Aeroplani i nisur për në Prishtinë, u kthye në Vjenë

Aeroplani i udhëtarëve i kompanisë austriake “Osteriche airlines” (AUA) gjatë fluturimit nga Vjena për në Prishtinë, është kthyer në aeroportin vjenez Schwechat për arsye të problemeve teknike.
Zëdhënësi i kompanisë austriake të fluturimeve konfirmoi këtë lajm, i cili është publikuar në ueb faqen “Osteriche Wings”.
Si njoftohet, gjatë fluturimit nga Vjena për në Prishtinë, piloti kishte vërejtur vlera më të larta të vibrimit në njërin nga motorët e aeroplanit të tipit Fokker 70, transmeton Koha.
“Pasi që siguria e udhëtarëve është prioriteti ynë më i lartë, piloti ka vendosur të kthehet në aeroportin e Vjenës dhe ta dërgojë aeroplanin në kontroll teknik. Aterrimi në aeroportin e Vjenës u bë pa kurrfarë problemesh”, sqaroi zëdhënësi i kompanisë austriake të fluturimeve.
Udhëtarët e këtij aeroplani janë orientuar në fluturime të tjera për në Prishtinë./Indeksonline/