Afera e tenderave, ish-zv/ministri, Jaka, 1 vit e 20 ditë burg
Gjykata e shkallës së parë ka marrë sot vendimin për zyrtaret e larte per aferta korruptive te tenderave. Gjykata vendosi te shpalle fajtore zyrtaret e akuzuar, perfshire ketu edhe zevendesminitrin e Transporteve Nikolin Jaka.Nikolin Jaka zëvendësmisnitri i Transporteve ka marrë sot dënimin nga gjykata, e cila e ka konsideruar fajtor për akuzat ndaj tij. Ai është dënuar me 1 vit e 20 ditë burg dhe Jaka nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për tre vjet.
U cilësuan fajtorë edhe zyrtarët e tjerë për aferat me tenderat e rrugëve.
Ilir Berzhani është dënuar me dy vjet heqje lirie dhe 2 milionë lekë gjobë. Ai nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 5 vjet.
Arjan Sheti është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg dhe 600 mijë lekë gjobë.
Isuf Ukperaj është dënuar me 1 vit e 20 ditë burg.
Skënder Bokçiu është dënuar me 1 vit e 20 ditë burg.
Bashkim Kamberi është dënuar me 1 vit e 20 ditë burg.
Xhevahir Muçogllava është dënuar me 1 vit burg.
Prokuroria kishte kërkuar në total 19 vjet heqje lirie për të pandehurit, por gjykata ka vendosur ndryshe duke iu dhënë as gjysmën e tyre.
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 18 vjet e 9 muaj burg si dhe 9 milion lekë gjobë për ish-zyrtarët e Ministrisë së Transporteve dhe Drejtorisë së Rrugëve.
Prokurori i çështjes, Ardian Braho, ka kërkuar nga gjykata të deklarohen fajtorë të shtatë të pandehurit për akuza të ndryshme dhe masa të dënimi po të ndryshme.
Akuzat...
Në fund të muajt korrik 2007, në ambientet e shoqërisë 'Triss Ndërtim" sh.p.k është realizuar një takim midis ish-drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, Ilirjan Berzani dhe disa përfaqësues të shoqërive të cilat operojnë në fushën e ndërtimeve të interesuara për pjesëmarrjen e tyre në prokurime të fondeve publike me objekt ndërtimin e rrugëve në periudhën korrik 2007 gusht 2007.
Në fund të muajt korrik 2007 dhe në fillim të gushtit 2007, në DPRR janë prokuruar fonde publike për investime me objekt ndërtimin e disa rrugëve dhe më konkretisht:
Rruga paralele me autostradën Tiranë – Vorë (datë 01.08.2007, ora 14:00)
Rruga Himarë e Vjetër – Kthesa e Pilurit (datë 01.08.2007, ora 10:00)
Rruga Has – Qafë Prush (datë 03.08.2007, ora 10:00)
Rruga Dragobi Valbonë etj.
Të gjitha këto prokurime përmbanin pune ndërtimesh me vlera relativisht të mëdha financiare.
Qëllimi i takimit të sipërpërmendur ka qenë përcaktimi i fituesve të tenderëve të mësipërme. Konkretisht, është vendosur që për rrugën Tiranë-Vorë të shpallet fitues bashkimi i shoqërive "Salillari" sh.p.k dhe "Gjoka" sh.p.k; për rrugën Has-Qafë Prush të shpallet fitues bashkimi i shoqërive "Arifaj" sh.p.k., "Vëllazëri" sh.p.k dhe "Albavia" sh.p.k.; për rrugën Himarë e Vjetër – Kthesa e Pilurit të shpallet fitues shoqëria "Triss Ndërtim"sh.p.k. etj.
Pavarësisht marrëveshjes së mësipërme, midis shoqërive që kanë marrë pjesë në atë takim kanë lindur më pas disa mosmarrëveshje në lidhje me ndarjen e tenderëve midis tyre, pasi ato nuk kanë pasur sigurinë e nevojshme nëse marrëveshja në fjalë do të zbatohej plotësisht. Po kështu, edhe përfaqësuesit e shoqërive të tjera të ndërtimit që nuk ishin ftuar në atë takim, kur morën dijeni rreth një fakti të tillë, shfaqen pakënaqësitë e tyre.
