga Maqeonia, vjedh shtëpinë e tezes
Policia arrestoi 18- vjeçarin nga Gostivari me akuzën e vjedhjes së banesës, një ditë pas denoncimit të të dëmtuarve
Krimi ndodhi kur të afërmit e familjes së dëmtuar nuk ndodheshin aty, ndërsa i zoti i shtëpisë punonte në Sarandë
Tiranë- Një i ri shqiptar nga fshati Teplik i Gostivarit në Maqedoni, u arrestua mbrëmjen e të dielës nga policia e Komisariatit nr.5, në Kamëz, me akuzën e vjedhjes, së shtëpisë së tezes së tij në këtë qytet.
Nirman Çelebiu, 18 vjeç, u arrestua nga oficerët e hetimit të krimeve të këtij komisariati, me akuzën e vjedhjes, ndërsa dy ditë më parë tezja e tij, Dhurata Muça nga Dibra, me banim në Babrru denoncoi se vjedhjen e shtëpisë së saj gjatë kohës kur ajo dhe bashkëshorti dhe fëmijët e saj nuk kishin qenë në banesë. Sipas pretendimit denoncueses, në shtëpi asaj i ishin vjedhur një sasi prej 5 milionë lekësh të vjetra si dhe disa bizhuteri.
Menjëherë pas kallëzimit të dhënë në komisariatin e policisë nr.5, në Kamëz, nga e dëmtuara, blutë nisën hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe për arrestimin e autorit të mundshëm të krimit. Humbjen e parave e kishte zbuluar pikërisht tezja e të arrestuarit si i dyshuar, ndërsa bashkëshorti i saj, kishte shkuar të punonte në Sarandë bashkë me të birin e tij si usta në ndërtim.
36 -vjeçarja Muça kishte kërkuar në dollapin e rrobave në dhomën e gjumit, ku ndodheshin paratë sipas saj rreth 5 milionë lekë dhe disa bizhuteri, ndërsa nuk i kishte paratë. Menjëherë ajo lajmëroi të shoqin dhe denoncoi në polici vjedhjen.
Dyshimet e para të hetuesve ishin se vjedhja mund të ishte kryer nga njerëz të brendshëm për shkak se nuk ishte konstatuar së paku njeri i huaj të hynte në banesë, apo të kishte lëvizur në zonën ku banonte familja gjatë kësaj kohe.
Menjëherë policia shoqëroi disa persona të afërm të familjes Muça që kishin hyrë në banesën e tyre, gjatë ditëve përpara konstatimit të vjedhjes me qëllim përzgjedhjen e të dyshuarve. Mes tyre ishte edhe Nermani, 18- vjeçar me banim në Gostivar të Maqedonisë, kushëri i familjes Muça.
Gjatë marrjes së tij në pyetje nga policia ai fillimisht ka refuzuar të ishte përfshirë në vjedhje, por më pas hetuesit vërejtën kontradikta në deklarimet e tij. Kjo bëri që më pas oficerët e krimeve të ngrinin dyshime për të.
Pas këmbënguljes së hetuesve dhe deklarimeve të tjera, është mësuar se një natë përpara vjedhjes, ai kishte qëndruar në shtëpinë e vjedhur, ku banonin të afërm të nënës së tij. Sipas hetuesve, ai ka parë në një moment bashkëshorten e Muçës që merrte para nga dhoma. Një natë më vonë ai shkoi të qëndronte në familjen e një të afërmi tjetër, ndërsa Muça u largua në Sarandë bashkë me të birin për një ndërtim.
Në mesnatë adoleshenti është ngritur nga gjumi dhe më pas ka shkuar në shtëpinë e kushëririt ku kishte qëndruar një natë më parë, ku edhe më pas kishte vjedhur paratë dhe disa bizhuteri, si varëse unazë e byzylykë. Më pas ai i fshehu ato në një shtëpi që ishte në rikonstruksion e sipër.
Vetë më pas adoleshenti nga Dibra e Madhe, pranoi krimin dhe më pas i tregoi policisë edhe ku i kishte fshehur paratë. Gjatë kësaj kohe, ekspertët kriminalistë kanë pohuar se në vendin ku ishin vendosur paratë, ishin gjetur gjurmët e adoleshentit nga Maqedonia i arrestuar për vjedhjen e shtëpisë së kushërinjve të tij.