E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adrian Paci: Berluskoni më ftoi të votoja për të


Mbërriti në Itali në vitin 1992, kur shqiptarët zbarkonin nga anijet e vjetruara dhe Berluskoni i priste gati në lot në portet e pritjes. “Unë në fakt mbërrita në Milano në një mënyrë më pak dramatike: me një bursë studimi. Studioja art dhe liturgji në Institutin “Beato Angelico”. I lindur në vitin 1969 në Shkodër, Adrian Paci ka jetuar katër jetë në Milano: prej studenti, punëtori, klandestini dhe tanimë prej artisti me një curriculum të pasur, përfshirë ekspozita në sallat më të rëndësishme ndërkombëtare dhe çmimin e edicionit XV të kuatrinales së artit në Romë.

“Kisha ardhur me kuriozitet dhe pafajësi, por ishin vitet kur Lega, në vitin 1997 prezantohej me sloganin: një votë më shumë Legës, një shqiptar më pak në Milano”, thotë Paci. “Ndiheshe i padëshiruar. Tanimë nuk janë shqiptarët që kërcënojnë identitetin e lombardëve, por fobia për të huajt dhe të ndryshmet ka mbetur. Por, historia ime milaneze është shkruar gjithashtu nga njerëz të mrekullueshëm, të cilët më kanë ndihmuar”.

I pari ndër të gjithë, restauratori Luciano Formica, i cili përveçse e mirëpriti në studion e tij të madhe në rrugën “Solari”, ishte edhe mbrojtësi i tij i parë. “Pas pjesëmarrjes sime në ekspozitën ndërkombëtare ‘Manifesta’, më thotë: Adrian, tani duhet të bësh vetëm artistin, do të mbështes unë”, thotë Paci, që nuk harron të tjerë burra e gra, që i kanë paguar qiranë, apo e kanë mikëpritur gratis me familjen në Bruzzano. “Tani jetoj në Milano, në rrugën ‘Pergolesi’, më pëlqen sepse nuk më duhet më të përdor makinën: gjithçka është afër, kinemaja, kafenetë, restorantet, shkolla. Megjithatë, në Bruzzano ka më shumë jetë lagjeje, njerëzit njihen dhe flasin me njëri-tjetrin”.

Nëse e pyet se si do t’i përkufizonte milanezët, të thotë: “Kam mbi vete menjëherë klishenë e shqiptarit kriminel, kështu që nuk u besoj përkufizimeve. Kam njohur milanezë dhe jo vetëm, të të gjitha tipave dhe kam pasur takime të mrekullueshme. Por nuk mund të them se ndihem tërësisht pjesë e qytetit; ruaj një lloj distance, ndërkohë që duhet marrë parasysh që çdo vit më duhet ta ripërtërij lejeqëndrimin dhe të shkoj në kuesturë kur shkoj në vendet jo Shengen”.

Prej 18 vjetësh në Milano, sipas ligjit, Paci mbetet një ekstrakomunitar, ashtu siç thotë një prej veprave të tij “I can’t”. “Një ditë mora një letër nga Berluskoni. Niste me ‘I dashur Adrian!’ dhe më ftonte të votoja për PDL-në. Përfundonte me ‘të përqafoj fort’. Ishte një letër shumë e afërt, por Berluskonit i kishte shpëtuar një ‘detaj’: unë nuk mund të votoj. Kështu që realizova një vepër, ku kisha vendosur një letër të bardhë, ku shkruaja: ‘Nuk mundem!’”...

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›