Kartat, qeveria vendos sërish afate
Qeveria përcaktoi afatin nga 1 prilli deri më 1 maj si periudhë aplikimi për kartat e identitetit vetëm për shtetasit pa pasaportë. Të gjithë personat që janë të pajisur me këtë dokument, kanë të drejtë të aplikojnë vetëm pas datës 1 qershor, në të kundërt do të përballen me penalizime. "Nëse nga grupet e monitorimit vërehen, gjatë aplikimit, shkelje të afateve e të procedurave, të parashikuara në këtë vendim, nga punonjësit përkatës të Zyrës së Gjendjes Civile, për shtetasit që disponojnë pasaportë, kostoja e aplikimit do t‘i ngarkohet punonjësit përgjegjës", deklaroi dje Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë. Këshilli i Ministrave miratoi dje disa ndryshime në vendimin për pajisjen e shtetasve shqiptarë me letërnjoftimin elektronik, që kanë të bëjnë me përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese për ata që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve. Në bazë të ndryshimeve të miratuara, procedura e aplikimit për shtetasit, të cilët disponojnë pasaportë, fillon më datën 1 maj 2009. Nga ky rregull bëjnë përjashtim ata që kanë aplikuar brenda datës 31 janar 2009, për të cilët pajisja do të vazhdojë rregullisht. Ndërsa në njësitë e qeverisjes vendore, ku nuk ka filluar ende procesi i aplikimit për pajisjen me letërnjoftim, procedura e aplikimit për shtetasit që disponojnë pasaportë do të fillojë më 1 qershor 2009. Të gjithë pensionistët që marrin pension minimal në qytet dhe në fshat do të përfitojnë uljen e përcaktuar në vendimin më të ri të qeverisë për letërnjoftimet. Çmimi i kartës për këtë kategori do të jetë 300 lekë të reja. Studentët do të paguajnë vetëm 200 lekë nëse arrijnë të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar nga Ministria e Brendshme, 1 maj. Pas kësaj date, Këshilli i Ministrave do të ndajë fondin prej 500 milionë lekësh për kompensimin e pensionistëve, studentëve apo qytetarëve të tjerë që kanë bërë aplikimet për t‘u pajisur me letërnjoftime. Kartat e identitetit nuk do të përdoren vetëm për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit, por do të shërbejnë edhe për të udhëtuar, apo për të përfituar shërbimet publike. Çmimi 200 lekë do të jetë edhe për të rinjtë të cilët sapo kanë mbushur moshën për të votuar në këto zgjedhje. Falas, karta e identitetit do të shpërndahet për të verbrit dhe personat me aftësi të kufizuar. Fondi i caktuar nga qeveria në fillim të këtij viti ka shifrën 500 milionë lekë. Procesi i aplikimit të kartave të identitetit ka filluar në mesin e muajit janar dhe deri tani asnjë prej këtyre personave nuk është kompensuar. Rregullat e hollësishme dhe mënyrat e pagesës së kompensimit janë përcaktuar në udhëzimin e përbashkët të ministrit të Financave, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Zvarritja e këtij procesi tregon një rrezik potencial për mënyrën sesi shqiptarët do të votojnë më 28 qershor.