Vlorë; Pedagogët kundër MASH-it: Jo pranimit të studentëve
Mospranimi i maturantëve kandidatë për studentë me mesatare nën 6 në Universitetin e Vlorës është vendim i marrë kolegjialisht në senatin e këtij universiteti. Përmes një deklarate për shtyp, pedagogë të këtij universiteti kanë reaguar dje ndaj vendimit të ministrit të ri të Arsimit, z. Myqerem Tafaj, duke argumentuar se vendimi është marrë në senat në mënyrë unanime me qëllimin e vetëm për të rritur cilësinë në përgatitjen e këtyre studentëve. “E theksojmë edhe një herë se ky vendim u mor me dëshirën e mirë që të rritet cilësia e përgatitjes së studentëve në këtë universitet, pra, në përgjigje të realizimit cilësor të përgatitjes së specialistëve të lartë”, - bëjnë të ditur pedagogët. Ata e cilësojnë “të pafalshme” deklaratën e drejtoreshës së Arsimit të Lartë në këtë ministri, znj. Elida Hoxha, dhe deklarojnë se kanë vepruar në bazë të ligjit. “Me këtë vendim askush nuk ka të drejtë të abuzojë duke e konsideruar atë si një masë diskriminuese kundër nxënësve të shkollave të mesme. Ne i rekomandojmë zonjës drejtoreshë të lexojë me kujdes ligjin ku thuhet: “Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të përcaktojnë kritere të veçanta për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët kanë mbaruar Maturën Shtetërore, për t’u pranuar në ciklin e parë të studimeve. Këto kritere bëhen publikisht të njohura nga institucionet e arsimit të lartë të paktën një vit para fillimeve të pranimeve të radhës në institucion”, - vazhdon deklarata e pedagogëve. “Nëse na detyrojnë dhe na bëjnë presion që ta shkelim këtë ligj, atëherë ju bëjmë me dije që për ne nuk ka vend të punojmë në një universitet ku nëpërkëmbet dinjiteti dhe personaliteti i senatit dhe stafit akademik nga institucionet qendrore me urdhra arbitrare institucionale”, - përfundon deklarata për shtyp e stafit akademik të këtij universiteti.