E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neziraj për “Odisenë”

Gjashtë autor nga disa vende të botës, në këtë bashkëpunim i përfshirë edhe dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj, janë bërë bashkë, të ftuar nga regjisori amerikan Doug Howe, për të krijuar secili në formën e tij, për të bërë një tërësi mbi një dramë të quajtur “Longing, Lingering, Lost” , fragmente të së cilës priten të shfaqen para publikut parisian më 15 qershor. Projekti është produksion i “The Internationalists”, në bashkëpunim edhe me “the Bilingual Acting Workshop” dhe “The Arts Arena/American University of Paris”. Si tërësi apo si shfaqje realizohet në kuadër të një projekti të madh ndërkombëtar “The Odyssey Project”.

Neziraj për pjesëmarrjen e tij në këtë projekt pohon se është ftuar nga vetë regjisori.

“Unë jam ftuar nga regjisori i shfaqjes Doug Howe të shkruaj për këtë projekt. Ai ka lexuar disa nga dramat e mia të mëhershme dhe ka konsideruar që stili im i të shkruarit mund të jetë me interes për të kontribuar për këtë projekt”, thoshte Neziraj.

Përveç Nezirajt në projekt janë të përfshirë edhe dramaturgët Sebastien Joanniez (Francë), Sigtryggur Magnason (Islandë), Joel Horwood (Angli), Ozen Yula (Turki) dhe Nikolai Khalezin (Bellarusi). “Drama e shkruar përmban fragmente të shkruara nga disa autorë, ndër të cilët edhe unë, rreth temës së “Odisesë”, respektivisht, rreth koncepteve tematike “udhëtimi, kthimi, shtëpia, pritja etj” që në njëfarë mënyre lidhen me mitin për Odisenë nga poema homerike. Ne kemi shkruar nga perspektiva të ndryshme dhe besoj që kjo është interesant edhe për këtë projekt teatri. Secili nga ne dramaturgët kemi zgjedhur nga një personazh nga poema “Odiesa” dhe mandej kemi shkruar prej perspektivës së atij personazhi”, shprehet Neziraj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›