E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dialogu me gënjeshtra" i Berishës, pesë premtimet e pambajtura

 

Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe komenton qëndrimet e Berishës gjatë turit

TIRANË- Socialistët e kanë ndjekur më laps në dorë, turin që kryeministri Sali Berisha po zhvillon në Jug të vendit. Duke e cilësuar turin si "Dialogu me gënjeshtra", nënkryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka radhitur pesë premtimet e pambajtura, që prej ditësh, Berisha po i përmend si arritje të qeverisë që ai drejton. "Berisha gënjen, kur flet për rrugë të bëra, tani është tamam koha kur duhet të kishin mbaruar autostradat Lushnjë-Fier, Fier-Vlorë, Fier-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër, Bypass-Fier, mbikalimi në Tiranë, dhe duhet të ishte në prag të përfundimit, Shkodër-Han i Hotit. Berisha gënjen, kur thotë se këto rrugë po bëhen me paratë e luftës kundër korrupsionit. Përkundrazi, ato po bëhen me borxhe. Madje, dhe rruga që inspektoi dje, Plloçë-Korçë, e tipit B1, me dy korsi, 1.8 miliardë, është financuar me borxh",- tha Braçe, teksa ka prekur temën për infrastrukturën. Nënkryetari i grupit parlamentar foli dje edhe për qëndrimin e kreut të ekzekutivit lidhur me rrugët dytësore ose rurale. "Berisha gënjen, kur thotë se ka 420 milionë dollarë për rrugë rurale. Tani është tamam koha që ai të na tregojë 4500 km rrugë të asfaltuara. Berisha gënjen, kur thotë se do të bëjë për 1 vit këtë që i ka mbetur, 1500 km rrugë rurale, sepse në buxhet, edhe atë të borxheve, nuk ka 420 milionë dollarë për këtë qëllim, madje, as marrëveshje apo borxhe të marra, veç njërit 7.2 milionë euro nga Banka Botërore",- tha ai. Nënkryetari i grupit parlamentar shtoi se, Berisha gënjen kur thotë se po punon, sepse shifrat e 4-mujorit tregojnë të kundërtën. "Investimet kapitale 5.18% e vjetorit. Si 4-mujor, 31.4% ose 11.9 miliardë. Investimet e huaja 2.25% e vjetorit. Si 4-mujor, 14.6% ose 9.1 miliardë",- shtoi ai. Pensionet janë një tjetër kapitull që Kryeministri po e përmend jo pak si arritje të qeverisë së tij, gjatë turit që po zhvillon. "Berisha gënjen, kur thotë se bëri pensionin minimal 100 dollarë, madje më shumë se 100 dollarë. Pikërisht, loja me kursin e bën edhe më spekulant, sepse sot janë mbi 100 mijë pensionistë, në qytet dhe fshat, që nuk e marrin këtë pension, pra marrin më pak. Berisha gënjen, kur thotë se në fund të mandatit ai do të ketë të mbajtur premtimet për dyfishimin e pensioneve të vogla, sepse ai nuk ka premtuar këtë, por dyfishimin të pensioneve, ndërsa tani, për më shumë se 60% të pensionistëve, pensionet nuk janë rritur as 22%. Dhe kjo nuk është rritje reale, po të kesh parasysh rritjen e tmerrshme të çmimeve",- tha ai. Së fundmi, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, ka prekur edhe kompensimin qindarke për qindarke të premtuar nga Berisha për krizën e çmimeve. "Ai gënjen, kur e premtoi këtë, sepse në buxhet nuk ka para për ta paguar, madje, në buxhet nuk ka asnjë plan për këtë faturë. Madje, qysh para korrikut që shkoi, nuk është paguar asnjë qindarkë për kompensimin e çmimeve. Berisha gënjen, kur tha se ka para të bollshme në buxhet për kompensim, sepse në buxhet, deri tani, ka vetëm 35 milionë dollarë tepër, që u ka marrë shqiptarëve nga pagat e tyre në shtet apo privat. Berisha gënjen, kur tha se këtë kompensim do t'ua jap të gjithëve, sepse ai këtë do t'ua japë vetëm buxhetorëve, 120 mijë të tillëve, madje më pak. Ndërkohë që 2.5 milionë shqiptarëve të tjerë, nuk do t'u kompensojë asgjë",- tha Braçe.

N.Perndoj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›