E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adrian Rizvani, shqiptari është mbreti i Futsalit në Finlandë

Minifutboll Lojtari nga Kamza, shpallet golashënuesi më i mirë me 22 gola

Pas emrave me peshë të shpërndarë nëpër ligat e ndryshme europiane, tashmë futbollistët shqiptarë po shkëlqejnë edhe në futbollin “e vogël”, atë të sallave. Adrian Rizvani, lojtari me origjinë nga Kamza, në periferi të Tiranës, është shpallur golashënuesi më i mirë në elitën e minifutbollit finlandez (Futsal Liga). Me fanellën e skuadrës së Tervarit, ai ka arritur të realizojë plot 22 gola, duke e lënë pas vetes lojtarin e TPK, Kai Lempinen (me 21 gola). Kjo arritje vjen si rezultat i një pune të gjatë të shqiptarit, që gjatë sezoneve të kaluar, ishte klasifikuar gjithmonë në mesin e klasifikimit të golashënuesve më të mirë të këtij kampionati. “Shpresoja se një ditë do të arrija të shpallesha golashënuesi më i mirë. Kam punuar shumë dhe me seriozitet për të arritur deri këtu. Ky ishte synimi im në përgatitjet me skuadrën dhe gjatë ndeshjeve miqësore që kemi zhvilluar përpara startit të sezonit”, deklaroi Rizvani për kosovaren “Express”. Ai beson se falë formës së mirë që po kalon, do të arrijë të marrë çmimin për golashënues dhe gjatë sezonit të ardhshëm, ndërsa kërkon që të fitojë edhe titullin kampion me Tervarin, skuadër në të cilën militon prej shtatë vitesh. Paraqitjet e mira të viteve të fundit kanë bërë që Rizvani të përfshihet edhe në Kombëtaren finlandeze të minifutbollit. “Gjatë vitit të kaluar jam grumbulluar në përfaqësuesen e Finlandës, duke luajtur dy ndeshje. Pres që të marr sërish një ftesë nga kjo skuadër”, shtoi ai. Por, pavarësisht sukseseve të arritura në futbollin e sallave, prioritet i shqiptarit mbetet futbolli i madh. Ai ka filluar ta praktikojë sportin më popullor në botë prej moshës 8-vjeçare, duke e nisur karrierën te Dajti, ndërsa në vitin 1998 emigroi jashtë vendit. “Edhe pse ndihem mirë kur luaj në fusha të vogla, prioriteti im është futbolli i madh. Në Futsal Liga aktivizohem duke përfituar nga pauza ndërmjet kampionateve”, nënvijëzoi lojtari që te Tervari aktivizohet si sulmues, ndërsa me skuadrën e tij, në futbollin 11 kundër 11 mbulon rolin e mesfushorit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›