Kamerat e rrobat zbuluan grabitësit e 9 kazinove

Grabitësit të monitoruar nga kamerat e sigurisë
Tiranë, Prokuroria: Përdorën veshje të njëjta, u filmuan nga kamerat.
Pretenca, 38 vjet burg për katër të arrestuar, qëlluan policinë.
Prokuroria paraqiti dje në Gjykatën për Krimet e Rënda pretencën e Prokurorisë për katër persona të akuzuar për nëntë grabitje me armë në Tiranë. Në një prej grabitjeve, autorët shkëmbyen zjarr me policinë. Sipas Prokurorisë, “preja” e tyre ishin kazinotë, marketet dhe subjekte të ndryshme tregtare në kryeqytet. Në konkluzionet përfundimtare, përfaqësuesi i Prokurorisë sqaroi se të pandehurit kishin të njëjtin mekanizëm në vjedhjet e tyre me armë, ku njëri neutralizonte truprojën duke i vendosur pistoletë në kokë, ndërsa tjetri shkonte te arka. “Të pandehurit Niklovan Curaj dhe Bejo Pasha kishin një marrëveshje të heshtur me njëri-tjetrin, që përveç grabitjes së arkës, vidhnin edhe sendet personale, telefona, portofola të personave që gjenin aty”, pohoi përfaqësuesja e akuzës. Sipas Prokurorisë, identifikimi i të pandehurve u bë përmes pamjeve të kamerave të sigurisë të ambienteve të vjedhura prej tyre, por edhe për shkak të veshjeve të tyre të njëjta në disa grabitje. Prokuroria kërkoi dënimin me 14 vjet e 8 muaj burg për të pandehurin Niklovan Curaj. Sipas Prokurorisë, ai duhet të deklarohet i fajshëm për akuzën e “vrasjes me dashje”, mbetur në tentative dhe për “vjedhje me armë” në 18 raste. Për të njëjtën akuzë, në 18 raste, Prokuroria kërkoi dënimin e të pandehurit Bejo Pasha me 12 vjet burg. Ndërsa për të pandehurit Ani Rrapaj dhe Jonida Curaj, të akuzuar vetëm për një episod, u kërkuan dënim me nga 6 vjet e 8 muaj secili. Katër të pandehurit e kësaj dosjeje u arrestuan mbrëmjen e 14 shtatorit 2011, pak momente pasi realizuan një grabitje në një pikë lojërash fati pranë sheshit “Avni Rustemi” në Tiranë. Të pandehurit ishin mbajtur në vëzhgim nga policia. Sapo realizuan “goditjen” e radhës, ata u gjendën përpara forcave të policisë, të cilat vepruan për arrestimin e tyre. Gjatë aksionit u shkëmbye zjarr, i cili shkaktoi të plagosur nga të dyja palët.
PËRGJIMET
“Bashkëbiseduesi i thotë se sapo kishte mbërritur në Greqi dhe se për një ditë do të ishte në Tiranë. Më konkretisht shprehet se ‘nesër do të nisem, pasnesër do të jem në Tepelenë dhe do të vij direkt në Tiranë’. Në datën 13.09.2011, ora 21:28, Bejo Pasha është telefonuar përsëri nga shtetasi posedues i numrit 0030…778, i cili ka rezultuar se është i pandehuri Niklovan Curaj. Niklovani i thitë Bejos se sapo kishte kaluar Larisën dhe po të kalonte shpejt doganën, do të nisej direkt për në Tiranë. Në vijim Niklovani i thotë Bejos të studionte ndonjë vend për të vjedhur, por të kishte kujdes dhe mos bënte budallallëqe. Më konkretisht: ‘E o mir, ik bëna ndonjë xhiro andej, dil ndonjë çikë vërdallë. Shiko mos na gjen ndonjë dup të mirë’. Bejo i thotë: ‘Unë do të shikoj, do shikoj. Do shikoj se jam bërrnut për vete. Do shikoj mos bëj ndonjë gjë vetë’”, thuhej në konkluzionet e Prokurorisë.
Pretenca
Niklovan Curaj 14 vjet e 8 muaj
Bejo Pasha 12 vjet burg
Ani Rrapo 6 vjet e 8 muaj
Jonida Curaj 6 vjet e 8 muaj
Armand Bajrami