Salihi, në garë për një fanellë titullari
Hamdi Salihi vazhdon të jetë në garë për një vend në formacionin titullar të Rapidit të Vjenës. Të dielën, skuadra e drejtuar nga Peter Pakult do të presë në fushën e saj Austrinë e Vjenës, ekipin me të cilin ndajnë vendin e dytë në klasifikim. Ndërkohë, sulmuesi kuqezi nuk e ka të sigurt aktivizimin në këtë sfidë. Rikthimi i Nikica Jelaviç, i cili do të jetë në fushë me një maskë në fytyrë, pavarësisht operacionit në hundë, i ka zvogëluar shanset e Salihit, për të luajtur prej minutës së parë. Shkodrani është në balotazh me Kristofer Trimel dhe Rene Gartler, pavarësisht faktit se është golashënuesi më i mirë i Rapidit në këtë sezon, me 12 gola të realizuar. Por, “agjërimi” i Salihit, duket se ka ndikuar edhe në rezultatet e skuadrës. Në fazën e dytë, Rapidi ende nuk ka arritur ta shijojë fitoren: 1 pikë e marrë pas tri ndeshjeve të para ka bërë që ky të jetë starti më i keq i gjysmës së mbetur të kampionatit në 12 vitet e fundit. Sfida kundër Austrisë së Vjenës vlen për të përcaktuar ekipin që do të jetë anti-Salzburg në garën për titull, edhe sepse këta të fundit kryesojnë kampionatin austriak me gjashtë pikë më shumë se dy ndjekëset.
#