E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët "minojnë" Gërdecin, zvarritet procesi

Kreu i Avokatëve, Haxhia, i kërkoi gjykatës zëvendësimin e atyre që mungojnë, ndërsa drejtuesi i seancës i kërkoi masa për kolegët


TIRANË- Edhe pse ishte parashikuar prej shumë javësh më parë që gjyqi ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit do të zhvillohet çdo të hënë dhe të premte, përsëri avokatët munguan duke sjellë shtyrjen për të dytën herë të seancës gjyqësore.


Mungesa e tre avokatëve që lanë pa mbrojtje pesë të pandehurit e këtij procesi gjyqësor, e detyroi kryesuesin e treshes gjykuese gjyqtarin Ridvan Hado të ndërpresë seancën gjyqësore dhe të pezullojë afatet e paraburgimit për të gjithë të pandehurit e arrestuar.


Ky vendim pezullim shkaktoi reagimin e avokatit Maksim Haxhia njëherëzi kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë që mbron interesat e të pandehurve Mihal Delijorgji dhe kompanisë "Albademil" që kërkoi që ky vendim të mos jetë i zbatueshëm për ata të pandehur që avokati është prezent.


Por, gjyqtari Hado në arsyetimin e këtij vendimi, renditi ndër të tjera se "ky vendim është i ankimueshëm në Gjykatën e Apelit si dhe me cilësinë e drejtuesit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, avokat Haxhia mund ta zgjidhni këtë problem duke marrë masa që avokatët të mos mungojnë në seancat gjyqësore".


Pas këtij argumentimi të gjyqtarit Hado, seanca u ndërpre për të vazhduar të premten e kësaj jave më datë 2 korrik për pyetjen e 10 dëshmitarëve të akuzës, ku tre prej tyre ishin prezent në ditën e djeshme, por që nuk u pyetën për shkak të shtyrjes së seancës gjyqësore.


Ndërkohë, shtyrja për të dytën herë radhazi të seancës gjyqësore për mungesë të avokatëve, ka irrituar edhe familjarët e viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008 ku humbën jetën 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosen. Sipas tyre, kjo zvarritje është e qëllimshme për të humbur interesin e gjykimit të kësaj dosjeje penale. Deri më tani, Gjykata ka marrë në pyetje rreth 160 dëshmitarë të akuzës nga 390 që ndodhen në listën e saj për tu pyetur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›