Për këtë arsye, përpara zhvillimit të tenderëve, por edhe pas zhvillimit të tyre midis të pandehurve Ilirjan Berzani; Bashkim Kamberi; Nikolin Jakadhe përfaqësuesve të shoqërive të tjera pjesëmarrëse në tenderët e këtyre ditëve janë zhvilluar takime dhe biseda telefonike të shpeshta.
Më konkretisht, përpara zhvillimit të këtyre tenderëve është realizuar, në datën 01.08.2007, në një bar përballë ambienteve të DPRR, një takim midis shoqërive pjesëmarrëse dhe atyre jo pjesëmarrëse në takimin ku është bërë marrëveshja. Në këtë takim është biseduar në lidhje me këtë marrëveshje si dhe u është kërkuar shoqërive që nuk ishin pjesë e marrëveshjes të tërhiqeshin nga pjesëmarrja në tenderët në fjalë.
Ilirjan Berzani është informuar se firmat jo pjesëmarrëse në takim kishin rënë dakord të mos merrnin pjesë në tender përveç shtetasit Fatmir Kuçi. Ilirjan Berzani është informuar gjithashtu se bashkimi i dy shoqërive të tjerakërkonte të merrte pjesë në tenderin e rrugës Himarë e Vjetër-Kthesa e Pilurit.
Ilirjan Berzani mori përsipër të bisedojë vetë me pronarin e firmës,ndërsa përsa i përket shoqërisë tjetër ai njoftoi Nikolin Jakën që të ndërhynte tek pronari i kësaj firme që të tërhiqej nga pjesëmarrja në tender.
Ilirjan Berzani u vu në dijeni se edhe dy kompani të tjera kërkonin të merrnin pjesë në tenderin e rrugës Has – Qafë Prush.
Ilirjan Berzani i telefonoi përfaqësueses së njërës prej shoqërive dhe i bëri presion asaj që të tërhiqej nga pjesëmarrja në tenderin e sipërpërmendur, duke i premtuar pjesëmarrjen në një tender që do të zhvillohej pak kohë më vonë.
Me qëllimin që mosmarrëveshjet të sheshoheshin, Ilirjan Berzani ka komunikuar drejtpërdrejt si dhe nëpërmjet të pandehuri Bashkim Kamberi me kryetarin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Xhevahir Muçogllavën duke i kërkuar këtij të fundit të shtynte oraret e zhvillimit të tenderëve. Një gjë e tillë u bë për shkak të mosmarrëveshjeve të lindura në moment dhe të paparashikuara nga ana e Ilirjan Berzanit.
Tenderat për ndërtimin e rrugëve Tiranë-Vorë dhe Himarë e Vjetër-Kthesa e Pilurit u zhvilluan në oraret e caktuara më parë. Përse i përket tenderit të parë, Ilirjan Berzani është informuar se skema ka funksionuar normalisht, siç ishte parashikuar, ndërsa për tenderin e dytë kishte sjelle probleme futja në tender e dy shoqërive të "rebelëve". Për këtë arsye, Ilirjani mori përsipër të sheshonte mosmarrëveshjet.
