E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinikat private mbyllen nëse nuk plotësojnë standardet

Ministri i Shëndetësisë, Vasili, referoi në komision parlamentar se kanë nisur kontrolle të rrepta ndaj klinikave mjekësore private


Klinikat private do të jenë në shënjestrën e kontrolleve të rrepta. Në rast se grupi Task-Forc, i ngritur prej javësh për këtë qëllim, konstaton shkelje aktiviteti privat rrezikon edhe mbylljen.


Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, referoi dje në Komisionin Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë në lidhje me urdhrin e fundit për ngritjen e një grupi Task-Forc që do të kontrollojë standardizimin e shërbimit shëndetësor publik në përgjithësi dhe atij privat në vçanti.


Ndërkohë, deputetët socialistë i kërkuan ministrit që aksionet ndaj spitaleve private të mos bëhen vetëm për efekte mediatike, por të jenë reale dhe të vazhdueshme.


Kontrollet


Nisur nga ankesat e qytetarëve e denoncimet për raste të pasaktësisë së vënies së diagnozave mjekësore, apo dhe të tjera, në strukturat private, Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë një sërë kontrollesh për verifikimin e standardeve të ofrimit të shërbimit shëndetësor në to.


"Shërbim shëndetësor jopublik duhet të jetë i uniformizuar, duhet të ketë standardet dhe qëndrimi ndaj tij duhet të jetë po aq objektiv, sa ai që mbahet ndaj shërbimit publik", tha Vasili, duke shtuar se praktikat e reja të licencimit dhe vetëdeklarimit, sipas tij, nënkuptojnë në mënyrë ligjore kontrollin e mëpasshëm të vërtetësisë së gjithë asaj që është deklaruar nga subjekti, kur ai ka marrë përsipër të ofrojë shërbim privat.


Për specifikat që ka ky sektor, Vasili shpjegon se kontrolli është ndarë në 4 grupe të mëdha, spitalet private, klinikat e karakterit diagnostik, shërbimi stomatologjik, si dhe laboratorët dhe shërbimi farmaceutik. Ndërkohë, për këtë të fundit funksionon prej shumë javësh Task-Force, ndërsa specifikë ka qenë uniformizimi i shërbimit shtetëror dhe privat.


Ndërkohë, u vu në dukje se në rrethe është vënë në lëvizje mekanizmi i informacionit edhe për veprimtari eventuale mjekësore që ofrohen në mënyrë të paligjshme (pa licencë) e që janë fenomen akoma më negativ, informal, në sinjalizim të të cilave do të mbahen qëndrimet përkatëse ligjore.


Ndëshkimet


Vendimet e marra nga grupet e kontrollit në terren do të adresohen në Task-Forcën përkatëse, ndërsa më tej do të procedohet me vendimet përkatëse. "Në çdo shkelje të veprimtarisë nuk do të ketë hezitim edhe për kërkesën e ndërprerjes së veprimtarisë së aktivitetit.


Nuk do të ketë negocim me kushte të ofrimit të shërbimit shëndetësor që nuk përputhen me standardet", thekson Vasili, duke shtuar se praktika e licencimit ka nisur në vitin 2009 dhe duhet lënë një kohë e domosdoshme për hyrjen në këtë periudhë kontrolli dhe përgatitjen e mekanizmave përkatës.


Protokollet mjekësore, harrohen 80% e tyre


"Mbi 80 % e protokolleve të mjekimit janë përgatitur aktualisht, ndërkohë që po punohet me Qendrën Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve, për t'i standardizuar në mënyrë përfundimtare", kështu u shpreh ministri Vasili, i cili shpjegon se paralelisht me këtë po punojnë dhe grupet e përllogaritjes së kostos së shërbimeve shëndetësore.


Protokollet e mjekimit dhe kostoja e shërbimeve shëndetësore, sipas tij, janë një mungesë shumë e gjatë në sistemin shëndetësor dhe mendohet realizimi i këtij objektivi brenda vitit.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›