E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pankinën apo fushën, Mukaj në dilemë

“Dëshiroj ende shumë që të luaj futboll, ndaj do ta mendoj mirë këtë çështje”

Ka fatin të drejtojë një nga pankinat më të rëndësishme dhe me më shumë histori, por njëkohësisht dëshiron të shijojë edhe për disa kohë futbollin e luajtur në fushën e blertë, nga i cili ka marrë shumë kënaqësi, por ende nuk është ngopur plotësisht. Por së fundmi duket se do t’i duhet të zgjedhë vetëm njërën prej tyre. Bëhet fjalë për Devis Mukajn, i cili prej ndeshjes me Vllazninë më 7 shkurt 2008 mban postin e trajnerit-lojtar te Tirana, skuadra rekordmene me 24 tituj kampionë të Shqipërisë. Por ka pasur fatin e keq, pasi deri tani nuk i ka ekzekutuar të dyja detyrat. Ka qenë i përkushtuar vetëm si trajner në katër ndeshjet e fundit: (Tirana-Vllaznia 0-1, Shkumbini-Tirana 1-0. Tirana-Laçi 1-0 dhe Tirana-Kastrioti 0-1). Por edhe këtë detyrë i është dashur ta bëjë nga tribuna dhe jo nga stoli, për vetë faktin se që nga dita e emërimit e deri më sot nuk ka qëndruar për asnjë ndeshje në stol, për arsye se figuron i pezulluar për pesë javë për shkak të incidenteve të ndodhura në derbin e humbur 2-1 ndaj Dinamos më 25 janar 2009, kur pas një debati me sulmuesin e bluve Elis Bakajn, e goditi këtë të fundit me kokë. Komisioni i Disiplinës e pezulloi për 8 javë, ndërkohë që Apeli ia uli në 5. Kjo i ka mohuar pikërisht aktivizimin si lojtar në fushë, por njëkohësisht edhe drejtimin e bardhebluve nga stoli. Gjithsesi, fundjavën e ardhshme ai shlyen dënimin dhe do të ketë mundësinë të përmbushë plotësisht detyrën e tij si trajner-lojtar i bardhebluve. Megjithatë duket se për momentin nuk e shikon si profesion punën e trajnerit. Mukaj që prej ditës së tij të parë si trajner i bardhebluve, ka deklaruar se nuk është ende koha që ai të bëjë trajnerin, por në të njëjtën kohë ka pranuar këtë përgjegjësi deri në fund të këtij sezoni për të ndihmuar Tiranën. "Për momentin do të vazhdojmë me këtë mënyrë drejtimi deri në fund të kampionatit. Më pas drejtimin e skuadrës duhet ta marrë dikush që e njeh këtë ambient, por dhe ka dëshirën e ambicien për të bërë gjëra të mëdha. Duhet pritur qershori fillimisht, e më pas të nisin projektin konkret për Kupat e Europës dhe sezonin e ardhshëm. Unë si trajner i Tiranës kam pranuar ta bëj këtë rol vetëm në mënyrë provizore. Presidenti Halili kërkoi të vendoste në krye të skuadrës dikë që ishte i afërt dhe brenda problemeve që ne po kalonim dhe unë pranova”, është shprehur Mukaj. Detyra e trajnerit, e para nga këndvështrimi i tij, nuk është e lehtë. është vetëm 33 vjeç dhe nuk e sheh veten ende mirë në pankinë: dëshira e tij është ajo e vazhdimit të futbollit të luajtur me kohë të plotë dhe për disa vite, pasi mendon se ka ende çfarë të japë. “është shumë e vështirë të jesh lojtar edhe trajner, sqaron Mukaj. Nuk po stërvitem si duhet se më duhet të drejtoj edhe stërvitjet e skuadrës. Dëshira ime më e madhe është të vazhdoj të luaj futboll dhe do ta mendoj mirë këtë çështje. Tani dua vetëm të gjej formën dhe të rikthehem në fushë për të luajtur”. Për ndeshjen e radhës, Tirana do të duhet të udhëtojë fundjavën e ardhshme në drejtim të Vlorës, ku do të të përballet me Flamurtarin vendas.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›