Nikolin Jaka është shprehur i shqetësuar në lidhje me futjen në tender të një kompanie dhe mori përsipër që t'i telefononte atij si dhe porositi Ilirjan Berzanin që t'i bëjë të qartë këtyre shoqërive marrëveshjen e arritur më parë dhe t'u bëjë atyre presion që të tërhiqen, duke u premtuar edhe dhënien e tenderave të tjerë që do të zhvilloheshin në një kohë të mëpasme. Të pandehurit Nikolin Jaka, Ilirjan Berzani dhe Bashkim Kamberi kanë kryer veprime të ngjashme me ato të përshkruara më sipër, me anë të të cilave synohej të favorizoheshin shoqëri të ndryshme për të fituar tenderët e zhvilluara nga DPRR edhe në rastin e procedurave të prokurimit të fondeve publike për supervizionin e ndërtimit të rrugës Rrëshen – Kalimash. Konkretisht, nën ndikimin e Nikolin Jakës, Ilirjan Berzani ka marrë kontakte me përfaqësuesit e njërës prej shoqërive të interesuara për të marrë pjesë në këtë tender dhe u ka premtuar atyre se do t'i ndihmojë për përgatitjen e dokumentacionit me qëllim dhënien e një avantazhi atyre, në krahasim me shoqëritë e tjera të interesuara. Këtë gjë ai do ta realizonte nëpërmjet kritereve dhe specifikimeve teknike, të cilat do bënin të mundur kualifikimin e tyre dhe do të vështirësonin pjesëmarrjen e shoqërive të tjera në këtë tender. Për këtë gjë, Ilirjan Berzani i ka kërkuar Bashkim Kamberit që t'u japë orientimet e duhura shtetasve në fjalë.
Me datën 13.06.2007, me urdhrin e prokurimit Nr.69 të Drejtorisë së Përgjithshme DPRR, është urdhëruar prokurimi i fondeve publike për investimin me objekt ndërtimin e rrugës nacionale Has – Qafë Prush me vlerë fon limit 565.439.570 lekë.
Ashtu siç është përmendur më sipër, në takimin e zhvilluar në ambientet e shoqërisë "Triss Ndërtim" është vendosur nga shoqëritë pjesëmarrëse që përsa i përket prokurimit të ndërtimit të rrugës Has – Qafë Prush, fituesi të jetë shoqëria 'Arifaj".
I pandehuri Skënder Bokçiu, në këtë kohë ndodhej së bashku me të pandehurin Arjan Sheti në ambientet përreth DPRR ku po zhvillohej tenderi. Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se Arjan Sheti ka patur marrëdhënie të ngushta shoqërore me Skënder Bokçiun. Me qëllim që të funksiononte marrëveshja e sipërpërmendur për të nxjerrë fitues në këtë tender bashkimin e tre firmave, Skënder Bokçiu pasi merr dijeni mbi klasifikimin ku ai renditej i pesti, i ka dhënë Arjan Shetit një ofertë tjetër me disa të dhëna të ndryshme në vlerën ekonomike nga oferta e parë, e paraqitur përpara KVO-së.
Sqarojmë se nuk bëhet fjale për ofertën e plotë, por për një pjesë të saj dhe një gjë të tillë është bërë me qëllim që kur të bëhej shqyrtimi fletë për fletë i ofertave të shoqërive pjesëmarrëse nga anëtarët e KVO-së të deklarohej si gabim aritmetik në mbledhjen e gjithë zërave të detajuar të ofertës dhe më pas të ulej vlera e ofertës në total duke paraqitur si korrigjim i gabimeve materiale (njerëzore) të bëra nga ofertuesi përkatës Me pas, i pandehuri Arjan Sheti ia ka dhënë ofertën e korrigjuar Xhevahir Mucogllavës i cili e ka futur atë në ofertën e bashkimit të shoqërive "ARIFAJ" Sh.p.k, "VËLLAZËRIA" sh.p.k, dhe "ALBAVIA" sh.p.k. Ky "korrigjim aritmetik" është pasqyruar edhe në procesverbalin Nr.2 datë 03.08.2007.
Si rezultat i "korrigjimit" të mësipërm, bashkimi i shoqërive "ARIFAJ" sh.pkk, dhe "ALBAVIA" sh.p.k, ngai pesti që ishte renditur më parë, u rendit i treti midis pjesëmarrësve në tender.
