Shopingu i Hoxhës
Ju kujtohet Luan Hoxha? Është Gjeneral-Lejtnant. Edhe dy muaj pas krimit qeveritar në Gërdec është ende Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Për shumë javë pas krimit, ku u vranë 26 njerëz, u sakatuan mbi 300 dhe u bë batërdia në mijëra shtëpi, Hoxha ishte vizitor i shpeshtë i ambienteve të prokurorisë. Por qëndroi si hero dhe ai meriton të quhet tamam "qëndrestar", siç i cilësonte Berisha ata të vetët kur bënte opozitarin. Dhe mbas kalvarit dymujor të prokurorisë, është koha për pak relaks. Dhe jo në Konvaleshencën e mbushur përplot me mbi 300 të pastrehët e Gërdecit, por jashtë Shqipërisë. Gjeneral-Lejtnanti është "pak në Bruksel". Te selia e NATO-s dhe atje shkon serbes, sepse përfaqëson ushtrinë e një vendi që sapo ka marrë ftesën për anëtarësim në NATO. Një rrugë e disa punë! Edhe përfaqëson gjeneralin e Gërdecit, në selinë qendrore të NATO-s, edhe bën pak shoping, edhe ndonjë punë tjetër. Dhe me aq gëzim e ka pritur këtë dalje, sidomos pas injorimit që i bënë kur nuk e morën në delegacionin shqiptar në Bukuresht, më 2-4 prill, saqë ka bërë disa telefonata me të njohurit, të cilët i pyeste se çfarë donin t'u sillte nga Brukseli. Disa e hëngrën dhe iu përgjigjën se ia linin në dorë shijeve të gjeneralit. Por një mik i "Spiunit" i doli të keqes përpara, sepse kishte dëgjuar që Hoxha sillte rroba apo suvenire me stemën e NATO-s. "Çfarë të të dojë e bardha zemër, z.Gjeneral, por do të më bëhej qejfi shumë po të më sjellësh një T-shirt "Lacoste", po nga ato origjinalet ama, jo me krokodil të sajuar kinez",- iu përgjigj shoku i "Spiunit".
-Tani sjell unë. Sa e ke masën?- pyeti i lumtur Gjenerali.