Aferat politike franceze, në dorë të gjykatës
Ish-kryeministri francez, Dominique de Villepin, del para një gjykate në Paris në atë që media franceze e cilëson si procesin e dekadës. Zoti de Villepin akuzohet se ka komplotuar për të diskretituar rivalin e tij të vjetër, atëherë ish-ministër i Financave dhe aktualisht presidenti i sotëm, Nicolas Sarkozy. Ky rast daton në vitin 2004, kur të dy këta politikanë ishin në garë për t'u caktuar kandidatë për President nga ana e partisë së tyre. Pretendohet se zoti De Villepin u përpoq të manipulonte një hetim gjyqësor për korrupsion për të njollosur zotin Sarkozy. Por ish-kryeministri i mohon akuzat.
Rasti pritet që të hedhë dritë mbi punën e shërbimeve sekrete franceze dhe antipatinë ndaj njëri-tjetrit. Ndërkaq çështja përfshin edhe emra shumë të njohur në politikë dhe biznes. Nëse gjendet fajtor, zoti De Villepin përballet me deri në pesë vjet burg dhe me një gjobë prej 66 mijë dollarësh.
Procesi i dekadës
Kjo çështje është në qendër të saj atë që njihet si "Afera Clearstream", që ka të bëjë me një platformë ndërkombëtare pastrimi parash dhe evazioni fiskal. Pesë vjet më parë, emri i Nicolas Sarkozy u duk në krye të listës së politikanëve dhe biznesmenëve që iu dërgua zotit De Villepin. Atëherë u pretendua se personat në listë kishin marrë ryshfete nga një shitje ndërkombëtare armësh. Kur një gjykatës arriti në përfundim se lista ishte false, atëherë fokusi i hetimit u zhvendos tek ai që fshihej prapa këtyre pretendimeve të rreme. Zoti De Villepin, duke folur ditën e premte, mohoi të kishte gisht në këtë çështje.
"Nuk kam kërkuar në asnjë moment ndonjë hetim për ndonjë politikan dhe në asnjë moment nuk kam marrë pjesë në ndonjë manovër politike", - tha ai. Por ish-kryeministri hetohet që prej vitit 2007. Komentatori politik, Jacques Reland, shpjegon se cila është akuza qendrore, me të cilën përballet zoti De Villepin.
"Ai akuzohet për njollosjen e figurës së Nicolas Sarkozy. Disa nga protagonistët e kësaj afere shumë të errët, thonë se ka qenë Dominique de Villepin, që ka sugjeruar që Nicolas Sarkozy të futet në listën e personave që kanë marrë ryshfete gjatë shitjes së luftanijeve franceze në Tajvan, para këto janë pastruar përmes një llogarie bankare në Luksemburg". "Kjo bankë e Luksemburgut quhet “Clearstream” dhe prej kësaj e ka marrë emrin e gjithë afera", - shpjegon analisti Jacques Reland. Një aspekt që e bën këtë proces kaq interesant për opinionin publik është rivaliteti mes Dominique de Villepin dhe Nicholas Sarkozy.
Në kohën për të cilën flitet, të dy anëtarët ambiciozë dhe rivalë të kabinetit i kishin sytë tek kandidatura për Presidencën, me shpresën që të zëvendësonin Presidentin e atëhershëm, Jacques Chirac.
Ishte zoti Sarkozy që e fitoi betejën. Ndaj edhe ky gjyq shihet si hapje para publikut e kësaj marrëdhënieje mes dy politikanëve që thjesht e urrejnë njëri-tjetrin.
Korrespondentja e BBC-së në Paris, Emma Jane Kirby, thotë se ata janë personalitete tërësisht të ndryshme dhe nuk mund të jenë më ndryshe se kaq.
Rivalitet i egër
"Asokohe De Villepin ishte Kryeministër, një ish-diplomat mjaft i sjellshëm, një poet që vinte nga një familje e rangut të lartë dhe që ishte pjesë e natyrshme e elitës politike".
"Nicholas Sarkozy ishte një i jashtëm mjaft ambicioz, i sinqertë, një person që kishte si qëllim të trondiste nga themelet sistemin". "Ne e dimë që De Villepin, ishte i preferuari i Presidentit Chirac dhe i zgjedhur prej tij si pasues". "Sarkozy, nga ana tjetër shihej avokat dhe biznesmen mjaft dinak dhe një person që nuk duhet ta merrte atë post", - thotë Emma Jane Kirby. Korrespondentja e BBC-së shton se pretendohet që privatisht, De Villepin i referohet zotit Sarkozy si "ai xhuxhi". Për ata që e ndjekin nga larg këtë proces, është një farë shansi për të parë se politika franceze mund të jetë një aferë e ndyrë. Të dy politikanët luftuan në mënyrë të jashtëzakonshme, për shansin për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2007. Gazetari dhe autori francez, Patrick Sabatier, thotë se e gjitha kjo është pjesë e një tradite të gjatë manovrash politike dhe kurthesh në politikën franceze. "Ky rast, është veçanërisht spektakolar, sepse kulmon në një histori të gjatë rivaliteti politik dhe një urrejtjeje personale në kampin konservator mes Dominique de Villepin dhe Nicholas Sarkozy, që kishin ambicie presidenciale", - thotë gazetari Patrick Sabatier. Zoti Sarkozy është paditës në këtë gjyq, por si President ai nuk do të duhet të japë dëshmi. Procesi pritet të zgjasë për katër javë, ndërsa vendimi do të jepet, pasi disa muajsh.