Po kështu edhe më pas datës 3.8.2007, i pandehuri Arjan Sheti është treguar i interesuar në drejtim të kryetarit të anëtarëve të tjerë KVO-së me qëllim favorizimin nga ana e tyre të bashkimit të shoqërive "ARIFAJ" sh.p.k, , "VËLLAZËRIA" sh.p.k, dhe "ALBAVIA" sh.p.k., për shpalljen e tyre fitues të këtij tenderi. Në datën 08.08.2007, Xhevahir Mucogllava ka kërkuar garanci nëpërmjet Arjan Shetit, ky i fundit, nëpërmjet të pandehurit Skënder Bokciu, nga drejtori i përgjithshëm i DPRR me qëllim miratimin e procedurave të mëvonshme për shpalljen fitues të Skënder Bokciut. Për këtë qëllim Arjan Sheti komunikon me Skënder Bokciun i cili merr përsipër të takohet me Ilirjan Berzanin. Gjatë kësaj periudhe, midis të pandehurve Isuf Ukperaj (pronar i shoqërisë "VËLLAZËRIA" sh.p.k) dhe Skënder Bokciu janë zhvilluar biseda telefonike të cilat tregojnë që ata po përgatisnin një shumë parash, për t'ia dhënë Ilirjan Berzanit me qëllim që ky i fundit të jepte miratimin për vazhdimin e mëtejshëm të procedurave dhe klasifikimin e bashkimit të shoqërive "ARIFAJ" sh.p.k, "VËLLAZËRIA" sh.p.k, dhe "ALBAVIA" sh.p.k. si fitues të tenderit në fjalë.
Për takimin midis Skënder Bokciut dhe Ilirjan Berzanit si dhe mundësinë për t'i dhënë paratë, Skënderi ka informuar Arjan Shetin. Në mbrëmjen e datës 08.08.2007, Arjani ka lënë takim me Xhevahir Muçogllavën dhe për këtë arsye ata thërrasin edhe Skënder Bokçiun. Ky i fundit ka pranuar takimin, por e ka shtyrë atë pak më vonë , pasi do takonte ndërkohë Ilirjan Berzanin. Takimi midis Skënderit dhe Ilirjanit është bërë në mjediset e një hoteli dhe pas këtij takimi, Skënderi e informon Arjan Shetin që ka takuar Ilirjan Berzanin, të cilin e ka parë në shoqërinë e shtetasit Fatmir Kuçi (pronar u shoqërisë "VIKTORIA INVEST" sh.p.k pjesëmarrëse në tender). Skënderi i ka ofruar paratë, por Ilirjan Berzani duke patur frikë t'i marrë ato e ka shtyrë këtë gjë për më vonë.
Në kohën që është zhvilluar takimi i mësipërm, Arjan Sheti ka qenë në shoqërinë e Muçogllavës. Atë natë Skënderi me Ilirjan Berzanin nuk u takuan më. Skënderi ka telefonuar prapë Arjan Shetin të cilin e ka informuar mbi faktin që nuk e ka takuar dot më Ilirjanin.
Gjatë kësaj bisede, Arjan Sheti e këshillon Skënderin që të mos ia japë paratë për momentin, kur Skënderi i thotë se i ka thënë Ilirjan Berzanit që do ia japë, Arjani e këshillon përsëri që t'i japë një pjesë të vogël të parave, por jo të gjitha.
Në datë 10.08.2007 shtetasi Skënder Bokçiu ka lënë një takim me Ilirjan Berzanin paraditen e kësaj dite, Takimi në fjalë është shtyrë për pasdite. Rreth orës 17:00, Skënder Bokçiu i ka telefonuar Isuf Ukperajt dhe një personi tjetër të paidentifikuar dhe u ka kërkuar atyre të bëjnë gati lekët dhe t'ia çojnë atij. Po rreth kësaj ore Skënder Bokçiu ka takuar Nikolin Jakën, i cili i ka kërkuar 10 për qind të vlerës së tenderit me qëllim që të ushtronte ndikimin e tij tek Ilirjan Berzani për shpalljen fitues të bashkimit të shoqërive "ARIFAJ" sh.p.k, , "VËLLAZËRIA sh.p.k, dhe "ALBAVIA" sh.p.k.
Rreth orës 20:00-20:30, Skënder Bokçiu e ka lënë për t'u takuar me Ilirjan Berzanin në një lokal në zonën e "21 dhjetorit". Tek ky lokal, Ilirjan Berzani takonte shpesh pasditeve Bashkim Kamberin me të cilin diskutonin probleme të ndryshme pune. Ilirjan Berzani ka takuar Bashkim Kamberin jashtë lokalit. Ndërkohë, Skënder Bokçiu i shoqëruar nga Isuf Ukperaj dhe nga një person tjetër kanë ardhur tek lokali. Pasi Bashkim Kamberi është shkëputur nga Ilirjan Berzani, Skënder Bokciu dhe personi që e shoqëronte atë janë takuar me Ilirjanin. Pas këtij takimi disa minutash, Skënder Bokçiu është parë të futet në lokal dhe ka dalë së bashkë me Isuf Ukperajn dhe personin tjetër i paidentifikuar me një pako në dorë. Ndërkohë Ilirjan Berzani është takuar me Bashkim Kamberin dhe të dy janë futur në lokal.
Personi që shoqëronte Skënder Bokciun është parë të futet në automjetin e punës së shtetasit Ilirjan Berzani në të cilin ndodhej shoferi i këtij të fundit. Pas disa minutash, personi ka dalë nga automjeti dhe shoferi i Ilirjan Berzanit ka shkuar në automjetin në fjalë nga qendra tek Stacioni i Trenit. Rreth orës 20.30, Ilirjan Berzani i ka telefonuar shtetasit G. P. dhe i ka kërkuar që të marrë një porosi tek Stacioni i Trenit. G. P. ka qenë i njohur i të pandehurit Ilirjan Berzani, i cili ishte frekuentues i qendrës së tij të masazhit. Meqënëse ai ishte i zënë për momentin, i ka thënë shtetasit E. R. që të shkojë dhe të marrë porosinë e Ilir Berzanit. Ndërkohë Ilirjan Berzani është shkëputur nga Bashkim Kamberi dhe me një taksi ka shkuar te Materniteti i Vjetër. Aty ai ka takuar E. R, të cilit i ka thënë që të merrte një pako tek automjeti i tij i punës që ndodhej i parkuar tek Stacioni i Trenit dhe ta çonte këtë pako tek qendra e masazhit ku punonte. Më pas, rreth orës 21:30, Skënder Bokçiu i ka telefonuar Ilirjan Berzanit duke i thënë që të shkojë në shtëpi i qetë. Pas kësaj Ilirjani ka marrë në telefon E. R dhe e ka pyetur nëse e kishte marrë pakon apo jo dhe ky i fundit i ka konfirmuar se e mori pakon. Nga bisedat telefonike konfirmohet më pas se Ilirjan Berzani i ka marrë paratë. Kështu Skënderi ka marrë kontakte me Ilirjan Berzanin me qëllim që ky i fundit t'i japë mbështetje KVO-së për vazhdimin e mëtejshëm të procedurave dhe nxjerren fitues të tenderit me objekt ndërtimin e rrugës Has-Qafë Prush, të bashkimit të shoqërive "ARIFAJ" sh.p.k, , "VËLLAZËRIA" sh.p.k, dhe "ALBAVIA" sh.p.k. Sa më sipër rezulton e provuar se të pandehurit Nikolin Jaka, Ilirjan Berzani, Bashkim kamberi, Xhevahir Muçoglava, Arjan Sheti, Skënder Bokciu dhe Isuf Ukperaj kanë kryer veprat penale të mësipërme.
MASA E PRETENCËS
Nikolin Jaka, 3 vjet dhe 2 milionë gjobë;
Ilir Berzani, 6 vjet burg dhe 4 milionë gjobë;
Arjan Sheti, 2 vjet burg dhe 600 mijë gjobë;
Xhevahir Muçogllava, 2 vjet burg;
Bashkim Kamberi, 21 muaj burg;
Skënder Bokçiu, 2 vjet burg dhe 1 milione gjobë,
Isuf Ukperaj,2 vjet dhe 2 milionë gjobë